Çe Guevara, heroi mitik i popullit kubanez ka vizituar Shqipërinë në fillim të viteve ’60-të të shekullit të kaluar dhe është pritur nga drejtuesit më të lartë të shtetit komunist.

Detaje të vizitës së fshehtë të Çe Guevarës në Shqipëri, i ka sjellë disa vite më parë për ‘Dita’ publicisti Jovan Jano.

Ai ka grumbulluar e dokumentuar disa nga impresionet e shqiptarëve që kanë takuar Çe Guevarën,mes të cilëve Mehmet Shehu, Josif dhe Evelina Pogaçe, Bilbil Klosi, Kiço Ngjela, Mihallaq Gjinikasi, Qemal Myrseli, Labo Abazi, Tiri Çollaku etj. Madje, Pertef Hasanmataj ka takuar edhe të atin e Çe-së, Guevara Lynch.

Këto takime kanë ndodhur në harkun e disa viteve, por shumica, kryesisht në vitet ’60.

Jano tregon se gjatë një takimi shumë diskret në Tiranë mes Çe-së dhe ish-kryeministrit Mehmet Shehu ata folën për mënyrën se si ngrihen  në revoltë popujt e shtypur e të mjeruar.

Dëshmitë mbi bisedën mes tyre vijnë nga diplomati Zeqi Agolli, personi që priti në Rinas Guevarën dhe e shoqëroi atë në Tiranë.

“Ne shqiptarët mendojmë se që të fitosh në një revolucion duhet patjetër të kesh një parti me program minimal dhe me program maksimal. Në programin minimal duhet të shfrytëzohen mundësitë që të jep demokracia borgjeze. Ndërsa në programin maksimal partia duhet të veprojë edhe në ilegalitet, duke ruajtur strukturat drejtuese, të afta  për t’iu përshtatur situatave, që krijohen’- i tha mikut nga Kuba, midis të tjerave Shehu.

Guevara paraqiti pikëpamje të tjera. Me sa kuptohej, rëndësi i kushtonte, rolit përcaktues të revolucionarëve të vendosur dhe profesionistë, me ideale të mëdha, duke parë tek këta të fundit, faktorin numër një të përmbysjeve të mëdha. Dhe shembull konkret jepte Kubën.

‘-Nuk duhet të humbasim shumë kohë me partira politike, qofshin ato edhe revolucionare. Kudo ku ka diktatura duhet të krijohen vatrat e zjarrit, pra, fokizmi. Dhe kjo të bëhet në zonat periferike dhe prej andej të nisin sulmet. Populli do na kuptojë, do na mbështesë dhe do të bashkohet me ne. Kështu vepruam në Kubë dhe fituam kundër diktatorit Batista,’- tregonte për eksperiencën kubane, Çe Guevara.

Nuk ishte e vështirë të kuptohej se midis bashkëbiseduesve ekzistonte një ndryshim jo i vogël në fushën e ngritjes së popujve në lu, ftën për liri dhe drejtësi shoqërore.

Gjithsesi, secili shpalosi pikëpamjet e tij, duke mos iu kundërvënë shokut, çka ndikoi për mirë në bisedë.

Në fund, Kryeministri shqiptar kishte përgatitur një dhuratë, një kallashnikov prodhim shqiptar.

Çe Guevara e mori automatikun e dhuruar, u ul në gjunjë, e puthi ar, mën dhe qetë–qetë, u ngrit në këmbë.

Një dëshmi për Janon lidhur me takimin me Guevarën ka dhënë Evelina Pogaçe, bashkëshorte e ambasadorit të parë  shqiptar në Kubë.

Ajo e ka njohur Guevarën gjatë pritjeve për festat e Nëntorit, në selinë diplomatike të Shqipërisë në Havanë.

“Çe Guevara ishte një mesoburrë, me trup të lidhur, vinte i veshur me uniformën e revolucionit. Me tim shoq fliste frëngjisht. Përsëriste se nuk para i pëlqenin ceremonitë zyrtare dhe ritet me frak diplomati. Në një rast kur im shoq, Josifi, u tregoi miqve kubanë për Shqipërinë, Çe Guevara tha: Shikoni Kubanakanin (ish-lagje luksoze e të pasurve në Havana). Këto vila luksoze, që janë ndërtuar me gjakun dhe djersën e kubanëve të mjeruar, po i kthejmë në shkolla, në kopshte fëmijësh, në spitale. Në këtë lagje kemi ngritur Bekadot (shkolla me ushqim falas) me uniforma dhe pajisje shkollore falas për të gjithë fëmijët e Kubës dhe, sidomos, për mijëra e mijëra fëmijë jetimë dhe të sëmurë. Më kanë thënë se edhe partizanët shqiptarë, pasi çliruan vendin, kështu kanë vepruar”.

Josifi i tha diçka për guximin dhe ai pasi thithi puron e pandashme havaneze, ia mbërtheu ato sytë e bukur dhe iu përgjigj:

“Shoku Pogaçe, po, të tillë jemi. Por nuk duhet të harrojmë se guximtarët në këtë botë janë  dy llojesh. Njeri lloj lind nga dija, ndërsa tjetri, nga injoranca. I pari sjellë fitoren, tjetri sjell shkatërrimin” – tregon Evelina Pogaçe në rrëfimet për Janon publikuar nga Dita.

o.p / dita

Burimi: www.gazetadita.al