E kumtuar zyrtarisht në sallën e Kuvendit Popullor më 31 korrik 1953, dorëheqja e Omer Nishanit nga posti i Presidentit daton disa ditë më parë. E ka artikuluar këtë vetë Enver Hoxha, njeriu që ia ka ofruar postin e lartë fill pas luftës. Në një nga mbledhjet rutinë të Byrosë Politike të korrikut të atij viti, kreu i regjimit shtjellon para partiakëve të lartë një bisedë delikate që ka pasur mëngjesin e asaj dite me doktorin President.

“Thirra sot në zyrë Nishanin, shprehet ai për të tijtë, folëm në fillim për punët në tërësi, pastaj unë i thashë se u plake more doktor dhe duhet menduar për t’u larguar”. Mënyra si e tregon kreu i regjimit takimin sy më sy me Presidentin, të krijon përshtypjen sikur doktori është dakordësuar aty për aty me ofertën e Hoxhës, që më në fund kishte menduar ta lehtësonte nga telashet e postit të rëndësishëm.

Madje kjo -sqaron lideri kryesor i Partisë- kishte ardhur natyrshëm dhe ish-presidenti, i ngazëllyer me idenë për t’u larguar, ishte bërë bashkëpunues me Hoxhën për të zgjedhur emrin e Presidentit të ri. Nga argumentet e doktorit për këtë të fundit, kreu i Partisë kujton arsyetimin e Nishanit për cilësitë politike të atij që do të futej në zyrën e tij.“Unë mendoj, është shprehur ai para Komandantit, se President duhet të jetë njëri nga anëtarët e Byrosë Politike ose të Komitetit Qendror, për ta marrë efektivisht drejtimin në dorë, sepse unë jo që s’jam në udhëheqje të Partisë, por nuk jam fare as anëtar Partie”. Pavarësisht shkallës së sinqeritet me të cilën Hoxha sjell mbresat nga ky takim, nga dokumenti i zbardhur, bie në sy një moment që s’të lë shkak për të dyshuar në vërtetësinë e tij.

“Dakord për dorëheqjen, kujton Hoxha porositë e fundit për Nishanin, por duhet gjetur rasti ta kumtojmë, se do të ketë që do pyesin ‘Pse e heqin Doktorin?’. E kjo na sjell probleme” Dhe aty për aty e garanton tjetrin se e ka menduar vetë edhe rastin e volitshëm, duke i kujtuar fushatën e porsashpallur për riorganizimin e pushtetit qendror dhe përgjysmimin e numrit të ministrive.

Pra, sipas Hoxhës, kjo rrëmujë lëvizjesh do të fashiste çdo kërshëri e dyshim për shkarkimin e doktorit(!) I lehtësuar nga gatishmëria e tjetrit për t’u larguar në paqe nga funksioni i lartë, kreu i regjimit vazhdon më poshtë rrëfimin për byroistët rreth profilit dhe emrit të Presidentit të ri, të cilin, me sa duket e ka përcaktuar vetë.

“Mendojmë për Haxhi Lleshin, shprehet Hoxha, ai mund ta bëjë mirë këtë detyrë, se është shok besnik nga Veriu, është luftëtar dhe anëtar i Plenumit të KQ, po nga ana tjetër ka probleme me biografinë si bajraktar dhe me origjinën e gruas, që i kemi pushkatuar disa dhjetëra kushërinj si tradhtarë”.

Sakaq, pohon se ka dhe një alternativë tjetër, duke përmendur emrin e Pilo Peristerit, i cili, “është më i mirë e më i devotshëm nga Lleshi, por në kushtet konkrete, ky i fundit është më i përshtatshëm për nga besimi mysliman dhe prejardhja nga Veriu”. Në pak çaste pastaj, të tjerët shkëmbejnë ndonjë mendim të shkëputur, por nga mënyra si këmbëngul Hoxha për kandidaturën e Lleshit, tërhiqen dhe dakordësohen me mendimin e tij.

Po çfarë është konsumuar tjetër në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 17 korrik 1953, ku është përcaktuar zgjedhja e Haxhi Lleshit President i Republikës. Më poshtë publikojmë të plotë dokumentin e mbledhjes…

DOKUMENTI

Protokoll nr. 20, datë 17 korrik 1953

Mbledhje e Byrosë Politike të KQ të Partisë dhe e Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë

Rendi i ditës…

ENVER HOXHA: Desha të flas pak për çështjen e zëvendësimit të Presidentit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Sot erdhi tek unë dr. Omer Nishani. Pasi folëm pak, unë ia hapa dhe i thashë se u plake, more doktor, ke menduar ndonjëherë për punën? Pastaj, shtova, të dy ne, unë si Kryeministër dhe ti si President, jemi nga Gjirokastra. Populli i sheh këto gjëra dhe ka njerëz që thonë se e morën të tërë Shqipërinë toskët në dorë. Një gjë e tillë më ka rënë dhe mua në mendje, tha doktori.

