NGA PËLLUMB KULLA

PRANVERA E JETËS NË NJË SHKOLLË ARTI

Shënime:

Idesë së këtij shkrimi i dha shkëndijë kremtimi i 75 vjetorit të Robert Ndrenikës, elementit më të ndritur të asaj shkolle. Dhe më shumë se të një shkolle, unë mora përsipër të tregoj pjesë të jetës të grupit studentor, të njërit prej kurseve të para, e ndoshta të klasës më të shquar të shkollës “Aleksandër Mojsiu.”

Emra, emra, emra…

Shkolla e Lartë për Aktorë me emrin e Mojsiut, ajo që sot, përvijon të jetë fakultet, degë e Universitetit të Arteve, e mori udhën e saj të bukur në vitin 1959.

Armiqësia e radhës e Enver Hoxhës nuk kishte nisur të shfaqej ende, dhe ishte fat që nga Moska dhe nga strukturat pedagogjike të artit të shquar rus të aktrimit u dërgua pedagogia e njohur Nina Çefranova. Studiot mësimore të shkollës u hapën pranë Teatrit Popullor dhe të rinjtë e shumtë, që i tërhiqte magjia e skenës dhe ekranit, vërshuan atje t’i nënshtroheshin përzgjedhjes. I paharruari konkurs i parë nxori fitues elementë, që pastaj u bënë studentë të shkëlqyer dhe artistë të mëdhenj, si Bexhet Nelku, Edi Luarasi, Mario Ashiku, Serafin Fanku, Albert Verria…

Kursi ynë e nisi rrugën një vit më vonë, në gjurmët e të parit. U bëmë tok një grup, që i dha skenës dhe ekranit shqiptar aktorë dhe regjisorë që bënë emër në artin e interpretimit. Dhe për të më dhënë të drejtë në këtë vlerësim, do të rreshtoj këtu që të gjithë emrat: Robert Ndrenika, Viktor Zhusti, Vladimir Prifti, Shpëtim Shmili, Antoneta Papapavli, Vera Zheji, Bukuroshe Kokalari, Adem Gjyzeli, Ali Bega, Kadri Piro, Tonin Ujka, Kristo Jorgji, Ibrahim Bërdaku, Sandër Pogaçe, Thoma Milaj, Vasil Kokoshari, Mit’hat Fagu, Xhelal Bilali, dhe i nënëshkruari, Kulla… Tok në një kurs, për katër vjet!

Ne, dhe pas nesh, studentët që ato vite ndoqën mësimet në ndërtesat e Teatrit Popullor, kishim privilegjin të vërtiteshim në oborrin e atij teatri, uleshim pinim kafe në klubin e brendshëm, bri më bri me idhujt tanë të ndritshëm. Për të shijuar afërsinë me ta, edhepse me shkrepse në xhepa, ndiznim cigaret me zjarrin e cigareve të tyre. Na pëlqente marrëzisht vendimi I shkollës që të luanim si figurantë në shfaqjet pranë këtyre kolosëve, brezit të artë të aktorëve, Kadri Roshit, Naim Frashërit, Mihal Popit, Prokop Mimës, Loro Kovaçit, Sul Pitarkës, Marie Logorecit, Besim

Levonjës, Drita Pelinkut, Violeta Manushit, Margarita Xhepës, Viktor Gjokës… Mjeshtërinë e aktrimit dhe të regjisë na e jepnin pedagogët më të mirë të historisë së shkollës. Më pas, për shkak të prishjes së marrëdhënieve shtetërore me Bashkimin Sovjetik, pedagogia ruse u largua, por ata që mbetën ishin nga më karizmatikët të angazhuar në praktikën teatrale, duke dhënë veprat e tyre kulmore.

