Ish-drejtori i Arkivit të Shtetit, Kastriot Dervishi, na ka shuar një kuriozitet në lidhje me mënyrën se si luheshin llotot në kohën e komunizmit.

Ai tregon se shitja e llotarive nisi në tetor të vitit 1990, pas një kohe të gjatë që ishte ndaluar.

Teksa jep detaje me mënyrën se si bëhej vendosja e llotove dhe skedinave, Devishi publikon edhe një foto të një skedine të luajtur dhe ruajtur nga ai, për kuriozitet.

“Në tetor 1990, pas disa vitesh ndalese të llotarive nga qeveria komuniste, nisi shitja e këtyre skedinave që u kamufluan me emrin “konkursi i parashikimeve sportive”.

Erdhi ky veprim sepse dukuria e fshehtë e llotarive me kampionatin italian të futbollit ishte bërë masive. Shteti synonte ligjërimin, një sjellje ndryshe, kontrollin dhe vjeljen e fitimit financiar.
Skedina luhej me kampionatin shqiptar të futbollit, kryesisht kategorinë e parë, por futej ndonjëherë edhe e dyta, gjysma pjesësh, si dhe nga basketbolli e volejbolli.

Kam ruajtur nga ajo kohë 2-3 skedina, si provë e një kurioziteti njerëzor, të vetmet, pasi kurrë nuk i kam ndjekur këto lojëra në vitet që pasuan, me gjithë llojet e emrave që ato patën”, tregon historiani.