Një fshatar shkoi te një i ditur dhe filloi t’i ankohej: “Ju lutem më ndihmoni. Përndryshe do të çmendem. Ne jemi një familje me shumë anëtarë dhe jetojmë në një shtëpi me një dhomë. Ngaqë nxehemi, i bërtasim njëri-tjetrit.”

I dituri e pyeti: “A më jep fjalën se do ta bësh atë që do të të them?” 

Burri ia ktheu: “Ju betohem se do të bëj çfarëdo që të më thoni.” 

I dituri i tha: “Mirë. Sa kafshë ke?” 

Fshatari iu përgjigj: “Një lopë, dy dele dhe katër pula.” 

I dituri i dha këtë sugjerim: “Futi brenda në shtëpi të gjitha kafshët dhe pas një jave eja përsëri te unë!” 

Fshatari u habit prej atyre që i tha i dituri, por ja që e kishte dhënë fjalën. Në këtë mënyrë, edhe kafshët filluan të jetonin në shtëpi. Fshatari pas një jave shkoi te i dituri në gjendje të rraskapitur dhe i tha: “Jemi në një gjendje shumë të keqe. Papastërti! Erë e keqe! Zhurmë! Të gjithë jemi gati duke u çmendur. ” 

Kur i dituri i tha që të shkonte te shtëpia dhe t’i nxirrte kafshët, fshatari shkoi menjëherë si shigjetë. 

Të nesërmen fshatari erdhi prapë te i dituri dhe sytë po i qeshnin. Nga goja e tij dolën këto fjalë: “Sa e bukur paska qenë jeta! Shtëpia jonë është mjaft e rehatshme, e pastër dhe e madhe. Ajo duket pothuajse si një xhenet!”

Burimi: IslamGjakova.net