Por cilat kishin qenë modelet e aplikuara në arkitekturën shqiptare? Arkitekti i mirënjohur Petraq Kolevica sqaron: “Në periudhën e Shtetit të parë shqiptar, që lindi si Republikë e vdiq si Mbretëri, veçanërisht në vitet 1930-1940, nëpër qytetet tona kryesore u bënë ndërtime nën frymën e arkitekturës “Protomodeme”, e cila kishte filluar të përhapej në Evropë. Kështu mund të përmendja godinat e bankave në Korçë e në Tiranë, hotelin “Dajti” etj..

Vlen të përmendet që këtë kohë arkitekti Qemal Butka, që projektoi Bashkinë e Korçës, një kopsht fëmijësh në Tiranë, që fatkeqësisht u prish, si dhe banesën e tij, ku është i pari që futi me sukses elemente të arkitekturës kombëtare në arkitekturën e kultivuar. Nuk duhet harruar as shoku i tij, arkitekti austriak, që bëri plot ndërtime të bukura në Sarandë. Pushtimi fashist, ndonëse i shkurtër e në gjendje lufte, për interesat e veta, me synime koloniale, bëri ndërtime deri atëherë të panjohura në Shqipëri. Kështu p.sh., u ndërtuan të parat blloqe banesash 3-4 katëshe, godina e Kryeministrisë, kompleksi i sotëm Universitar dhe Materniteti në Tiranë. Nuk duhen harruar as vilat nazike që u ndërtuan në Tiranën e Re para e gjatë atij pushtimi e as ndërtesa e Kishës Katolike.

Megjithëse në ndërtesat qeveritare të ndërtuara gjatë pushtimit ndihej fryma e stilit të arkitekturës fashiste të Piaçentinit, në përgjithësi u bënë ndërtime të bukura, me arkitekturë moderne, me materiale veshës e punime të cilësisë së lartë. Gjithashtu, në vitet e para të pushtimit, kur u zhvillua tregtia dhe shumë njerëz shkuan në Itali e gjetiu, panë ndërtimet e reja të atjeshme, gjë që e forcoi edhe më shumë shijen e popullit pro arkitekturës moderne aq dhe si mundnin ta kuptonin intuitivisht ata njerëz. Kështu, viti 1945, e gjeti popullsinë qytetare shqiptare, veçanërisht atë të shkolluar, me një shije relativisht të formuar pro arkitekturës moderne, racionale, funksionale.

Intelektualët, që kishin studiuar në vendet kryesore të Evropës dhe ishin kthyer të punonin në vendlindje, dinin t’i çmonin ndërtesat si hotel “Dajti”, Banka e Materniteti në Tiranë dhe ato mbetën për shumë kohë njësi matëse krahasimi në gjykimin e vlerave arkitektonike të ndërtesave të mëvonshme. Ndërkohë filloi ndryshimi i sistemit shoqëror”.

Leonard Veizi/Telegraf.al