Çelo Hoxha

Roli i organizatave jopartiake, si Lidhja e Shkrimtarëve, në kontrollin e të gjitha qelizave të shoqërisë shqiptare nga diktatori, i cili kontrollonte para së gjithash partinë

Dokumenti që botojmë sot zbulon skemën si PPSH kontrollonte të gjitha organizatat e tjera që më pas u konsideruan edhe leva të partisë. Skema është e thjeshtë: në të gjitha organizatat – Fronti Demokratik, Bashkimet Profesionale, Lidhja e Shkrimtarëve etj. – u krijuan grupet e partisë. Më vonë ato u quajtën organizatat bazë. Këto grupe kontrollonin gjithë veprimtarinë e organizatave. Në dokument qëllimi artikulohet qartë: “Detyra e grupeve të partisë, sikurse thuhet në Statutin e Partisë, është që të forcojnë influencën e partisë dhe të shpijen politikën e saj në një njerëzit pa parti, të forcojnë disiplinën e partisë dhe të shtetit, të luftojnë kundër burokratizimit, të kontrollojnë zbatimin e udhëzimeve të partisë”. Kjo metodë ishte përdorur që gjatë luftës, kur komunistët dërguan komisarë politikë pranë disa çetave të armatosura që ekzistonin, të cilat udhëhiqeshin nga njerëz me aktivitet kriminal në të shkuarën, si Myslym Peza, Mestan Ujaniku etj. Dokumenti është i vitit 1956.

DOKUMENTI

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

SEKRETARIATI I K.Q

                                   UDHËZIM

               MBI GRUPET E PARTISË NË ORGANET E ZGJEDHURA TË

               PUSHTETIT DEMOKRATIK POPULLOR DHE ORGANIZATAIV

                                SHOQËRORE

Në bazë të Statutit të Partisë që u aprovua nga Kongresi i III- të i P.P.SH. në të gjitha kongreset, konferencat dhe organet e zgjedhura të pushtetit demokratik popullor, të Frontit Demokratik, të bashkimeve profesionale, të kooperativave të artizanatit e të konsumit dhe të organizatave të tjera shoqërore, me përjashtim të Bashkimit të Rinisë së Punës, organizohen grupet e partisë.

Organizimi i grupeve të partisë duhet të fillojë menjëherë. Për këtë qëllim nuk është nevoja të bëhen mbledhje të posaçme, por të çfrytëzohet çdo mbledhje që do të kenë organet e zgjedhura të organizatave shoqërore ose të pushtetit. Kështu p.sh një ditë para se të mblidhet këshilli popullor i frontit etj. të mblidhen komunistët, që janë anëtarë të këtyre organeve dhe të formohet grupi i partisë.

Në mbledhjet e para të grupeve, të deleguarit e komiteteve përkatëse të partisë, t’u sqarojnë komunistëve detyrat e grupeve të partisë duke u mbështetur në Statutin e Partisë, në udhëzimet që jepen në këtë letër dhe duke i lidhur këto me dobësitë dhe të metat që ka në punë e komunistëve dhe në organin e zgjedhur në fjalë. Pastaj të zgjidhet sekretari i grupit të partisë.

Këto mbledhje mund të çfrytëzohen për të vënë në dijeni komunistët mbi çështjet që do të shtrohen në organin e zgjedhur mbi detyrat që duhen nxjerrë, duke marrë për këto çështje mendimin e tyre.

Organizimit të grupeve të partisë dhe funksionimit të tyre, duhet t’i kushtohet një kujdes i vazhdueshëm. Detyra e komiteteve të partisë është që mbasi të organizohen ato, të ndihmohen që të kryejnë mirë detyrat, të luftohet formalizmi në punën e tyre me qëllim që ngritja e grupeve të partisë të sjelli një përmirësim të dukshëm në punën e organeve të zgjedhura të pushtetit dhe të organizatave shoqërore.

Për rolin dhe detyrat e grupeve të partisë po japim këto udhëzime:

I.- Grupet e partisë ngrihen në organet e zgjedhura të pushtetit dhe të organizatave shoqërore, kur ka jo më pak se tre anëtarë partie. Ata formohen nga anëtarët dhe kandidatët e partisë, që janë zgjedhur në këshillat popullor, ose në organet udhëheqëse të organizatave shoqërore. Pra në grupet e partisë nuk marrin pjesë komunistët që punojnë në aparatet e pushtetit dhe të organizatave shoqërore në qoftë se ata nuk janë të zgjedhur në organet udhëheqëse. Kështu p.sh në grupin e partisë të këshillit popullor të rrethit hyjnë ata komunista që janë anëtarë të këshillit popullor, qofshin këta në aparatin e komitetit ekzekutiv, qofshin në fushat ose në sektorë të tjerë pune.

