Për çdo rast fejese, qitej me push, kë për të dhënë lajmin

Fejesave u kushtohej rëndësi e madhe, si nga ana e atij që jepte, edhe nga ana e atij që merrte. Para se vendosej për të dhënë një vajzë, ose për të marrë një nuse, peshoheshin mirë e mirë shumë tregues. E para, nusja që lypej për djalë duhej të ishte soj, nga fis e derë e mirë. Së dyti, duhej të ishte mbesë në një fis a në një derë të mirë. Së treti, duhej të ishte pa defekte trupore e mendore. Këto kërkesa justifikoheshin me faktin se fëmijët, që ajo do të lindte pas martesës, duhej të ishin të zgjuar dhe pa probleme trupore e mendore. Së katërti, duhej hetuar imtësisht se mos kishte qenë më parë ndër nishane -e fejuar, ose martuar, se, po të merrje ose të jepje një vajzë të fejuar, hyje në gjak e do të laje gjak.

Ana ekonomike shihej si jo shumë e rëndësishme, sidomos për djalin, dhëndrin e  ardhshëm, sepse thuhej, se “pasuria është si rrobe e palarë: është, ikën; s’është, vjen”.  Ka pasur shumë raste kur vajzën ia jepnin për nuse një të pasuri, por që më pas bëhej fukara, ose mund ta kishte djalin budalla.

E rëndësishme është të theksohet, se në të gjitha rastet fejesat bëheshin pa pëlqimin e të fejuarve, të cilët nuk ishin parë e nuk mund të shiheshin asnjëherë, deri kur të vinte dita e martesës. Në shumë raste fejesat bëheshin që në barkë të nënës, kur burrat, duke biseduar i vinin kusht njëri-tjetrit: “Po më lindi vajzë ta kam dhënë, po më lindi djalë të ma japësh vajzën!” Kështu, bënin në fakt, se fjala e dhënë konsiderohej ligj e nuk kundërshtohej më.

Gjithashtu, shumica e  fejesave bëheshin me shkesë, ose mblesës. Shkesit ishin njerëz të njohur për aftësi ndërmjetësimi. Madje, disa prej tyre ishin, pothuajse profesionistë në këtë punë,  ecnin me lista, se kush kishte djalë për të martuar e kush kishte vajzë për të fejuar dhe pastaj trokiste në dyert e tyre. Në momentin që dy palët binin dakord, vihej menjëherë në zjarr xhezvja e kafesë me sheqer, e cila quhej kafja e hajrlisë. Kjo kafe faktonte lidhjen e miqësisë, ishte një kontratë e vërtetë e pashkruar. Sa të pihej kafeja, shkesi dilte në oborr të familjes që fejoi vajzën, e futi ndër nishane, dhe qiste me push, kë. Nga ai moment e gjithë dynjaja e merrte vesh se vajza e filanit është ndër nishane, dhe s’i trokiste ma kush në derë për atë punë.  Sa të kryhej dhe ky rit, familja e vajzës i jepte shkesit një shami koke, ose një shami duarsh, disa herë ndonjë palë çorape leshi, të cilat quheshin nishane. Këto nishane shkesi i dërgonte te shtëpia e dhëndrit, e cila i vinte në muret e odave të  shtëpisë, që t’i shihnin miq, të afërm e  dashamirës.  Edhe në oborrin  shtëpisë së djalit qitej një push, kë dhe ky ishte haberi publik se në atë familje kishte ndodhur një fejesë, ndërsa vajzat e  nuset menjëherë ia merrnin këngës, këndonin dhëndrin.

Fejesat e para në Dibër me njohje e dashuri

Një këngë dasme thotë:

“ Ç’gje poshtë te do gjerre,

 gjesh një vajzë tu ruj do dele.

Asaj vashës kah ti vete,

kishte qenin, ma ndërsete.

Unë qenit t’i shtaj mish,

bashkë me vashën në një kmishë.”

