Burimi më i vjetër i ujit në Elbasan konsiderohet Burimi i Mansit, pranë stacionit antik të Via Egnatias me një histori mbi 2 000-vjeçare. Ujësjellësi i Elbasanit mendohet të jetë ndërtuar rreth 1700 vjet më parë kur edhe daton ndërtimi i kalasë. Çdo rrugicë ka trashëguar me shekuj çezmat, forma më e vjetër e furnizimit me ujë të familjeve të kalasë. Përreth kishave mendohet të kenë qenë edhe çezmat më të vjetra të qytetit. Më pas zgjerimi ka ardhur edhe jashtë mureve të kalasë. Tubacione të vjetra prej qeramike të zbuluara gjatë gërmimeve të ndryshme arkeologjike dhe spontane kanë treguar se ky qytet kishte një rrjet të zhvilluar furnizimi për ujin e pijshëm. Heshtja për disa shekuj e këtij qyteti bëri që ky rrjet i vjetër të ripërdorej në kohën e rindërtimit të kalasë nga turqit.

Një model turk që e trashëgojmë edhe sot është Shatërvani i Bezistanit, që mendohet të jetë mbi 300-vjeçar. Po kështu, brenda kalasë veç dëshmive sporadike të tubacioneve ekziston ende një çezmë e vitit 1902, e cila ka dalë jashtë funksioni dhe dita-ditës vazhdon të shkatërrohet. Këto janë të vetmet dëshmi të rrjetit të furnizimit me ujë me tuba prej balte (qyngje) të qytetit. Në vitin 1937 me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, me kontributin e kryetarit të bashkisë, Ahmet Dakli dhe të parisë së qytetit, ndërtohet ujësjellësi me tubacione prej hekuri të ardhura nga Italia me burim nga Griqani për në qytet. Çezmat e vjetra turke u zëvendësuan me një model të ri. Në disa prej tyre, sidomos jashtë kalasë, u krijuan hauze për kafshë dhe çezma për njerëzit.

Misioni holandez teksa kalon në Shqipëri fikson një prej shatërvanëve të modelit turk dhe një pamje të qytetit të Elbasanit në vitin 1914. Ky imazh i papublikuar më parë tregon sesi ndikimi turk në veshje po zëvendësohej nga ai evropian. Gjithashtu, në këtë foto të rrallë tregohen dyqanet e vjetra të qytetit dhe një pamje e pa fiksuar më parë, ku duken edhe degët e rrapit tashmë qindravjeçare në qendër të qytetit. Elbasani e ka ndërtuar rrjetin e tij të ujësjellësit shekuj më parë.

Loading...

Në Enciklopedinë e Elbasanit jepen detaje të sistemit të furnizimit me ujë të qytetit. Në një relacion anonim në italisht që daton në vitin 1570 thuhet “…Ka aty burime përveç qyngjeve të ujit për përdorimin e shtëpive të veçuara, pothuajse të gjithë kanë ujë të rrjedhshëm. Brenda në qytet ka mullinj me ujë të sjella së jashtmi prej jo shumë larg, nga Neokastra”. Në mesin e shekullit XVII E.Çelebiu përmend në veprën e tij se Elbasani ka mbi 40 hamame privatë dhe disa publikë që funksionojnë me ujë të rrjedhshëm. Të kësaj periudhe janë shumë çezma publike të ndërtuara nga mjeshtrët e mëdhenj si Sedefqar Biçakçiu, projektuesi i Xhamisë Blu dhe Mustafa Meremetçiu. Janë të hershme çezmat e Bobolles, Gurabardhës, Çezmja e Re, Çezmja e Dokuzës, shatrivanët e Tabakëve, të Bezistanit etj.

