Një tjetër film që është xhiruar nga “sytë” e operatorit Ilia Tërpini është edhe “Mimoza llastica”. Për të gjetur aktoren Zhaklina Dhimojani, regjisores Xhanfize Keko iu desh të shëtiste nëpër sa e sa kopshte të Tiranës, por pa rezultat. Ishte vëmendja e Tërpinit, ndërsa po ecte në zonën e Tiranës së Re, kur e pa të voglën në rrugë me të ëmën.

Iu afrua menjëherë, e fotografoi dhe ia tregoi regjisores. Ishte ajo që po kërkonin. Nga ana e familjes nuk pati kundërshtime që e vogla “të bëhej” aktore, mirëpo Zhaklina vetë nuk ishte ende gati që t’u bindej urdhrave të filmit Thuajse të gjitha skenat u xhiruan pa vështirësi derisa erdhi momenti që llastica duhet të qante… “Çfarë nuk i thamë që ta bënim të qante, por ishte e pamundur.

Më kujtohet që regjisorja i dha edhe një shpullë, por vajzës nuk i dilte asnjë pikë loti. E ëma që i ndiqte xhirimet nga larg më thirri dhe më tregoi që atë ditë në klasën e saj kishte humbur një stilolaps. Skema ishte e qartë, duhet të akuzonim Zhaklinën si hajduten e stilolapsit. Thërras Xhanfizenë dhe i them se zgjidhja u gjet. Regjisorja i afrohet te veshi dhe e pyet se pse e kishte vjedhur stilolapsin në klasë?!

Aty ajo nuk i mbajti lotët, shpërtheu menjëherë duke u mbrojtur se nuk e kishte marrë ajo. Janë kujtime shumë të bukura, por ndryshe nga aktoret e tjera, ndoshta sepse ajo ishte fare e vogël, karriera e saj nuk vazhdoi. Komunikoj ende sot me të, jeton në Zvicër!”, tregon Tërpini.

Burimi: Panorama.com.al