Tridhjetë vjet më parë, Robert Pichler erdhi në Shqipëri krejt rastësisht, por prej asaj kohe do të lidhej ngushtësisht me këtë vend.

Nga: Entela Resuli

Një të huaji që viziton Shqipërinë e vitit 1989 sigurisht që e ka të vështirë të mos kujtojë këtë vend.

Mban mend se gjithçka ishte gri në atë periudhë. Nuk kishte ngjyra, të paktën jo në veshjet e njerëzve. Por, diçka me tepër se sa kaq e tërhoqi Pichlerin dhe e bëri që ai të kthehej herë pas herë, madje duke mësuar edhe shqip.

Albanologu Robert Pichler ka hap një ekspozitën me fotografi “Kthim në kohë: Shqipëria e viteve ‘90- të”, në hollin e Muzeut Historikë Kombëtar.

Në një intervistë ai tregon udhëtimin që i ndryshoi jetën dhe vlerën e pa menduar që kanë këto fotografi sot

– Robert, si ka qenë kontakti juaj i parë me Shqipërinë? Si e kujtoni vizitën e parë në këtë vend?

Kontakti i parë e kisha në vitin 1989; erdha në Shqipëri me një grup studentësh për të bërë një udhëtim nëpër qytetet e Shqipërisë.

Kjo përvojë e parë ishte shumë e keqe; unë u trondita nga situata në vend, nga trishtimi që mbizotëronte, nga kontrolli që u ushtrua kudo.

Njerëzit nuk lejoheshin të bisedonin me ne edhe pse i gjetëm mënyrat për t’i kontaktuar me ta. Monotonia që shihej në hapësirën publike ishte veçanërisht e keqe, pa ngjyrë, pa dritë në mbrëmje, burra të cilët të gjithë kishin të njëjtën jelek dhe mbanin të njëjtat veshje.

Ne dinim shumë pak për Shqipërinë në atë kohë. Dinim që vendi ishte i izoluar, kishte një diktaturë të rreptë, por edhe që ishte një vend i bukur, me shumë male dhe një bregdet të gjatë.

Disa prej nesh kishin një vizion romantik të Shqipërisë. Para se të vinin këtu mendonin që Shqipëria mund të kishte marrë një rrugë interesante, që kishte punësim të plotë, kishte pak krim dhe progres. Një vend që kishte arritur të emancipohej nga Bashkimi Sovjetik, i cili kishte ruajtur identitetin e vet – këto ishin idetë mitike.

– A e ndryshoi jetën tuaj vizita në Shqipëri?

Jeta ime ka ndryshuar në mënyrë drastike përmes Shqipërisë.

Isha shumë kurioz për këtë vend. Doja të kthehesha sa më shpejt që të ishte e mundur. Në vitin 1992, unë u ktheva në Shqipëri për gjashtë muaj, dhe ishte fillimi i një udhëtimi të gjatë që vazhdon deri sot.

Prej atëherë kam punuar me tema lidhur me çështjet shqiptare, këtu në Shqipëri, më vonë në Kosovë dhe më në fund në Maqedoni.

Magjistraturën i kam kryer për një temë i lidhur me Shqipërinë, doktoraturën me një temë lidhur me Kosovën dhe post doktoraturën me një temë lidhur me Maqedoninë.

Jam shumë i lumtur që jam kthyer tani në Shqipëri me këtë ekspozitë, fotot dhe kujtimet e shumta të viteve ’90.

– Sot ju hapni një tjetër ekspozitë në Shqipëri, që nuk është e para për ju. Çfarë do të sillni për të gjithë ata që duan të vijnë të shohin fotografitë tuaja?

Unë jam shumë i kureshtar për hapjen e kësaj ekspozite në Tiranë. Ky është përfundimi i një udhëtimi të mrekullueshëm. Ajo që jam veçanërisht i interesuar janë reagimet e njerëzve ndaj fotografive.

Unë jam kurioz të mësoj për kujtimet e asaj kohe. Kam përshtypjen se kjo kohë ishte shumë e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë, por nuk ka shumë debate në publik për këtë. Njerëzit flasin për politikën, por për ndryshimet shoqërore dhe kulturore që u zhvilluan në vitet 1990, sfidat e shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët, nuk flitet shumë.

Fotot mund të nxisin një diskurs, dhe ky është qëllimi im. /Dita/