Ndërsa, kur prindërit bëheshin pengesë për plotësimin e dëshirave të të rinjve, këndohej një këngë:

Toj, moj nënë të qitsha në dhe,

  A nuk ke qenë noj herë e re?!

 Taj, mor babë, mos gjetsh xhenetin,

 do ta baj haram hyzmetin!”

Njohja me kandidatët për fejesë, takimi mes të fejuarve nisi në fillim të vitit 1970. Kjo gjë ndodhi me direktivë të regjimit.

E para vajzë e fejuar, që shkoi në shtëpinë e  të fejuarit të saj, Karafil Rexhës,  qe Liri Kolari nga Pocesti i Maqellarës, gjë që u publikua më 1 janar shkurt 1970. Menjëherë pas saj, më 11 shkurt të vitit 1970, ishte Ahmedie Marku nga Reçi i largët që shkoi në shtëpinë e të fejuarit të saj, Seit Hasani. Po në këtë kohë, Kimete Goxhi nga Maqellara, ditën që u martua me Ismet Pikun, doli në punët e kooperativës.

Më 21 mars 1970, në Sllovë u takuan për herë të parë 40 të rinj e të reja të kooperativave bujqësore të Sllovës, Kalasë së Dodës dhe Sllatinës të fejuar me shkuesi. Vajzat që morën pjesë në këtë takim, nga kooperativa e Sllatinës qenë: Shahe Ndreu, Naile Biba, Alltane Skarra, Hyrie Hata, Gjylsime Puci, Servete Smaçi, Sanie Visha, Gjelina Dushku etj. Nga Kalaja e Dodës e Sllova qenë edhe Xhamie Abazi, Arife Borishi, Fatbardha Marku, Sine Kolgjini, Shyrete Shehu, Xhevezie Shehu etj.

Më 28 nëntor 1970,në Selishtë u takuan për herë të parë të fejuarit Nilkë Ndreka dhe Adem Demiri.

Si këta vepruan edhe shumë çifte të tjera nga Reçi, Zall-Dardha, Selishta etj.

Në Zall-Dardhë u organizua një takim me të gjithë çiftet e fejuara. Të tilla takime u zhvilluan edhe në Reç e në Selishtë. U njohën e bënë vizita tek njëri-tjetri çiftet: Rruzhdie Shira e Rifat Troci, Nazmie Murati e Sabri Leka, Nilkë Bara e Rrahman Lami, Nilkë Çera e Gani Marku, Shkurte Lala te Dodet, Xhulie Leka te Shehu etj.

Edhe në qendër të lokalitetit të Fushë-Alie  u bë takimi i rinisë për zonën Kastriot e Fushë-Alie, ku morën pjesë 120 të reja e të rinj, 60 prej të cilëve të fejuar. Interesante qe vizita në shtëpinë e Murat Vladit, ku morën pjesë i fejuari me të vëllanë, dajën e të tjerë. Kujtimja kishte shkuar në punë në Tartaj të Dardhës, ku qe fejuar. Takime të tilla, u bënë edhe në shtëpinë e të fejuarve Zemrie Nelollari, Zija Cibaku dhe Selman Loka në Arras, Kumrie Marku e Ramadan Buci në Fushë-Alie etj.

Deri në këtë kohë,askush nuk e dinte se cila ishte fytyra e të fejuarës, askush s’e dinte në ishte e bardhë e apo e zezë, në ishte gjatë apo e shkurtër, e hollë apo e trashë, e bukur apo e  shëmtuar, e saktë apo sakate. Gjithçka kryhej si me një plaçkë që blihen në treg, por me ndryshimin e madh, se blihej malli pa e parë se ç’ishte. Vetëm kur martoheshin, shihej në se kishin vepruar mirë, apo kishin vepruar keq. Kishte çifte, që edhe pse u martuan pa u njohur, kalonin mirë, kishte dhe çifte të tjera, që i kalonin ditët si të ishin robotë, pa mish e  pa gjak, pa dashuri e pa lumturi….

Nga: Fatos DACI / Gazeta Dibra.net