Në atë kohë Luarasi realizoi “Dhelpra dhe rrushtë”, Spahivogli “Shtëpia në bulevard”. U vunë në skenë “Hamleti”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Karnavalet e Korçës”. Regjisorë më të rinj, që më vonë u bënë dhe ata pedagogë, Esat Oktrova dhe Piro Mani, sapo kishin mbaruar studimet jashtë dhe sillnin nga Korça dhe Shkodra vepra si “Hijet e natës” dhe “Pamje nga ura”, “Histori Irkutase” në të cilat shkëlqenin emra të mëdhenj të aktrimit, Tinka Kurti, Pandi Raidhi…

Bujtja pranë atij tempulli e dha padyshim ndikimin frymëzues dhe shpirtëror tek studentët e shkollës. Nëse shfleton albumet e kurseve që ndoqën atë tonin, do të gjesh jo pak nga ata që shfaqnin që aty shenjat dhe u bënë vërtet artistë të shquar. Menjëherë në kursin pas nesh do të gjesh emra të njohur: Rikard Ljarja, Vaçe Zela, Leka Bungo, Reshat Arbana… Në një kurs pas tyre, vinin Vangjush Furxhiu, Agim Shuka, Muharem Fejzo… Dhe kursi i fundit që ne lamë atje pas marrjes së diplomave tona kishte në gjirin e vet Bujar Kapexhiun, Guljelm Radojën, Fatos Haxhirajn, time shoqe Xhuljetën, Skënder Calën dhe plot të tjerë…

Më pas shkolla u zhvendos dhe zuri vend në kompleksin e fundit të bulevardit, pranë korpusit qendror të Universitetit, aty ku është edhe sot. Por kronika ime, me historinë dhe emrat e parë mbaron këtu. Veçse ia vlen të shkruhet nga të tjerë rrjedha e historisë së saj, e pasuruar me tërë ata emra mbresëlënës të mëvonshëm, që i meritojnë vendet në tabelën e artë të asaj shkolle, e falë i qofshim Zotit!

Por unë e nisa shkrimin me dëshirën të fokusohem në kursin nga doli Roberti…

Roberti dhe shokët e tij

Ëndrrat nuk krahasohen. Sidomos mes brezash që i ndajnë shumë dhjetëvjeçarë dhe sisteme shoqërorë të ndryshëm. Nuk dij sa të përshkënditura i kanë ëndrrat të rinjtë e sotëm, kur shkelin për herë të parë prakun e shkollës së artit, por kujtoj se në vitin e parë ne ecnim përmbi re. Bile vlen të thuhet se ne kurrë nuk kemi qenë artistë më të lavdishëm se në muajt e parë të vitit të parë.

Ne nuk rrinim dot pa vënë re zilinë me të cilën na vështronin bashkëmoshatarët, bile qoftë edhe ata që ndiqnin degë të tjera të universitetit. Aq më tepër kur ata mbushnin sallën e teatrit dhe na shquanin neve, edhe më me zili akoma, në skenë, bri aktorëve tanë të famshëm, në episode dramatike të Hamletit, ku ne na angazhonin si figurantë, të veshur me kostume fisnikësh të mesjetës, për të bërë një korale “oooooh!” kur heronjtë ndesheshin me shpata, apo për t’i sjellë me përulësi një gotë ujë Mbretit Klaud.

Natën tjetër moshatarët tanë shquanin me zili kostumet e bukura të malësorëve të veriut dhe brenda atyre kostumeve, ne, djemtë e kursit, që po nisnim rrugën e përjetësisë, si pjesëtarë të gardës së Skëndërbeut tek drama e Sul Pitarkës. Paçka se nuk kishim asnjë fjalë më shumë se përsëritja tri herë në kor “na pri, o Gjergj, na pri!”.

Dhe siç e do jeta reale njerëzore, pas vitit të parë, në vitet e mëvonshëm ne shfryheshim dalëngadalë, zbrisnim nga retë, lodheshim me provat, dëshpëroheshim nga qortimet dhe vite më vonë akoma shfrynim kur na pyesnin me kërshëri a do t’u jepnim profesionin tonë ndonjërit prej fëmijëve.

“Bah, kurrë! Ta dinim kështu…!” – shpreheshim duke qenë të sigurtë se këtë do t’ua thonim edhe fëmijëve dhe duke shpresuar se ata do të na dëgjonin.

Por megjithkëtë kujtojmë me nostalgji kalërimin mbi ëndrra të vitit të parë. Më duket sikur e dëgjoj akoma babain kur pyeste mamanë me zë të ulët ndërsa unë afër mbrëmjes bëja varavingot e përgatitjes për të dalë nga shtëpia drejt teatrit.

“Ku po shkon ky?”