Grupet e partisë ngrihen:

a)    Në këshillat popullor të rretheve, të qyteteve, të qarqeve dhe në Kuvendin Popullor.

b)    Në këshillat dhe në konferencat e bashkimeve profesionale të rretheve, të qyteteve e të qarqeve; në këshillin qëndror dhe në kongreset e bashkimeve profesionale.

c)    Në këshillat dhe konferencat e rretheve, të qyteteve, të qarqeve të Frontit demokratik, si edhe në këshillin e përgjithëshëm dhe në kongresin e Frontit demokratik.

ç) Në këshillat e zgjedhura të bashkimit të kooperativave të artizanatit në qarqe, e në rrethe e qytete, në konferencat e bashkimit të artizanatit në qarqe, në rrethe e qytete, në këshillin e përgjithshëm të bashkimit qëndror dhe në kongresin e kooperativave të artizanatit

d)    Në asambletë e kooperativave të konsumit në rrethe, qytete ose qarqe, në këshillat e rrethet, qyteet ose të qarkut, në këshillin e përgjithëshëm e në kongresin e kooperativave të konsumit.

dh) Në konferencën dhe kongresin e Lidhjes së shkrimtarëve.

e)    Në konferencën dhe kongresin e Lidhjes së artistëve.

ë) Grupet e partisë mund të ngrihen kur shihet e nevojëshme në konferenca, kongrese e mbledhje të tjera të rëndësishme, siç mund të jenë kongresi i kooperativave bujqësore, ose konferencat me rëndësi, që thërresin organizatat shoqërore.

Siç shihet grupet e partisë ngrihen në ato organe të zgjedhura të organizatave shtetërore dhe shoqërore, në të cilat ka komunistë që nuk bëjnë pjesë në një organizatë bazë të partisë të vetme, ose në një sektor të vetëm, Nuk është nevoja p.sh të krijojmë grupe të partisë në këshillin popullor të fshatit, ose në komitetin profesional të ndërmarrjes, etj. Sepse komunistët e zgjedhur në këto organe, janë anëtarë vetëm të një organizate bazë. Duke qënë anëtarë të së njëjtës organizatë –bazë partie, ata vendosin atje për punën që do të bëjnë dhe si do t’i zgjidhin në organizatat shoqërore detyrat që shtron partia. Prandaj në praktikë, në këto kushte, është i panevojëshëm krijimi i grupeve të partisë.

2.- Detyra e grupeve të partisë, sikurse thuhet në Statutin e Partisë, është që të forcojnë influencën e partisë dhe të shpijen politikën e saj në një njerëzit pa parti, të forcojnë disiplinën e partisë dhe të shtetit, të luftojnë kundër burokratizimit, të kontrollojnë zbatimin e udhëzimeve të partisë. Në këtë mënyrë ata duhet të diskutojnë se si mund të kryhen më mirë nga organizatat shoqërore detyrat që shtron partia, si duhet të mobilizohen masat për zbatimin e këtyre detyrave, të luftojnë kundër svaritjeve dhe shkëputjes së organeve udhëheqëse të organizatave shoqërore nga masat kundër formalizmit në punën e tyre, kundër thyerjes së disiplinës dhe neglizhencave, në radhë të parë nga ana e komunistëve, që punojnë në organizata shoqërore dhe në organet e tyre udhëheqëse dhe të ngrenë vazhdimisht rolin e organizatave shoqërore, si leva të rëndësishme për lidhjen e partisë me masat.

Gjithë veprimtarinë e tyre grupet e partisë e zhvillojnë në bazë të vijës së partisë, të udhëzimeve dhe direktivave të organeve udhëheqëse të partisë. Ata nxjerrin detyrat nga vendimet e ndryshme të partisë, që kanë të bëjnë me punën e organizatave shoqërore ose shtetërore. Grupet e partisë mobilizojnë komunistët që të luftojnë në mënyrë aktive për zbatimin e këtyre detyrave dhe vënë para përgjegjësisë cilindo zvarisë ose neglizhon zbatimin e vendimeve të marra.

