27 vite më parë, në kryeqytetin e Shqipërisë, e pikërisht në Qytetin “Studenti”, studentët e Universitetit të Tiranës ngritën krye për herë të parë në historinë 46-vjeçare të komunizmit, kundra këtij regjimi famëkeq. Ata në datën 8 Dhjetor 1990 vendosën të bojkotonin mësimin dhe të protestojnë kundra regjimit, fillimisht për ndërprerjen e energjise elektrike, kushtet e vështira ekonomike që po kalonte Shqipëria në ato momente, kushtet tepër të vështira që kishin studentët në konvikte e në shkolla. Ata organizuan një protestë, në të cilën ndodhi edhe një incident: policia e ushtria përdorën dhunë për të shpërndarë studentët dhe disa protestues morën plagë nga dhuna që përdorën forcat e pushtetit komunist. Kjo do të sillte dhe irritimin e mëtejshëm të studentëve dhe kërkesat e tyre u zgjeruan. Përveç kërkesave për plotësimin e kushteve të jetesës ata kërkuan lejimin e pluralizmit si dhe dënimin e dhunuesve të studenteve.

Ngjarjet rodhën shumë shpejt dhe pas shumë protestave ku zëri kryesor që dëgjohej ishte “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, një përfaqësi studentësh e kryesuar nga Azem Hajdari, iu drejtua me 11 Dhjetor 1990, Pallatit të Brigadave ku priteshin në takim nga Sekretari i Parë i Partisë së Punës të Shqipërise, Ramiz Alia, njëkohësisht edhe President i vendit. Ky është dhe momenti më kyç i lëvizjes studentore. Në atë mbledhje, Ramiz Alia, duke parë që studentëve u ishin bashkangjitur tashmë dhe qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe e gjithë Shqipëria, dhe pushteti nuk kishte më fuqinë t’i bënte ballë Lëvizjes për Demokraci, pranoi pa kushte Pluralizmin Politik në Republikën e Shqipërisë.

Lëvizja Studentore Shqiptare lindi si rezultat i një serie protestash studentore e demonstratash që u përshkallëzuan në një konflikt të hapur me sistemin totalitar e partinë-shtet. Ndërmjet arritjeve të shënuara të kësaj lëvizjeje janë mbajtja e zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri, formulimi i qartë i kërkesave politike që sollën pluralizmin në Shqipëri, galvanizimi i masave të popullit në mbështetje të forcave politike opozitare që lindën më pas, organizimi i grevës së urisë, që çoi në rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës dhe kontributi i jashtëzakonshëm në shmangien e Luftës Civile në një moment shumë kritik të tranzicionit të Shqipërisë prej sistemit totalitar.

Sot, pas 19 vitesh, ne jetojmë në një vend të lirë e demokratik, dhe për këtë një meritë të padiskutueshme ka Lëvizja Studentore e 8 Dhjetorit të vitit 1990, e kryesuar nga Lideri i Demokracisë, “Nderi i Kombit” Azem Hajdari si dhe mijëra studentët e intelektualët që me uraganin studentor përmbysën regjimin më gjakatar që kishte njohur Europa.

8 Dhjetori i vitit 1990, kjo datë historike, do të mbetet në memorien e shqiptarët si prelud i ndryshimit të sistemit shoqëror në Shqipëri, nga komunizmi njëpartiak në demokraci pluraliste.