“Atje. Ka shfaqje.”

“Prapë ka Hamletin sonte ky?!”

Nuk dija nëse në atë kohë edhe në shtëpinë e Naim Frashërit, që kish rolin kryesor, zhvillohej ky dialog, por jam i sigurtë që në ato çaste Shekspiri kthehej përmbys në varrin e tij të shenjtë.

Kjo lloj shkolle është me siguri e vetmja, ku studentët vuajnë që në muajt e parë nga plagët e egra shpirtërore të xhelozisë, vuajnë suksesin e tjetrit, bukurinë e tij fizike, zërin, sharmin. Të gjithë i patëm këto vuajtje por mund të them pa lëkundje që grupi ynë pati një shoqëri të shëndetshme, një miqësi produktive, të frytshme. Unë nuk di të kem parë dhe dëgjuar mes nesh zënka, grindje, përleshje, shkëmbime fjalësh të ashpra. Edhe këtë mund ta shtrij deri në ditën e sotme, teksa po shkruaj këto kujtime.

Ne vërtet nuk u bëmë të gjithë aktorë kopertinash, por teatrit dhe filmave u kushtuam tërë zjarrin e pasioneve tona. Nga ne ishin disa që provuan regjisurën dhe pedagogjinë. Për periudha jo fort të gjata Roberti dhe Tonini mbajtën detyrën e drejtorit të Teatrit Kombëtar. Unë u angazhova gjatë me regjinë dhe repertorët e estradave, solla miell për magjet e teatrove, televizionit dhe kinostudios, përveçse për ca kohë mbajta postin e dekanit të fakultetit të dramës.

Kam kënaqësinë të them se që të gjithë shokët e kursit më kanë qenë veçeveç bashkëpunëtorë, o në rolet e krijuar letrarisht nga unë, o në punët e mia regjisoriale. Kristoja shoku im i mirë i bangës gjatë të katër viteve, ishte nga të vetmit që nuk bashkëpunoi me mua, por ai u ngjit e mbuloi për një kohë të gjatë postin e Drejtorit të Drejtorisë së Arteve në Ministrinë e Kulturës dhe unë do t’i kujtoj me mirënjohje përpjekjet e tij të mëdha, të përfunduara me sukses, për të më rikthyer të drejtën e botimit dhe të publikimit, që ma patën hequr për një periudhë të gjatë.

Ky lloj kameratizmi ishte një nga produktet më të çmuara që gëzuam ne, shokët e kursit të Robertit.

Djem të pashëm, vajza plot hir

Por shoku i klasës, sado shok, nuk mund të mos kishte cmirë zërin e bukur të Zhustit, shqiptimin e tij të pastër e të kthjelltë, gjallërinë e syve të tij, bukurinë mashkullore që Viktori e ka të patrazuar edhe tani, kur i ka kaluar të shtatëdhjetat e jep shënja se do të ruajë jetëgjatësisht pamjen e një plaku të bukur. Ai atëherë ishte më i preferuari i pedagogëve, vajzat kishin dëshirë ta kishin në skenat e tyre të provimeve të fundvitit.

Krahasoni se sa pak rëndësi ka kush është më i pashëm dhe flet më rrjedhshëm, psh, në fakultetin e inxhinjerisë! Janë cilësi që nuk hyjnë në punë në karrjerën e inxhinjerit, mjekut apo juristit. Ndërsa rekuizitat fizike të mashkullit apo të femrës tek ata që i kushtohen skenës, janë lënda bazë për ndërtimin e jetës, rangut artistik, popullaritetit, magjisë. Ato prodhojnë thirrje admirimi, duartrokitje.

Do të pajtoheshe se s’bën me portretin e hijshëm të Ndrenikës, me plastikën e mrekullueshme të Shpëtimit, me fytyrën ëngjëllore të Bukuroshes, me devotshmërinë studentore të Bërdakut, me zërin e ngjeshur solemn të Verës, e cila ishte folësja kryesore e Radio-Tiranës, me elegancën e Sandrit, kulturën muzikore të Ali Begës, me buzëqeshjen e Kadri Piros, me temperamentin e Gjyzelit …

