Nga Ilia Terpini

Në fakt, me Yllkën ishte krejt rastësi. Kishte nisur kërkimi për një rol të vogël, atë të Almës, vajzës së doktorit te filmi “I teti në bronz”. Shëtita nëpër disa gjimnaze të Tiranës dhe fotografova rreth 60 vajza të reja për të përzgjedhur. Atë vit, në mos gaboj, 1963, organizohej edhe spartakiada e parë shqiptare në stadium. Aty kishe mundësi t’i vlerësoje vajzat më mirë sepse ishin edhe të zhveshura. Ende pa gjetur Yllkën, një ndër vajzat që fotografova në spartakiadë ishte Pranvera Hoxha.

Unë natyrisht që nuk e njihja dhe e pyes për emrin. Pasi ma thotë, e pyes sërish se e kujt ishte. Kur më thotë edhe për të atin, unë stepem, megjithatë i shpjegoj arsyet pse po bëheshin këto foto dhe i them se do ta njoftoja më vonë nëse do të përzgjidhej. Në fillim nuk e mendova kaq prerazi se nuk mund ta merrnim. Lava fotografitë dhe ia tregova regjisorit, Viktor Gjikës. Njësoj si unë, edhe atij i ngelën sytë te Pranvera, por kur i thashë se si ishte puna, ishte ai që e preu pa e diskutuar fare.

Deri atë kohë, as ai nuk dinte gjë, por hamendësoi se nëse e merrnim Pranverën për rolin, gjatë xhirimeve që na duhej të rrinim për një kohë të gjatë në Korçë, ajo, edhe prej moshës së re, 17 vjeçe, mund të dashurohej me ndonjë atje. Nëse kjo ndodhte, burgu ishte masa më e lehtë që ne të gjithë parafytyruam. Kështu që, tha, as mos e zë në gojë këtë punë. E takoj sërish pak ditë më vonë dhe gjithë entuziazëm, e kishte me shumë qejf atëherë këtë përvojë.

Më thotë se kishte folur me babin dhe se ai i kishte dhënë leje. Priste vetëm përgjigjen tonë. Viktori as që e diskutonte. Leja ishte për t’i bërë qejfin së bijës, sepse ai e dinte që s’do të guxonte njeri ta përfshinte në këtë film. Pas saj gjetëm Yllkën. 3 ditë përpara se të nisnim xhirimet shkova në një aktivitet në Teatrin e Operës dhe aty pashë Yllkën. Duhet të ketë qenë 15 vjeçe. I them sime shoqeje “kjo është Alma”, duke përmendur emrin e personazhit. Afrohem, i shpjegoj rastin dhe e ftoj të vijë të nesërmen në Kinostudio.

Viktori në fillim tha se tashmë ishte gjithçka gati e nuk mund të ktheheshim pas, por pasi e pa Yllkën, nuk bëri asnjë fjalë. Na u desh të ndryshonim edhe kostumin, ta qepnim sërish, sepse ishte vajzë e imët, ndryshe nga ajo që kishim përzgjedhur më parë. Kështu, me atë rol, Yllka Mujo nisi të bënte aktoren.

Burimi: Panorama.com.al