Pastaj i thashë, ti u plake, megjithëse Partia ndonjë rezervë në dorë për ty nuk ka dhe ato që kemi pasur t’i kemi thënë haptazi, kur ke gabuar të kemi kritikuar dhe ty ato kritika të kanë shërbyer. Këto fjalë të miat nuk i priti keq se bisedova me të edhe më gjatë.

Pastaj ai më tha: Të them të drejtën, edhe unë kam menduar për këtë gjë, po jo se jam nga Gjirokastra. Pastaj filloi të qajë. Aty kujtoi artikullin që kishte shkruar në favor të fashizmit në kohën e okupacionit, por Partia më dha dorën, tha.

-Unë mendoj, tha, se President duhet të jetë një njeri që të jetë në Byronë Politike ose në KQ, se ky funksion është i tillë që të ketë lidhje me udhëheqjen dhe të marrë efektivisht drejtimin në dorë, kurse unë jo që nuk jam në udhëheqje të Partisë, por nuk jam fare as anëtar Partie.

Se Presidenti nuk mund të jetë një njeri formal. Ai duhet të jetë në korent të çështjeve, ndërsa unë nuk jam në korent, sepse për këtë duhet të jesh anëtar i KQ-së dhe i Partisë. Unë i thashë se për një gjë të tillë (aktin e dorëheqjes) duhet gjetur edhe rasti, që të mos krijohet opinion dhe situata ku njerëzit të pyesin “Pse e heqin doktorin?”.

Faksimile e protokollit të mbledhjes së Byrosë Politike dhe e Këshillit të  ministrave, datë 17 korrik 1953

Po rasti është tani, i thashë, duke i vënë në dukje riorganizimin që po bëjmë, duke shkurtuar numrin e ministrive nga 18 në 9 dhe duke shtuar se edhe shokë të tjerë, që kanë qenë ministra, do të ngarkohen me funksione të tjera më të ulëta. Kështu, i thashë, nuk do të bjerë në sy as largimi yt.

-Unë, tha doktori, sinqerisht e kuptoj drejt dhe dua një gjë, që çështjet e popullit të venë mirë. Unë i thashë që gëzohem që ju i kuptoni drejt çështjet dhe kjo gjë ka rëndësi edhe për ty, se je një shok i vjetër, patriot, ke punuar për popullin e për Partinë dhe besojmë se ti dhe miqtë e tu nuk do të thonë se si Partia e përdori këtë njeri dhe tani i jep shkelmin. Këtë gjë nuk duhet ta mendoni asnjëherë.

-Unë e kam dashur popullin dhe Partinë, tha doktori dhe do t’i dua deri sa të vdes. Unë jam gati që për këtë, edhe për shkakun e pleqërisë dhe të shëndetit, të flas edhe në Kuvend. Vetëm kërkoj një gjë, që Partia të më lë në atë shtëpi që kam. Çështjet ekonomike dhe të shtëpisë janë gjëra të vogla, i thashë unë, po ajo që ka më shumë rëndësi është njeriu që do t’ju zëvendësojë.

Mendoj që të jetë një njeri nga Veriu. Një nga ata mund të ishte edhe Myslim Peza, por ai është pa shkollë e këndim, pa kulturë, prandaj na duhet një tjetër. Domethënë, këtë gjë doktori e priti mirë dhe jam i bindur, që edhe e kuptoi. D.m.th., nga ana e tij nuk kemi ndonjë gjë. Tani puna është se me kë ta zëvendësojmë. Propozimi ynë është për Haxhi Lleshin. Në Presidium duhet të jetë një anëtar i KQ që t’i marrë të gjitha kompetencat.

Haxhinë ne e njohim të gjithë. Është anëtar i Plenumit, i lidhur që në fillim me Partinë, megjithëse nga ana e origjinës është bajraktar dhe rrethin familjar e ka të keq. Gruaja e Haxhiut është nga një familje që të tërë njerëzit ia kemi pushkatuar ne. Tani mundet edhe ta themi çështjen e tij. Ai më ka drejtuar para ca kohësh një letër, ku kërkonte të ndante gruan për shkak të qëndrimit të saj të keq.

Atë, kur Haxhiu ishte jashtë shtetit, e kishte parë një nga oficerët e Sigurimit të veshur me rroba të zeza në kohën që ne i kishim pushkatuar një kushëririn e saj. Vetëm për këtë çështje, tha ai, dua ta ndaj. Unë e thirra dhe i thashë të jetë më i duruar me gruan, se ka me të pesë fëmijë të rritur. Gruaja e tillë është, i thashë, të tillë e ka origjinën, jo të mirë, po ti, i thashë Haxhiut, vure çështjen kështu: Gruaja do më shumë ty e fëmijët apo rrethin e saj që janë pushkatuar?

Kështu të gjykosh, i thashë dhe mos u nxito në mendime. Haxhinë e para ne e njohim. Është një shok nga Veriu, është luftëtar dhe anëtar i Plenumit të KQ-së, por edhe duhet të punojë se është ca i avashëm. Pastaj është edhe shoku Pilo Peristeri. Ai është më i mirë nga Haxhiu, vetëm që është çështja e sindikatave.