Që këtej, që nga këto cilësi niste ndarja e roleve të heronjve dhe heroinave. Ju i keni përpara syve tiparet e bukura të Robertit tek “Koncerti ‘36” apo qoftë edhe tek “Prefekti”. Mua me Bertin më bashkonin shumë gjëra: të dy ishim banorë të Tiranës, të dy ishim me përbërje politike jo fort të përshtatshme dhe për këtë, që të dy vazhdonim studimet me shpenzimet e prindërve dhe megjithë trokitjet tona të panumërta nëpër zyra, mbetëm pa bursë nga shteti. Ne rrinim tok gjithë ditën duke sajuar shaka dhelpërore, por rolet më të mira natyrisht do të shkonin tek ai. Dhe shoqëria jonë, apo puset tona të fantazisë nuk hynin aq në punë për trajtime të njëjta.

Mua më duhej të zhvilloja zotësi të tjera. Ne me Bertin patëm rastësisht edhe një lloj “baxhanakërie”, se në mbyllje të vitit të fundit i zgjodhëm shoqet e zemrës, nga i njëjti kurs, nga ai më i riu, me dy vajza që sapo kishin filluar tek ne vitin e parë. Dhe lidhëm vërtet jetët tona me to. (Pas vitesh, e ndjera Poli, iku e goditur nga një sëmundje e rëndë që e bëri të vuajë gjatë. Tok me të vuajti dhe shoku ynë i vyer që edhe në lëngatën e gruas së tij të shtrenjtë, dha një shëmbull të rrallë përkushtimi bashkëshortor duke braktisur për afro tre vjet aktivitetin skenik).

Po le ta lemë këtë notë të trishtë dhe të rikthehemi aty në vitet e shkollës. Pasi ishim martuar, dhe bërë me fëmijë, shoqet tona na patën zbuluar një hollësi interesante të përkimit të fateve njerëzore. Na treguan se qyshkur ne ishim në vitin e parë të shkollës dhe ato të dyja ishin ende në Liceun Artistik “Jordan Misja” tok me shoqet e klasës erdhën me pedagogët e tyre si bujtëse në provimin tonë të fundvitit. Ishte lënda kryesore, ajo e mjeshtërisë aktoriale. Sejcili nga ne studentët dilnim në skenë individualisht me nga një etyd të punuar me kujdes, ku vepronim si aktorë pa fjalë. Etydet ishin të shkurtër por interesantë.

“Shtrigat” e vogla të Liceut nuk u mjaftuan me marrjen e përvojës që do t’u duhej pas ca vjetësh kur të vinin në shkollën tonë, por nisën ta shohin provimin edhe duke zhvilluar heshturazi një lojë vajzash. Ato përfytyroheshin nuse dhe patën caktuar radhë për të zgjedhur dhëndurë nga rreshti sipas të cilit shfaqeshim ne njëri pas tjetrit në skenë. Në këtë mënyrë ato ia shtuan vetes tiktaket emocionale, duke pritur nga ky provim se cilin nga djemtë do t’u kishte ruajtur fati! E fatet e tyre shfaqeshin radhë-radhë sipas listës që patën hartuar pedagogët tanë. Edhepse ato realitete nuk u bënë kurrë, duke qeshur, shoqet përgëzonin dhe uronin njëra tjetrën me pëshpërima, pa prishur qetësinë e provimit.

Veç dy prej tyre u bashkuan vërtet me djemtë që u caktoi fati në atë skenë studentore.

Në radhën e Poliksenit, shoqet shikonin sa atë aq edhe studentin që do të shfaqej. U hap perdja dhe në mes të skenës u gjend Berti!

Poli buzëqeshi ndërsa shoqet ofshanë nga zilia dhe kënaqësia për fatin e saj. Deri atë çast Berti përbënte kuotën më me vlerë të kësaj llotarie njerëzore. Pas tij qëlloi që të isha në program unë, kurse në sallën vogël shoqet ia kishin ngulur sytë Xhuljetës, e cila kishte radhën dhe po provonte emocionet sikur kjo të mos ishte thjesht një lojë.

Perdja u hap ngadalë dhe u shfaqa unë!

Më treguan që vajzat, me takt, e kishin fshehur zhgënjimin. Xhuli më tregoi se vetëm njëra, i paskej thënë: “Hajd, o Xhuli, mos u mërzit,. Fundja edhe ky nuk është për të vënë ulurimën. Hë, mi, se lojë është!”

