Ish-Kapiteni i Përgjithshëm i Porteve, Osman Metalla, kujton momentet kur ka qenë në krye të këtij institucioni. “Natyrisht vitet ‘90 ishin vite të vështira, dhe mbaj mënd që në të shumtën e rasteve ne ishim në gatishmëri, pasi porti gjithnjë kërcënohej nga eksodet e ndryshme”. Momentet delikate gjatë trazirave të vitit 1997, kur porti mbrohej nga trupat komando. Deputeti i Durrësit kujton me nostalgji njerëzit me të cilët ka punuar për 5 vjet

Zoti Metalla, për 5 vjet keni qenë Kapiten i Përgjithshëm i Porteve në Durrës. Të jesh në kontakt me detarët dhe marinarët çdo ditë, a ka sodisfaksion? Çfarë kujtimesh ruan?

Në karrierën time profesionale kam bërë punë të ndryshme, por puna në kapitaneri, qoftë si inspektor i thjeshtë, ashtu dhe në pozitën e drejtuesit të këtij institucioni, për mua ka qenë dhe mbetet eksperienca më e bukur. Detarët janë njerëz të vështirësive, janë njerëz që përballen me detin. Kjo i bën ata njerëz më të fisëm, më bujarë, i bën të duan me shumë njëri-tjetrin dhe njëkohësisht të duan shumë edhe miqtë. Të kesh miq detarët, është jo vetëm një kënaqësi, por sigurisht dhe privilegj i madh. Unë fatmirësisht e kam patur këtë privilegj!

Përgjatë 5 viteve në këtë detyrë, a ka moment që ju kanë mbetur në mëndje, ngjarje të cilat janë shmangur, të tjera që kanë ndodhur?

Eksperienca ime në kapiteneri nuk i përket vetëm 5 viteve që kam qenë drejtues. Unë dëshiroj të them se gjatë këtyre viteve natyrisht që ka patur mjaft momente të vështira, ashtu sikurse kemi patur dhe momente të këndshme. Natyrisht vitet ‘90 ishin vite të vështira, dhe mbaj mënd që në të shumtën e rasteve ne ishim në gatishmëri, pasi porti gjithnjë kërcënohej nga eksodet e ndryshme.

Momente mjaft të vështira kemi kaluar gjatë trazirave të vitit 1997, ku unë dhe kapiten Hamdi Domi, si dhe gjithë personeli i kapitanerisë, u kujdesëm që ky institucion në asnjë moment të mos pushonte së funksionuari. Ishte puna me mjaft përgjegjshmëri i të gjithë efektivit të kapitenerisë së porteve dhe veçanërisht e kapitenerisë së portit të Durrësit, që në atë kohë u realizua me mjaft sukses nxjerrja e anijeve në radë në një kohë mjaft të shkurtër, duke evituar në këtë mënyrë ngjarje të cilat do të cenonin sigurinë e anijeve, jetën e njerëzve dhe vetë portin.

Për një farë kohe porti i Durrësit sigurohej nga trupat komando të cilat bënin detyrën e tyre, por që në fakt nuk e kuptonin se çdo të thoshte një port. Në një moment të caktuar, komandanti i portit (komandanti i trupave komando që kujdesej për sigurinë e portit në atë kohë) me thotë: e sheh, këmbë njeriu nuk ka në port! I them: nuk ka gjë më të trishtuar se të shohësh një port të vdekur, pa njerëz, pa lëvizje! Mirëpo ai ashtu e konceptonte portin, si të ishte repart ushtarak, ku nuk mund të hynte askush, këmbë njeriu dhe asnjë mjet.

Gjithsesi duhet thënë se porti i Durrësit është porti më i madh në vend dhe si i tillë është një port me aktivitet dhe lëvizje të konsiderueshme mjetesh, mallrash dhe udhëtarësh. Në këtë këndvështrim është i mbushur dhe me ngjarje të shumta. Kështu kemi pasur raste kur janë zhvilluar operacione të kërkim-shpëtimit dhe natyrisht kapiteneria ka patur një rol mjaft të rëndësishëm në koordinimin e veprimeve të mjeteve që merrnin pjesë në këto operacione.

I tillë për shembull ka qenë rasti i shpëtimit të një anijeje cisternë, e cila përfundoi fatmirësisht në batllat e Porto Romanos dhe ekuipazhi u shpëtua nga rimorkiatori “Dyrrah”.

Vitet e fundit pajisjet moderne dhe dixhitale që përdoren nga oficerët e kapitenerisë janë një ndihmë e madhe. Si veprohej më parë?