Shqipëria ishte i vetmi shtet totalitar policor në Europë

Dhjetori i vitit ’90 vendosi në axhendën e shqiptareve ballafaqimin. Dhjetoristët dhe gjithë populli shqiptar, në këtë ditë historike, nderojnë kujtimin e Liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, i cili u vra më 12 Shtator 1998 nga socialkomunistët që u rikthyen në pushtet nëpërmjet rebelimit mafiozo-komunist të ’97-ës. Rrugën për fitoren e demokracisë e të pluralizmit shqiptar, rinia studentore e nisi 19 vjet më parë nga ai vend që sot quhet Sheshi “Demokracia”, në krye të së cilës ishte tribuni Azem Hajdari. Studentët e udhëhequr nga Azemi mbushën rrugët e Tiranës, sheshet dhe shpirtrat e shqiptarëve me dritën e lirisë. Në dhjetor të vitit 1990, Shqipëria ishte i vetmi shtet totalitar policor në Europë. Në atë kohë të acartë, kur bisha komuniste ishte në përpëlitjet e fundit, barra e përplasjes me regjimin më gjakatar që kishte njohur njerëzimi ra mbi studentët e universiteteve të Tiranës dhe të qendrave të tjera të arsimit të lartë në Korçë, Shkodër, Elbasan e në Gjirokastër. Në periudhën ndërmjet Dhjetorit 1990 dhe Prillit 1991, studentët shqiptarë demonstruan ndjenjë të lartë përgjegjësie politike dhe dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në proceset e tranzicionit prej sistemit totalitar në një sistem demokratik. Këto ngjarje kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimet e mëvonshme politike, ekonomike e shoqërore në shtetin shqiptar. Studentët që morën pjesë në veprimtaritë e Lëvizjes Studentore, kanë qenë kontribues shumë aktivë në të gjitha nivelet e politikës shqiptare.

Ditari i 8 Dhjetorit ’90, si i provokuan studentët Çarçani dhe Isai

Ora 10:00.

Kryeministri Çarçani shkon pa njoftuar për vizitë tek studentët në Qytetin “Studenti”. Kalimi i tij nga godina 27-28 krijoi ilaritet të madh, pasi baltës nuk i rezistuan as çizmet që Çarçanit ia dërgoi me shpejtësi policia. Në godinën 10-11, ai priti një grup studentësh. Gjysma e sallës ishte mbushur me sampistë. Studentja A.B. iu drejtua Çarçanit me fjalë dhe tone të ashpra. Ajo tha se, “unë nuk mund të lind kurrë fëmijë për ju dhe partinë tuaj…”

Ora 20:30.

Kabina elektrike në Qytetin “Studenti” merr flakë. Gjithçka fillon nga e para. Fillojnë parrullat kundër diktaturës, të thirrurat dhe të sharat ndaj qeverisë komuniste dhe thirrjet për të lëvizur të organizuar. Për herë të parë u këndua nga të gjithë kënga: “Se mjaft në robëri/ O e mjera Shqipëri/ O djem rrëmbeni pushkët/ Ja vdekje, ja liri”! Pastaj u hodhën parrullat: “Poshtë komunizmi” dhe “Komunistët në litar”.

Ora 21:00

Nga godina 20-21 erdhën thirrjet për t’u mbledhur të gjithë. Brenda 10-15 minutave u mblodhën rreth 200-300 studentë, të cilët filluan marshimin drejt drejtorisë. Kur u arrit tek godina 17, u pa se i gjithë trupi pedagogjik i universitetit kishte ardhur i shoqëruar me autoblinda të policisë në përpjekje për të ndërprerë demonstrimin. Meqenëse sheshi para drejtorisë ishte i mbushur plot vetura qeveritare, studentët morën rrugën për në Sheshin që sot quhet “Demokracia”.

Ora 21:00

Në përpjekje për të pasur sa më shumë solidaritet, demonstruesit shkuan drejt godinës 15 për të kërkuar bashkimin e tyre. Ndërkohë, dritat kishin ardhur, por askujt nuk i binte ndërmend për to. Pas godinës 15, studentët shkuan tek godina 14. Aty një moment qetësie u kërkua që dikush të zgjidhej për drejtues. Ishin 6-7 djem të tillë. Si më i vjetri, si i vetmi prind u zgjodh pa asnjë diskutim Azem Hajdari. Pastaj itinerari për solidaritet kaloi godinat 6, 13, 11, 12, 9-10, 7-8, dhe uragani i studentëve mori drejtimin e bulevardit qendror të daljes nga rruga e “Elbasanit”, me synimin për takim me R.Alinë ose demonstrim në Sheshin “Skënderbej”.

Ora 22.00

Në hyrje të lagjes, afër çerdhes, policia kishte vënë postbllok. Aty foli Pirro Kondi. Dikush e goditi me kokrrat e pemës zbukuruese, të tjerët fishkëllyen. Dikush e pyeti Pirron se sekretari i cilës parti ishte.