3.- Metoda e vetme e partisë në udhëheqjen e organizatave shoqërore dhe shtetërore është metoda e bindjes. Por të tërhequr nën influencën e partisë njerëzit pa parti dhe për t’i bërë ata që të mbrojnë dhe të zbatojnë gjallërisht vijon e partisë, grupet e partisë dhe çdo komunist duhet të zbatojnë me rreptësinë më të madhe metodën e bindjes. Ata duhet të argumentojnë plotësisht nevojën dhe domosdoshmërinë e zbatimit të detyrave që shtron partia, qëllimi i vetëm i secilës është rritja e vazhdueshme e nivelit të jetesës dhe të kulturës së popullit. Komunistët që punojnë në organizatat shoqërore e shtetërore, ose që janë zgjedhur në organet udhëheqëse të këtyre organizatave, nuk duhet të lënë mënjanë për asnjë çast punën bindëse skjaronjëse midis njerëzve pa parti, qofshin këta në organet udhëheqëse ose në organizatat bazë të organizatave shoqërore. Ata duhet të jenë të matur në diskutimet e propozimet e tyre, të kenë takt, të dëgjojnë me vëmendje propozimet e njerëzve pa parti, të inkurajojnë e të çojnë çdo punë të tyre, që ndihmon në zbatimin e vijës së partisë e në forcimin e lidhjeve të saj me masat. Në këtë mënyrë do të rritet akoma veprimtarija e njerëzve pa parti dhe do të forcohet më shumë roli udhëheqës i partisë.

4.- Grupet e partisë mblidhen sipas nevojës. Zakonisht ato mblidhen para hapjes së kongresit, konferencës ose organeve të tjera të zgjedhura të organizatave shtetërore ose shoqërore. Në këto mbledhje komunistët vihen në dijeni mbi çështjet kryesore që do shtrohen në kongreset, konferencat ose mbledhjet e tjera, mbi direktivat dhe udhëzimet e organeve udhëheqëse të partisë në lidhje me këto çështje, diskutojnë masat që duhet të marrin dhe kritikojnë dobësitë e të metat në punë. Në këto mbledhje sheshohen pikpamjet që mund të kenë komunistët në lidhje me zgjidhjen e detyrave të ndryshme, adaptohet nga ana e tyre një qëndrim i përbashkët, dhe në këtë mënyrë ata si një trup i vetëm luftojnë të gjithë për t’i tërhequr njerëzit pa parti nën influencën e partisë, duke i bindur ata mbi nevojën e masave që propozohen të merren. Edhe sikur të ndodhë që ndonjë ose disa komunistë të kenë mendime të ndryshme për ndonjë çështje, ata duhet që në kongres, në konferencë, ose në mbledhjen e organeve të tjera të zgjedhura, të luftojnë aktivisht në mënyrë që të adoptohet nga organet udhëheqëse të organizatave shoqërore, qëndrimi që ka mbajtur shumica e komunistave në mbledhjen e grupit të partisë. Kjo është një detyrë e çdo komunisti, që buron nga parimi i centralizimit demokratiknë parti.

Grupet e partisë mund të mblidhen kur është nevoja edhe në pushimet midis seancave të kongreseve, konferencave ose të mbledhjeve të tjera të organizatave shoqërore, mund të shqyrtojnë, po të jetë nevoja, propozimet që do bëhen për zgjedhjen e këshillave, kryesive dhe organeve të tjera ekzekutive, mund të përcaktojnë një qëndrim të përbashkët për çështje të caktuara etj.

Grupet e partisë mund të diskutojnë gjithashtu çështje që kanë të bëjnë me luftën kundër burokratizimit, çështje të forcimit të disiplinës së partisë dhe asaj shtetërore, ose për aktivitetin e komunistëve në organizatat shoqërore dhe shtetërore.

Në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që mbledhjet e grupeve të partisë të bëhen me bujë, t’u jepen rast bisedimeve pa rend ose më keq çfaqjeve që grupet e partisë të dalin mbi organet e zgjedhura të pushtetit demokratik popullor dhe t’ë organizatave shoqërore. Po kështu nuk duhet të ndodhë që të pritet të mblidhet një herë grupi i partisë pastaj të mblidhet organi përkatës i pushtetit dhe i organizatave shoqërore. Në qoftë se grupi i partisë nuk mblidhet në kohën e duhur e caktuar të organit të zgjedhur të pushtetit monarkik popullor ose të organizatave shoqërore dhe zhvillimin e rregullt të punimeve të tij.