Në çdo kohë pajisjet bazë që përdor kapiteneria e portit janë pajisjet e komunikimit. Natyrisht që këto pajisje sa vijnë e modernizohen dhe sigurisht që kjo është një gjë mjaft e mirë, pasi lehtëson punën, rrit shkallën e sigurisë. Por dhe vite më parë pajisjet e komunikimit ekzistonin, ndonëse jo në këtë shkallë modernizimi.

Tashmë Kapiteneria e Përgjithshme e Porteve është e pajisur edhe me pajisje të tjera dixhitale, të cilat sigurisht që janë një ndihmë e madhe për të patur një pasqyrë më të plotë dhe vizive të portit dhe radës. Kjo ndihmon inspektorët e kapitenerisë që të vëzhgojnë më mirë. Pajisja e kapitenerisë me radar, AIS, GMDSS, NAVTEX, CCTV Camera, etj., ka bërë që kapiteneria të jetë e mirëpajisur, dhe më duhet të them se disa vite më parë pothuaj me përjashtim të radiove VHF ne nuk dispononim asnjë nga këto pajisje. Rritja e modernizimit duhet të çojë në rritjen apo përmirësimin e shërbimit dhe jo në kalimin në një lloj vartësie të njeriut nga teknologjia.

Tashmë kualifikimet e titullarëve të drejtorisë detare dhe të kapitenerisë, bëhen në vendet europiane, madje dhe në Amerikë. Por në Shqipëri vitet e shkuara, specialistët a ishin po me kaq kualifikime dhe të përgatitur si sot?

Pavarësisht të gjitha kualifikimeve që zhvillohen sot, unë dëshiroj të them dhe besoj se ndajnë me mua të njëjtin mendim dhe kolegët e mi që kanë studiuar në Akademinë e Marinës se kjo akademi, apo sikurse njihet ndryshe Shkolla e lartë e Marinës në Vlorë, ka qenë një nga shkollat më të mira në vend dhe programi që ne kishim në këtë shkollë ishte mjaft i plotë dhe njëkohësisht bashkëkohor, për kohën që flasim. Kualifikimet natyrisht janë të rëndësishme, pasi dhe zhvillimet në fushën e detarisë janë mjaft dinamike. Çdo vit hyjnë në fuqi konventa të reja, amendamente të tyre e kështu me radhë, kështu që trajnimet janë të rëndësishme për t’u njohur me këto të reja që hyjnë në fushën e detarisë.

Çfarë hapash duhet të ndiqen për standardizimin e legjislacionit me atë të BE-së?

Unë besoj se në të gjithë këto vite është bërë mjaft në drejtim të përafrimit të legjislacionit dhe nëse do të bënim një krahasim edhe me fushat e tjera, detaria është në pararojë të këtij procesi. Vetë fakti që detaria si legjislacion bazë ka konventat e IMO-s, ILO-s, apo të organizmave të tjerë të Kombeve të Bashkuara e bën legjislacionin detar lehtësisht më të përafruar. Mirëpo, nuk është problem përafrimi, por implementimi i legjislacionit dhe besoj se edhe puna e drejtorisë detare duhet të përqendrohet drejt implementimit të konventave apo të ligjeve të tjera. Për këtë është mjaft i rëndësishëm plotësimi tashmë i legjislacionit ekzistues me akte nënligjore, rregullore apo udhëzues të cilët do të ndihmonin ndjeshëm detaret, ekuipazhet, pronarët e anijeve në plotësimin e kërkesave të konventave detare dhe të legjislacionit në përgjithësi.

Cilët janë kapitenët që sipas jush kanë bërë historinë e kapitenerisë shqiptare? A është e nevojshme ngritja e një muzeu sado modest për të kujtuar specialistët e detarisë shqiptare, flotën e dikurshme apo edhe ngjarje të ndryshme?

Në etapa të ndryshme, njerëz të ndryshëm kanë bërë historinë e kohës së tyre. Unë do të gaboja nëse do të bija në kurthin e emrave, pasi në det çdo detar, në mënyrën e tij, është një personazh i historisë sonë të detit. Do të isha krejtësisht dakord që historia e detarisë të shkruhej, pasi është e rëndësishme që të gjitha këto gjëra që ne themi në mënyrë sporadike të grumbullohen dhe të krijojmë historikun tonë. Pse jo dhe muzeu është një ide mjaft racionale, pasi në të do të mund të pasqyrohej mjaft, do të pasqyrohej historiku i flotës, kantierit detar, peshkimit, kapitenerisë dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me detin.

/portali DurresLajm/