Që nuk ishte fare-fare lojë duhej të kalonin tre vjet. Kur njëherë ime shoqe u zemërua keq me mua, për ta zbutur, unë provova t’i them se atë ditë fatale, profesor Spahivogli në program, pas Robertit, kishte vënë etydin e një shoku tjetër, por ai u sëmur dhe në rreshtim më ngjitën mua. Tregimi im e zbuti dhe ajo nisi të luante kureshtaren e etur, duke më kërkuar me ngulm:

“Vërtet?! Kush? Kush ishte ai? Ama, kushdo që të ishte…” psherëtiu. “Gjithsesi, më i mirë se unë do të ishte!” plotësova me mend.

Por me gojë i ktheva diçka të thartë:

“E vërteta, moj zonjë,” i thashë, “është se dikush e pat sjellë sekretin tuaj tek ne dhe kur u muar vesh se cila nga ju kishte radhën për të zgjedhur, ai shoku u shti i sëmurë. Gjysma e shokëve të kursit nuk deshin të ishin pas Robertit. Fati i atij që u bë i sëmurë, erdhi e më ra mua!”

Ajo ia plasi gazit dhe nisi të më godiste me grushta në kurriz.

Humori, gjëndja jonë e avulluar

Për të treguar sensin e përgjithshëm të humorit që e dallonte kursin tonë, mjafton të tregoj një episod me kolonelin, pedagogun e edukatës ushtarake, kur ai na përgatiti për një anekdotë.

Kishte qëlluar që dhoma e klasës tonë kishte prapa shpinave tona një derë jofunksionale që ishte e mbërthyer për të mos u hapur dhe që përbënte “murin” më të hollë që na ndante me klasën e Rikardit dhe të Leka Bungos.

“Do t’jua tregoj atë anekdotë,” na tha koloneli, “veçse ajo të mbyt nga të qeshurit, kështuqë ju duhet të përmbaheni pak, sepse në klasën tjetër, përtej asaj derës atje, bëhet mësim. Ne nuk duhet t’ua prishim atë.”

Kuptohet vetvrasja që bën një njeri kur paralajmëron suksesin e asaj që do të thotë. Oficeri i vjetër e tregoi anekdotën që premtoi, por ajo ishte larg nga reklama që iu bë. Përveç kolonelit vetë, asnjeri nga ne nuk qeshi, por kësisoj e vumë atë dhe veten në pozitë të vështirë.

Ama, ishte vërtet e pabesueshme, kur në të njëjtën të dhjetë sekonde, sikur të ishim porositur, sikur të paskëshim bërë prova më parë, që të gjithë kthyem kokën pas dhe vështruam nga dera që na ndante me klasën që zhvillonte mësim! Dhe po njëkohësisht me fytyra të pafajshme u kthyem nga pedagogu ushtarak, si për t’i shpjeguar që ishte ajo që pengoi buçimën e të qeshurave tona.

Për mua ka mbetur e pashpjegueshme se si dy shokët tanë, Vladimir Prifti dhe Misha Fagu, të dy me ndjenja të holla humori, bënë regji filmash dhe asnjëri nuk lëvroi kinokomedinë. Roberti përshëmbull pati mjaft komedi në repertorin personal, në përputhje të plotë me parapëlqimet e tij.

Nga goja e tij rridhnin jo vetëm fraza autorësh por edhe batuta të mprehta të humorit vetjak. Një ditë dekani na mblodhi dhe kërcënoi se do t’u pritej bursa atyre që do të mungonin në mësim, siç ndodhte kur nga radioja shtetërore apo nga kinostudioja vinte ndonjë ofertë joshëse dhe ne braktisnim mësimin. Unë u kujtova dhe në heshtjen e përgjithëshme thashë një batutë naïve:

“Ne jëmi nja dy vetë, që …nuk kemi bursë.”

Dekani u përtyp si i zënë gafil. Berti nuk e humbi rastin.

“Ja për këtë ia vlen të përpiqet dhe dekanati. Të na jepet bursa edhe neve. I bën mirë disiplinës!”