Në zgjedhjen e çështjeve që do të diskutohen në mbledhjet e tyre, grupet e partisë, duhet të kenë parasysh problemet që do të shqyrtojë organi i zgjedhur i pushtetit demokratik popullor ose i organizatave shoqërore, zbatimin e përpikët të vendimeve të partisë, si edhe dobësitë e të metat që vërtetohen në punën e organeve të zgjedhura të pushtetit demokratik popullor dhe të organizatave shoqërore.

Diskutimi i problemeve të ndryshme në grupet e partisë, jo vetëm që nuk duhet të pakësoj ë pjesëmarrjen aktive të komunistëve në mbledhjen e konferencave, kongreseve, ose organeve të tjera të zgjedhura të organizatave shoqërore dhe shtetërore, por përkundrazi duhet të influencojë për një diskutim të gjallë dhe konstruktiv të problemeve në organet e zgjedhura të organizatave shoqërore dhe të këshillave popullorë.

5.- Grupet e partisë varen gjithmonë nga organi udhëheqës përkatës i partisë. Kështu p.sh grupi i partisë që ngrihet në këshillin e bashkimeve profesionale të qarkut, varet nga komiteti i partisë të qarkut, grupi i partisë që ngrihet në këshillin popullor të rrethit, varet nga komiteti i partisë të rrethit, grupi i partisë që ngrihet në Kuvendin Popullor, varet nga Komiteti Qëndror i partisë e kështu me radhë. Prandaj për organizimin e këtyre grupeve dhe për funksionimin e tyre duhet të kujdesen vetë organet udhëheqëse të partisë, nga të cilat varen grupet e partisë.

Asnjë lidhje ose vartësi nuk ekziston midis grupeve të partisë që ngrihen në instanca të ndryshme të një organizate shoqërore të caktuar. Në këtë mënyrë grupi i partisë të këshillit popullor të rrethit p.sh nuk ka asnjë lidhje me grupin e partisë të këshillit të qarkut. Po të ekzistonte një lidhje ose vartësi e tillë, ko do ta shpinte në spostimin e organeve udhëheqëse të partisë.

Grupet e partisë në kongreset dhe konferencat e ndryshme krijohen vetëm për kohën që vazhdon punimet kongresi ose konferenca. Kurse grupet e partisë që ngrihen pranë këshillave popullorë, të këshillave të organizatave të tjera shoqërore, vazhdojnë të qëndrojnë për të gjithë kohën që janë në fuqi organet e zgjedhura, pranë të cilave janë ngritur. Kështu p.sh grupi i partisë në konferencën e Frontit Demokratik të rrethit ngrihet vetëm për kohën që do të zhvillojë punimet konferenca, kurse ai që ngrihet pranë këshillit të frontit të rrethit, vepron deri sa të jetë në fuqi këshilli i rrethit, d.m.th. deri në konferencën e ardhëshme të Frontit.

Nga sa u tha më lartë kuptohet se komunistat që marrin pjesë në grupet e partisë, qëndrojnë gjithmonë efektivë të organizatave bazë të partisë ku punojnë. Atje ata bëjnë, si të gjithë komunistët, jetën e rregulltë të partisë;

Grupet e partisë nuk merren me çështje të pranimeve në parti. Me diskutimin e çështjeve personale të komunistëve, me dhënjen ose heqjen e masave ndëshkimore të partisë.

8.- Për drejtimin e punës, grupi i partisë, zgjedh sekretarin e tij. Zgjedhjet për sekretarin e grupit bëhen me vota të hapura. Rekomandohet që sekretari i grupit të jetë një nga shokët kryesorë të komitetit të partisë ose të organizatave shtetërore ose shoqërore, sepse ata janë më në korent të gjithë punës së këtyre organizatave dhe në lidhje të vazhdueshme me organin udhëheqës të partisë.

Kështu ai mund të zgjedhë më mirë çështjet, të cilat do të diskutohen në grupin e partisë dhe njeh më mirë aktivitetin e çdo komunisti të zgjedhur në këto organizata.

Këto janë çështjet kryesore që duhen mbajtur parasysh për organizimin dhe funksionimin e grupeve të partisë. Eksperienca në të ardhmen do të tregojnë më mirë se në ç’mënyrë të zbatohen në praktikë detyrat e grupeve të partisë dhe si duhen përdorur ato që të sigurohet me anën e tyre një forcim më i madh i udhëheqjes së partisë me këshillat popullore dhe organizatat shoqërore.

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT QËNDROR

TË PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

       ENVER HOXHA (firma)

(AQSH, F. 14, V. 56, D. 72)

Burimi: www.standard.al