Nga Namik Mehmeti, Firenze

Në lagjen Parrucë, të qytetit të Shkodrës, jo larg burgut të madh të qytetit, shtëpia ku ne jetonim ishte me përmasa të mëdha, dhoma, soba, hajate, kuzhina dhe oborr, kopsht me pemë e lule. Me burgosjen e babait tonë, Komiteti Ekzekutiv i asaj kohe, e kishte pikë preference që në dhomat e boshatisura, të u jepte fletë bllokimi oficerëve të Sigurimit, të Ushtrisë, apo dhe civilëve që vinin me punë nga jugu i Shqipërisë, në veri të saj.

Baba, Et’hem Rrema (Mehmeti) ishte i dënuar si “Ar, mik i Popullit” me 10 vjet burg politik, vetëm pse kishte shërbyer si nënpunës (prefekt, kryetar komune etj), duke vuajtur dënimin nga 19 janari i vitit 1945, deri më 19 janar të 1953-it, duke përfituar dy vjet falje.

Gjata kohës që baba ishte në burg, nëna jonë Laja, duhej të përballonte jo vetëm rritjen e tre djemëve, (Skënderi, Namiku e Reshati), më i madhi atëherë 6 vjeç, e më i vogli 2 vjeç, por dhe të punonte për të siguruar jetesën, për të na ruajtur nga vetmia, (pasi të afërmit kishin frikë të afroheshin), të ndiqte bashkëshortin e saj në kampet e punës, Maliq apo Beden të Kavajës.

Jetesa jonë u bë disi me e sigurtë kur erdhi të jetojë me ne daja, Haki Ulqinaku, që ishte në shënjestër si tregtar e pronar anije, duke hyrë e dalë në portet e Italisë, deri në ardhjen e komunistevë në pushtet.
Ne tre vëllaznit, kur filluam të shkonim në shkollë, fjalën burg e mësuam së bashku me fjalët e para të abetares, pasi në shtëpi mungesa e babës, justifikohej nga nëna me fjalën burg. Dhe aq më tepër, kur ajo na merrte me vete në ditët e takimit një herë në muaj.

Duke u rritur, u mësuam të shkonim në ditët e caktuara në dyert e burgut, për t’i dërguar babës ushqimet dhe ndërresat (veshmbathjet), duke provuar edhe ne, fëmijët, torturën e orës së marrjes në dorzim nga polici, për orë të tëra dhe acarin e erës e murlanit. Gjyshja, nëna, kur i kërkonim të mësonim diçka pse ishte baba në burg, pasi disa komëshi,(nga familje komuniste), na quanin: ” fëmijët e zogistit, ar, mikut të popullit”, ato vetëm një fjalë na thonin: “po mësuat në shkollë shkëlqyeshëm, baba do të lirohej më shpejtë nga burgu.” Por në ditët kur nëna punonte me turne në Fabrikën e Tisazhit, ne merreshim me një arkë druri të rimesuar, që ishte sjellë nga Italia dhe mbrënda kishte dokumenta, letra e fotografi. Gjyshja na thoshte se aty janë ruajtur napolona ari dhe xhevahire të tjera arri e argjendi, që nëna ishte e detyruar t’i dorzonte gjatë kontrolleve të sigurimit apo dhe t’i shiste fshehurazi.

Po ajo arkë e vogël na befasoi kur pamë se në mes atyre dokumentave, ishin emrimet e babës me firmën e Mbretit Zog I, në detyra shtetërore, prefekt, n/prefekt apo kryetar komune, si dhe Pasaporta e Mbretërisë, falenderime e vlersime për punën që kishte kryer po thuajse në të gjithë qytetet krahinat e Shqipërisë. Në mes tyre dhe shumë fotografi.
Por me lirimin e tij nga burgu ato relike që dëshmonin për një të vërtetë historike nuk i pamë më. Siç duket nga frika se ne edhe mund t’i ekspozonim, kur herë pas here qeraxhitë që shkonin e vinin mund të na krijonin probleme me ekspozimin e tyre.

Shume vonë, pasi baba kishte ndërruar jetë, me përmbysjen e diktaturës komuniste, nëna na afroi disa fotografi, sidomos ato që ishin realizuar në veri të Shqipërisë në Vermosh. Në vitet që baba ishte kryetar komune, në shumë takime me Bajraktarët e Veriut, kishte fiksuar dhe fotografi me patroitin antikomunist Prek Cali. Por fotografia që ka vlera historike është ajo ku është i pranishëm dhe Koloneli Hill, si dhe Qark komandanti, Shaban Elezi, dhe të tjerë ushtarak, si dhe shumë përfaqësues të Lëvizjes së Legalitetit.
Këto fotografi përkojnë me rastin e ardhjes së kolonelit Hill në Shqipëri, ku ai ka shkruar në kujtimet e tij për Vermoshin. Ishte vizita e tij në Shqipëri në vitet 1935-’36, ku i ftuar nga Mbreti Zog i Parë, do të merrte përsipër orgonizimin e trajnimin e Xhandarm, ërisë Shqiptare.
Ja si e përshkuan Koloneli Hill udhëtimin e tij në Vermosh dhe takimin me Prek Calin, kryetarin e Komunës Et’hem Rrema (Mehmeti), Krerët e Bajraktarët e Malësisë së Madhe: “Aty (Tamarë) na mori postëkomanda dhe të nesërmen të shoqëruar nga të tjerë u ngjitëm përsëri në një kodër të pjerrtë me bar dhe pastaj morrëm rrugën në terren të rrafshët nëpër pyll, pranë kufirit lindor për në veri të Shqipërisë. Pastaj zbritëm për në perëndim, nëpërmjet luginës së gjerë e pjellore të Vermoshit, fshati më verior i vëndit. 

Përtej tij është një unazë kodrash gjatë së cilës ka qenë vija e kufirit. Ka qënë në plan për të kaluar një hekurudhë lindje-prëndim, përmes luginës nga e cila do të përfitonte Jugosllavia, por ajo nuk u materializua kurrë.
Në Vermosh, përveç postëkomandës kishte shtëpi të shpërndara dhe një godinë të madhe fermeri, që i përkiste kryeplakut i cili kontrollonte luginën.

Kryetari i Komunës një burr i këndshëm që fliste pak anglisht, u gëzua që pati mundësinë të këmbente disa fjalë në gjuhën angleze”/Memorie.al