Aty jeta e përditshme, daç mësimi, daç pushimi mes orëve, apo daç edhe mbrëmjet në skenë, kur ne përdoreshim në tablotë masive dukej si e përshkënditur nga humori. Ne na mrekullonin aktorët e vjetër, jo vetëm me rolet para publikut, por edhe me jetën e tyre të dytë, atë të padukshmen. Një herë Prokop Mima pat harruar në kabinë çadrën e shiut dhe të nesërmen e gjeti që komisioni i inventarit ia kishte listuar si pronë të teatrit. Dhe për shkaqe burokratike nuk e rimori për ca ditë. Kjo u bë gazi i oborrit, aq sa aktorët që pas shfaqjeve vonoheshin më shumë se të tjerët në fshirjen e makiazhit, Besim Levonja i këshilloi të shpejtonin se mund të përfshiheshin në inventar dhe nuk do t’u ktheheshin më grave të tyre!

Edhe Bexhet Nelku sillte me bollëk gaz teksa imitonte në mënyrë të përkryer artistët e teatrit. Atij iu dha rasti nga krijimi i një rrethane të artë për një shakaxhi: dy kabinat e nevojtoreve të vetme në korridorin lart, ndodheshin shpesh të zëna nga studentët që ishin shtuar së tepërmi.

Kështuqë dekani urdhëroi vajzat dhe djemtë e shkollës të përdornin vetëm ato poshtë, në fund të oborrit. Ato lart duhet t’u liheshin vetëm aktorëve dhe administratës. Për këtë u vunë tualeteve kyçet dhe brënda zyrës së dekanit, sapo hyje tek dera, u varën çelësat. Përfytyroni aktorët e mëdhenj dhe seriozë të imituar nga Bexheti, tek vinin e përshëndesnin me buzëqeshje, apo me solemnitet dekanin dhe merrnin çelësin që e kthenin pas disa minutash.

Nganjëherë komizmi i Nelkut merrte zhvillime marramendëse, sidomos kur fuste në lojë ngutjen e hallexhinjve, ose kur sajonte brenda zyrës së dekanit praninë e ministrit apo të ndonjë anëtari të Komitetit Qendror. Pastaj, zgjidhte të imitonte Mihal Popin apo Kadri Roshin, që vinin për çelësin dhe përshëndesnin me nxitim titullarin e lartë, i cili i vononte me komplimenta dhe atyre nuk ua kishte qejfi.

Vetë natyra e lëndëve të mjeshtërisë tek ne ishte interesante dhe sillte çaste të gëzueshme, të paharruara. Aq më tepër që ne kishim rast të shijonim edhe sensin e humorit të pedagogëve tanë të rrallë. Ishte përditë e pranishme e qeshura e zhurmshme e Kujtim Spahivoglit, ironia e mprehtë e Mihal Luarasit dhe humori i shtruar i Andon Panos.

Një ditë teksa zhvillonim provat e dramës së Naum Priftit, “Rrethimi i bardhë” me ngjarje të vendosura mes malesh, pedagogu Spahivogli i bënte vërejtje Ibrahim Bërdakut që ulej pranë të fejuarës të trishtuar, që e lunate Antoneta Papapavli. Djali nuk e sillte vajzën e tij në gaz dhe nuk ia përzente trishtimin. E përsëritën disa herë skenën. I pakënaqur pedagogu na dha pak pushim. Pas pushimit Spahivogli u muar përsëri me atë skenë.

“Dëgjo, djalë,” i tha Ibrahimit. “Ajo është e fejuara jote. Ti nuk je fare aktiv. Është njeriu yt më i dashur… Kupton? Afroje në krahët e tua. Pa droje, siç ndodh në jetë. Përkëdhele, more djalë! More, puthe, e kupton? Puthe!”

Ibrahimi i gjorë, një nga djemtë tanë më simpatikë, ishte dhe nga më të drojturit që kishim në kurs. Në atë kohë puthja në skenat dhe filmat tanë ishte e papraktikuar. Ishte, si të thuash, një tabu. Dhe këtë tabu duhej ta thyente djali më “namuzqar” i klasës!

“Natyrisht, Neta, nuk do të të lejojë ta puthësh, nuk do të të lerë deri aty,” e kuptoi drojën Kujtim Spahivogli. “Por ti nuk ke arsye të mos shkosh drejt buzëve të saj. Hajdeni pra, hypni të dy në skenë!”