Ora 24.00

Tek studentët shkon Hekuran Isai, i cili filloi të qeraste studentët me cigare. I bombarduar me pyetje provokuese, ai u acarua së tepërmi më shumë se një herë. Në këtë orë, 14 studentë u nisën për takim me R.Alinë. Delegacionit iu la afat 30 minuta për kthim, ndryshe ata do të ishin të arrestuar.

“Ndjeva se kërkesat e studentëve ishin të sinqerta dhe i mbështeta me jetën time”

Azem Hajdari: Ja pse u vura në krye të lëvizjes studentore

Kam dëgjuar se, kanë thënë se kushedi se kush jam. Jam thjesht një student në vitin e tretë të Fakultetit të Filozofisë. Shkollen e mesme e kam mbaruar me mesatare 9 dhe këtu nuk jam keq me mësime. Kam qenë sekretar i sektorit të vullnetarëve studentë vitin e kaluar në Priskë. Si të të them. Më duket se këta që flasin këto fjalë nuk bëjnë mirë edhe ndaj shokëve të mi studentë që më kanë zgjedhur në këtë punë.

Edhe familja ime është një familje e ndershme e patriote. Babai është dekoruar disa herë. Veçse këto kohët e fundit po heq keq për shkak se unë u vura në krye të demostratës së studentëve dhe u radhita në radhët e komisionit organizues të Partisë Demokratike..

Ja p.sh. vëllai im ish-anëtar i PPSH dhe instruktor në Komitetin e Partisë së Rrethit, mbasi dorëzoi teserën e partisë e anëtarit të Partisë e morën inat dhe e dërguan në një punë nja katër orë larg.

Thonë se jam shumë i pasur dhe se kam para në libreza kursimesh. I pasur? Kam punuar gjithnjë punëtor. Sigurisht aty realizoje dhe tre norma dhe nuk kam jetuar keq. Ndërsa tani jetojmë me 400 Lekë rrogë të graus sime dhe 240 Lekë që marr unë si student, bursën. Unë dhe studentët nuk dolëm në demostratë me kërkesa të thjeshta vetëm për bukën e gojës e për ca kushte minimale. Ne dolëm për demokraci për pluralizëm politik që i mungonte njësoj gjithë popollit shqiptar.

Me që erdhi fjala tek jeta ime personale, po ju them se dëgjohen disa fjalë sikur unë merrem me femra, se paskam ndare tri gra etj. Ja pra, që kam vetëm një grua me të cilën jam rritur. Jemi martuar unë isha 17 vjeç dhe ajo 15. Fëmijët do të na bëhen shokë. Të gjithë thonë se në familjen tonë sillemi mirë me njëri-tjetrin. Unë gruaja dhe dy fëmijët. Dobësi të veçantë kam nënën e babën. Më kanë rritur me njëmijë mundime, njëri punëtor dhe tjetra pastruese. Nuk e di sesa do ta plotësoj dëshirën e tyre për t’u shërbyer atyre sa më mirë. Kam edhe unë të metat e mia padyshim. Por nuk më ka rastisur kurrë që të më dergojnë në Degën e Punëve të Brndeshme ose të dënohem ndonjëherë nga organet e Gjykatës. Shokë kam shumë, shumë. I dua dhe të gjithë dhe më duan shumë. Kjo besoj se nuk është e metë.

E thashë këtë të shokëve edhe me synimin për të sqaruar atë moment të kohëve të fundit të jetës sime, çastin e demostrates, kur u ndodha në krye të masës të studentëve. Aty më nxorën dëshira të mëdha demokratike, forca shpitërore krejt të pastëra dhe studentët që më besojnë si shok. Nuk kam menduar kurrë për t’u bërë udhëheqës i kësaj lëvizjeje. Ndjeva se kërkesat e studënteve ishin të sinqerta dhe i mbështeta me jetën time. Unë atyre jua di për nder që më besuan që ta vë jetën dhe sinqeritetin tim në shërbim të çështjes së tyre të lartë.