Hyjni Ceka: Si e kujtoj përurimin e ujësjellësit në 1938-n
Një prej studiuesve elbasanas, botues i shumë librave që konsiderohet edhe një kujtesë e gjallë për historinë e qytetit, Hyjni Ceka, tregon se në Elbasan ekziston një shprehje: “Kush nuk di ku ndodhen çezmat e Elbasanit dhe burimet e ujit, nuk është elbasanas”. Me kujtesën dhe përgatitjen e tij, ai shton detaje të panjohura dhe mjaft interesante për burimet e ujit, çezmat dhe sidomos ka qenë pjesëmarrës në përurimin e Ujësjellësit të vitit 1937- 38. “Ndër çezmat që mund të shtoj, janë Çezma e Kacabunës përballë shtëpisë së Mihal Shahinit, Kadumi që rrifet vetë, Çezma e Leprit në Ullishtë. Burimet e Ujitishin mjaft të përhapura dhe familjet e pasura dërgonin shërbëtorët të mbushnin tek Burimi i Ali Xhinsit, Kroi i Kalit, Burimi i Bankës etj. Burimi i Mansit është burimi më i vjetër në qytetin e Elbasanit, ku kanë mbushur ujë njerëzit për dy mijë vjet. Pranë këtij burimi u ndërtua stacioni i Via Egnatia Mansios. Ky burim që vazhdon akoma, është po aq i vjetër sa edhe Via Egnatia e qytetit. Në qytet ka pasur edhe puse. Mund të kujtoj si të njohur Pusin që lahet vetë, Pusin e Ullastrës, Pusi i Plenit etj”. Ceka flet edhe për ujësjellësin e Elbasanit. “Ujësjellësi ka qenë shumë i hershëm dhe mendohet se është ndërtuar me ndërtimin e Kalasë. Uji është marrë gjithmonë nga Griqani me tuba prej balte që kapërcente mbi kodrat e Ullishtës në nivel me burimin e Griqanit. Më kujtohet që kur binte shi, tubat prej qeramike (që quheshin qyngje), sillnin ujë me baltë dhe mbaj mend punëtorët kur i pastronin. Në 25-vjetorin e pavarësisë filloi ndërtimi i ujësjellësit me tubacione hekuri të marra nga Italia. Në atë kohë kryetar bashkie ishte Ahmet Dakli dhe për ndërtimin e Ujësjellësit kontribuuan të gjithë qytetarët me paratë e tyre. Ai ishte një ndërtim i komunales dhe mbahet mend një inxhinier i dëgjuar që kishte mbaruar në Austri, ing. Fico në bashkëpunim me specialistë italianë. Me ndërtimin e ujësjellësit të ri u ndërtuan edhe depozitat e Krastës me nivelin e Burimeve duke bërë që tubacionet tashmë të kalonin përmes qytetit. Në qytet u vunë në funksion katër çezme publike, tek Rrapi i Bobolles, përballë Hotel Skampës apo sheshi i Tabakëve e dy të tjera në gjysmën tjetër të qytetit. Çuditërisht edhe këto çezma u ndërtuan me hauz që edhe kafshët të pinin ujë. Dita e përurimit ka qenë një festë madhështore. Njerëzit në ceremoni ishin të shumtë. Në një fotografi tregohet grumbulli i madh i njerëzve që merrte pjesë në përurimin e çezmave publike.

Çezma e Jan Dhespotit e rindërtimi i çezmave në Portën e Kalasë
Çezma e Kishës është ndër çezmat më të vjetra të qytetit. E shoqëruar edhe nga një këngë e vjetër qytetare, njihet ndryshe edhe si Çezma e Jan Dhespotit. Ndodhet përballë me portën e vjetër me qemer të kishës dhe mendohet se bashkë me çezmën i përkasin të njëjtit vit dhe të njëjtit material ndërtimi. Nipi i Jan Dhespotit, Vladimir Caridha, një ndër skulptorët më të njohur të qytetit të Elbasanit, tregon se çezmja mban të njëjtin vit ndërtimi si edhe qemeri i vjetër i Portës së Kalasë. “Çezma e Kishës është mbi 100-vjeçare. Me aq sa e mbaj mend unë, ka qenë me tuba hekuri, por më parë mund të kenë qenë plumbi ose qeramikë. Çezmja është ndërtuar me murin e shtëpisë së Caridhës. Stërgjyshi im ka qenë dhespot dhe kontribuoi për ndërtimin e kishës Shën Maria në vitet 1800 duke e kthyer nga Patriarkana e Ohrit në varësi të patriarkanës së Stambollit”, thotë Caridha. Në çesman e kishës mbushin ujë një pjesë e mirë e familjeve përreth kishës. Ajo ishte një moment takimi për gratë, përveç meshës në kishë.

Të gjithë teksa kalojnë përballë këtyre burimeve të ujit gjejnë momentin të ndalojnë edhe kur nuk kanë etje. Elbasani i ka pasur historikisht çezmat publike dhe duhet të vazhdojë t’i ketë ato./Konica.al

Loading...