Ibrahimi shkoi kokëulur drejt skenës. Neta që ishte ulur pranë nesh vuri shallin në qafë. Roberti i pëshpëriti shoqes ngadalë: “Lere të të puthë për hatrin tim, Neta!” Ajo qeshi dhe më pa mua. “Dëgjo Bertin!” mbështeta edhe unë me zë të ulët. Buzëqeshur, Antoneta u ngjit në skenë. U ul në stolin para dekorit të fjetores së punëtorëve dhe priti të fejuarin. Bimi erdhi, u ul pranë saj dhe i përkëdheli flokët.

“Ç’është ky trishtim, e dashur?!” e pyeti, sipas tekstit të dramës, me qortim.

E ngjeshi pranë vetes dhe afroi buzët tek buzët e saj. Këtë çast po e prisnim të gjithë. Dhe të gjithë neve nuk na u duk aspak çudi që Ibrahimi ynë e ndërpreu lojën dhe u kthye nga ne që ishim rreth profesorit. Dhe u ankua:

“ Po kjo po më le, o profesor!”

E qeshura e Kujtimit buçiti gjatë.

Por pedagogu ynë i shtrenjtë nuk ishte i qeshur aspak dy ditë më vonë, kur në po këto rrethana mes malesh ku zhvillohej drama, po shpjegonte diçka me zërin e trashë, që atë ditë e kishte të ngjirur. (Kujtimi ishte tifoz pasionant i futbollistëve të Tiranës dhe nganjëherë nuk e frenonte veten). Zërin e tij të çjerrë ne e kishim dëgjuar edhe pak më parë, kur po e qortonte mënjanë Ndrenikën.

Nuk e morëm vesh se përse ishte fjala, por vumë re që Berti qëndroi i mënjanuar dhe gojëkyçur gjatë gjithë mësimit. Profesori mundohej të shpjegonte atmosferën e kantierit, rrihte të sillte sensin e lartësive, praninë e shkëmbinjve. Lad Prifti do të vinte duart rreth gojës dhe do të lëshonte një “Ooooo!” të zgjatur, kurse Vasili do të imitonte jehonën që vinte nga përplasja e zërit të Ladit me shkëmbinjtë: “Ooooo!”

“Por ajo duhet të jetë sa më e zgjatur dhe jehona e saj po aq e zgjatur dhe e ngjashme!” nënvizoi profesori dhe aty për aty, megjithë ngjirjen e tij, iu shkrep të demostronte. Vuri duart rreth gojës: “Oooooooo!” ia bëri.

Ishte një brohorimë e ngjirur, e shëmtuar!

Vasili u bë gati ta imitonte, por befas i fjeturi i deriatëhershëm, Robert Ndrenika, e shtyu tutje Vason dhe mori përsipër ta bënte jehonën ai vetë: “Oooooooo!”

Dhe e bëri po aq të ngjirur. Po aq të zgjatur. Dhe natyrisht, po aq të shëmtuar, sepse për atë dhe ishte ngritur.

Ne gati shpërthyem në të qeshur, por na ndali fytyra e mvrojtur e profesorit.

“Ndrenika, dil jashtë!” e urdhëroi Bertin.

Shoku ynë u nis i bindur drejt portës, por pas disa hapash qëndroi.

“Mua m’u duk se e bëra mirë, profesor!… Po njësoj… Të ngjashme ishin…”

“Prandaj po të nxjerr,” iu përgjigj Kujtimi.

Pastaj kur mbaruam dhe dolëm, Berti po na priste në oborr. Kujtimi tani ishte zbutur. I hodhi krahun në qafë dhe lëshoi të qeshurën e tij të njohur. Nuk e fshihte ngrohtësinë për studentët, Kujtimi. Veçanërisht për Robertin, për talentin më të spikatur që premtonte një të ardhme të ndritur.

Dhe që ia mbajti premtimin pedagogut të paharruar.

Ishin këto ca shënime të ruajtura nga vitet e pranverës së jetës. Dhe vështirë të ketë pasur stinë më të bukura se ajo pranverë jonë, në atë shkollë arti, mes monumentesh të gjallë.

Burimi: Panaroma