Përgatiti për IDMC: Erblin Vukaj
Kur u propozua nga regjimi i Hoxhës, medalja “Nënë Heroinë” kishte rreth 10 vite që jepej në Bashkimin Sovjetik. Atje kjo medalje qe krijuar që më 8 korrik 1944 për t’i dhënë privilegje nënave me shumë fëmijë ose atyre që ishin të veja nga të rënët në luftë. Kjo medalje jepej në ditëlindjen e parë të fëmijës së dhjetë dhe duhej që me patjetër nëntë të tjerët të ishin të gjallë ose të rënë në beteja. Rrethanat e vështira prej nga dilte Bashkimi Sovjetik prej Luftës së Dytë Botërore – mbi 20 milionë të vrarë – e shtynin shtetin të gjente mënyra për të shtuar popullsinë, kurse pjesa tjetër e privilegjeve ishte thjesht propagandë, sikundër në Shqipëri.
Më 13 mars 1954, në cilësinë e Kryetarit të Presidiumit Popullor, Haxhi Lleshi i propozonte Enver Hoxhës krijimin e dy medaljeve “Hero i Punës Socialiste” dhe “Nënë Heroinë”. Në shkresën sekret Nr. 79 drejtuar Kryeministrisë, Lleshi tregonte se medalja për “nënën” ishte mjaft e përhapur në Bashkimin Sovjetik. Për ta bërë edhe më bindës propozimin, në shkresën e tij Lleshi shtonte se këtë urdhër “kanë filluar ta japin edhe në shtete të demokracive popullore”. Ai saktësonte se i duhej dhënë nënave që “kanë lindur, rritur dhe edukuar 10 fëmijë”.
Është absurde ajo që Lleshi shkruan në shkresë:
“Duke pasur parasysh se në të ardhmen do të jetë më kollaj rritja e 10 fëmijëve, mbasi gjendja ekonomike do të përmirësohet vazhdimisht, mëjtojmë se dhënëja e urdhërit “Nëna Heroinë” do të jetë me vend.”

Urdhri do të formohej zyrtarisht më 2 tetor 1955 dhe – ashtu si disa medalje të tjera – do të ishte identik me atë të Bashkimit Sovjetik. Një pllakë bronzi në formë pentagoni do të kishte sipër një yll – pak më të madh se ai i modelit sovjetik – dhe të njëjtën formë kapjeje por me një kornizë më pak të stilizuar të shkrimit “Nënë Heroinë”.


Përmes nxitjes me privilegje – pothuajse vetëm morale dhe biografike – popullsia e Shqipërisë arriti një hov të jashtëzakonshëm ku brenda dhjetëvjeçarit 1950–1960 u shtua me mbi 400 mijë njerëz – nga 1 218 900 persona në 1 625 300. Sikurse Open-Data do të nxirrte si konkluzion në një studim të saj, popullsia e Shqipërisë deri në vitin 1972 “u dyfishua” nga ajo që ishte në vitin 1945.
Por edhe pse këto shifra janë të pakontestueshme, asnjë fakt nuk e dëshmon dot “parashikimin” e Lleshit se deri në vitin 1965 Shqipëria do të përmirësohej ekonomikisht sa ta kishte të lehtë të “rriste nga 10 fëmijë”. Asnjëherë nuk u arrit kjo gjë. Gjithmonë “Nënat Heroinë” ishin nga zonat rurale, jo urbane. Në zonat rurale lindja e fëmijëve shihej edhe si një mundësi për të shtuar krahun e punës. Numri i “Nënave Heroinë” erdhi në rënie, aq sa pas vitit 1980, kushti për t’u vlerësuar me medalje do të reduktohej në minimumin 8 fëmijë.

Burimi: ObservatoriKujteses.al