Pastaj Pilua është edhe i krishterë, kurse shumicën e popullit e kemi myslimanë dhe populli e sheh shumë këtë anë. Po të vihet çështja Pilua apo Haxhiu, preferohet më përpara Pilua, më shumë se Haxhiu.

PILO PERISTERI: Unë mendoj se shumë mirë do të bëhet me shokun Haxhi.

LIRI BELISHOVA: Nuk kemi ndonjë njeri tjetër për atje, se shumë horizont nuk ka Haxhiu.

HYSNI KAPO: Unë kisha menduar për Pilon dhe në sindikata të vente Sadik Bekteshi.

SPIRO KOLEKA: Mbasi është nga Veriu edhe unë jam i mendimit të jetë Haxhiu, pastaj është edhe mysliman.

LIRI BELISHOVA: Pse të mos vëmë Tuk Jakovën.

ENVER HOXHA: Atje nuk ka ndonjë operativitet të madh, do të rrijë të presë popullin, d.m.th. do të shohë lutjet e popullit me kujdes, ligjet që do t’i paraqiten Kuvendit, çështjet e fajeve të dënimit me vdekje etj.

(Pas diskutimeve, shumica në fillim e pastaj të gjithë janë dakord që të zgjidhet president i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi). 

Dritëhijet e marrëdhënieve Hoxha-Nishani

Raportet e Hoxhës, kreut të regjimit komunist me doktor Nishanin, Presidentin e parë të pas-Luftës së Dytë Botërore, nuk u zbardhën asnjëherë të plota, jo vetëm sa ishin gjallë, po as tani kur nuk jetojnë. Omer Nishani iu bashkua kauzës së Enver Hoxhës në fillimet e viteve ’40. Më herët kishte emigruar për t’i shpëtuar përndjekjes nga regjimi i Zogut, si një nga kundërshtarët e tij.

Me rikthimin në Shqipëri, pas pushtimit të vendit ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Shtetit nën regjimin fashist, por këtë detyrë s’e vazhdoi gjatë. Kontaktet me liderë komunistë dhe veçanërisht me Hoxhën, me të cilin kishte ndarë vitet e fëmijërisë në Gjirokastër, ndikuan në afrimin e tij me lëvizjen antifashiste, duke vënë në funksion të saj pa rezerva energjitë dhe intelektin e spikatur.

Në verën e vitit 1943, doktor Nishani bëhet zyrtarisht pjesë e Frontit Nacionalçlirimtar, që drejtohej nga Partia Komuniste dhe shumë shpejt zgjidhet në forumet e larta të tij, duke zëvendësuar fillimisht kryetarin e parë të këtij organizimi komunist, Kamber Qafmollën, që vetëm sa ishte shpallur, por nuk e kishte ushtruar asnjëherë detyrën. Në vjeshtën e vitit ’43 e deri në fund të luftës, Nishani kryen disa funksione të rëndësishme në organizimet politike e ushtarake të Partisë Komuniste, duke u bërë një nga figurat kryesore të luftës, pas Enver Hoxhës.

Në Kongresin e Përmetit, më 24 maj 1944, u zgjodh kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar, që parakuptonte rolin e një kryetari të pashpallur shteti. Në tetor 1944, Nishani u emërua ministër i Jashtëm i Komitetit Antifashist Nacional Çlirimtar, organizëm ky që u vetëshpall “Qeveri demokratike”, detyrë që e ushtroi deri më 9 shkurt 1946. Në zgjedhjet e para të pasluftës, më 2 dhjetorit 1945, mori mandatin e deputetit në qarkun e Gjirokastrës dhe pas shpalljes së Republikës, më 11 janar 1946, u zgjodh President i Shqipërisë.

Pa dyshim ishte kjo një kreshendo me bekimin e Hoxhës, të cilit i bënte punë integriteti dhe njohjet e doktorit jo vetëm brenda vendit. Sidoqoftë, raportet mes tyre në rrugë e sipër nuk shkuan pa problem. Dy gjirokastritët e larguar herët nga vendlindja filluan të ndajnë mendime të kundërta për mënyrën represive të hapave të parë të regjimit. Ndërsa Hoxha operonte me mekanizmin e dhunës mbi kundërshtarët, doktori, i njohur për iluminizmin e skajshëm dhe natyrën humane, shtrëngohej t’i bindej jashtë vullnetit të vet.

Në këtë përdorje djallëzore, doktor Nishani në rolin e kreut të shtetit arriti deri aty sa të firmoste me dhjetëra dënime me vdekje për ish-miq e të njohur që kishin përqafuar alternativë tjetër nga ajo e Hoxhës gjatë luftës. Udhëtimi i përbashkët Hoxha-Nishani vazhdoi deri në verën e vitit 1951, kur Hoxha pensionoi doktorin e tejlodhur, si pjesë e një fushate për të shmangur qeveritarët e dalë nga lufta, të cilit dinin jo pak nga sekretet e tij. /Panorama/