Dua të flas edhe për problemin e studentëve dhe të shpreh një dëshirë. Dëshira është që të jem gjithmonë i lidhur me ta. Shkoj çdo ditë në qytetin studenti dhe i takoj. Më vjen keq që nuk mund të jem në auditor me ta. Kam vendosur ta lë shkollën. Unë studioj filozofi, por e shoh në të vërtetë mësoj vetëm politikë. Politika e PPSH është futur në çdo rresht të leksioneve të filozofisë.

Po studentët i kuptoj dhe do t’i kuptoj gjithnjë. Por dua të theksoj se kjo nuk kuptohet mirë nga disa qarqe burokratike.

Por vazhdon që studentët të mos përfillen në kërkesat e tyre të drejta e nuk ka asnjë ndryshim në jetën e studentëve nga ajo ditë kur ata u ngritën në demostratë. Po ai ushqim, po ato baltra si kantier ndërtimi në degradim, po ajo papastreti po padritë. Kam edhe një dëshirë, që të vazhdoj më vonë studimet në degën e filozofisë, por vetëm atëherë kur kjo të jetë vërtetë shkencë filozofike.

(Intervistë e Heroit të Demokracisë dhe Pluralizmit, e datës 9 janar 1991)

Drita e shpresës për Tiranën dhe për të gjithë Shqipërinë

27 vjet më parë, Shqipëria ishte zhytur në mjerimin dhe izolimin më të tmerrshëm të historisë. Ajo që kishte pllakosur vendin ishte zija e urisë. Dyqanet e boshatisura si pasojë e mungesës së prodhimit të brendshëm kishin detyruar sistemin që të aplikonte prej vitesh tollonat, ku një familje nuk mund të merrte më shumë se një pako 200 gramëshe gjalp në javë apo një gjysëm kilogram djathë. Radhët për ushqime sa vinin dhe shtoheshin, ndërsa durimi kishte kaluar të gjitha kufijtë.

Parelelisht me këtë situatë mjaft të rënduar politike, duke parë edhe erën e ndryshimeve që po frynte në shumë vende të Europës Lindore, diktatura vendosi të reagonte me ashpërsi. Ishte e vetmja mënyrë për të siguruar mbijetesën e sistemit. Burgjet ishin të tejmbushur me të burgosur politikë dhe numri i tyre sa vinte dhe shtohej. Diktatura po tregonte dhëmbët edhe në kufi, ku raportoheshin me dhjetëra raste të vrasjeve në kufi.

Synohej të krijohej një situatë frike për të mbajtur nën presion popullin, përndryshe çdo tërheqje apo tolerim do të kuptohej si një dobësi. Në shkollat e mesme dhe të larta u dha alternativa që çdo ditë të zhvilloheshin biseda me nxënësit, ku të flitej se Shqipëria ishte një rast i veçantë dhe nuk mund të kishte ngjashmëri as me Gjermaninë Lindore dhe as me Rumaninë, ku ishte ekzekutuar diktatori Çaushesku.

Ndërkaq në Tiranë, Shkodër, Kavajë dhe qytete të tjera të vendit sa vinte dhe shtohej revolta e brendshme. Sinjali ishte dhënë me ambasadat, ku mijëra të rinj shpërthyen muret e izolimit m’u në zemër të diktaturës, duke e sifiduar hapur sistemin e saj të dhunës. Mitingu famëkeq i atyre ditëve, ku ata mijëra të rinj u konsideruan huliganë, vandalë dhe armiq të popullit, nuk solli asnjë efekt, përveçse rriti dozat e zemërimit popullor.

Për çdo natë në Tiranën e atyre ditëve pëshpëritej për një reagim, i cili mund të niste në Sheshin “Skënderbej”, ku ishte edhe epiqendra e asaj kohe e rinisë.

Ndërkaq, sinjali erdhi pak metra më tutje qendrës së Tiranës. Atje ku disa dhjetëra studentë të drejtuar nga Azem Hajdari, vendosën të përballen me aparatin e diktaturës. Ajo lëvizje u bë drita e shpresës për Tiranën dhe për të gjithë Shqipërinë.

Përgatiti:

Halil RAMA