Pas vitit 1912 ruajtja e dokumenteve të trashëguara nga Iljaz bej Mirahori, themelues i qytetit të Korçës, u bë e vështirë. Të gjithë pushtuesit që hynin dhe dilnin në Korçë ishin të interesuar për dokumentacionin e tij. Shtëpia e mytevelinjve, (pasardhës të Iljaz bej Mirahorit), u plaçkit disa herë, por nga dokumentacioni asgjë nuk ra në dorë të tyre, pasi gjithçka nxerrej nga shtëpia pa hyrë mirë në Korçë ushtritë e huaja. Sakrificat e mytevelinjve ishin të mëdha. Po kaq të interesuar për dokumentacionin e Mirahorit ishin edhe gazetarët e vendeve të huaja.

Kërshëria e tyre ishte e madhe. Pati edhe nga ata që ofruan shuma të mëdha të hollash, por njerëzit e Mirahorit nuk i shkëmbyen me asgjë. Për ta, dokumentet e paraardhësit të tyre ishin të shenjta. Aty ruhej historia e qytetit të Korçës: “Një ditë, – tregon Myftar Grabocka, (kur ishte kryetar Komitetit Ekzekutiv në Korçë, 1957-1962), – unë iu luta nënë Jalldëzit që të njihesha me përmbajtjen e dokumenteve në fjalë dhe ajo u tregua shumë e gatshme. Për këtë punë thirrëm Hafëz Sulejmanin, (ish-myftiu i Korçës), dhe një Imam tjetër që e dinin mirë osmanishten e vjetër, gjuhë më të cilën ishin shkruar ato dokumente.

Pasi ata u njohën mirë dhe i përkthyen pjesërisht ato dy-tri ditë resht, shpjeguan se në përgjithësi ishin tapi zyrtare, lëshuar nga Porta e Lartë në Stamboll, që njihnin pronësinë e tokave dhe gjithë pasurinë që zotëronte Iljaz Beu në Kazanë e Korçës, si përfaqësuesi më i lartë zyrtar i asaj kazaje, ashtu siç parashikonte sistemi administrativ turk”. (Petrit Zeneli, “Myftar Grabocka dhe rrënjët e një fisi”, f. 246)

Tashmë, për lehtësi të lexuesit na duhet të bëjmë një sqarim të vogël. Personazhet që do të përmenden në këtë rrëfim janë: Rustem Myteveliu, i cili ka djalë Hysenin, të martuar me Jalldezin. Këta dy të fundit kanë një djalë të quajtur Rustem, i cili mban emrin e gjyshit. (Pra, kemi Rustemin,- i vjetri dhe Rustemin,- i riu). Vijojmë më tej.

Dokumentet e Mirahorit ishin të tilla që mund t’i rezistonin kohës për shekuj me radhë. Enigmën e jetëgjatësisë së tyre e ka shpjeguar Jalldëzi, bashkëshortja e Hysen Myteveliut, (administratorit të 15-të dhe të fundit të Vakëfeve, deri në vitin 1934): “Dokumentet ishin të stamposura e të lustruara me një lëndë kimike sipër, mbi një rrjetë të hollë prej liri dhe mëndafshi special dhe ishin futur në një tub prej plumbi me një kapak që e mbyllte në mënyrë hermetike. Ato ishin mbështjellë rreth një boshti prej druri të satzhionuar sipas porosisë së një specialisti turk që merrej me punët arkivale dhe ruajtjen e dokumenteve zyrtare”. (Petrit Zeneli, “Myftar Grabocka dhe rrënjët e një fisi”, f. 243)

Kjo pasuri dokumentare që ruhej në pergamenë të shkruara osmanisht dhe teknika e përdorur për ruajtjen e tyre ishte një mister i pafund për të huajt, por edhe për ata që dëshironin t’i shtinin në dorë ato për ta fshirë këtë histori të Korçës nga kujtesa e njerëzve. Mes dokumenteve të shumta gjendej edhe letërkëmbimi i mytevelinjve me vëllezërit Frashëri: Abdylin, Naimin, Samiun dhe nënën e tyre Eminenë, e cila ishte bijë e mytevelinjve, stërmbesë e Iljaz bej Mirahorit. Në këtë tërësi dokumentesh ekzistonin edhe shumë rrëfime për Korçën, të shkruara nga Rustem Beu (i vjetri): “Të gjitha këto tregime, Rustem Beu i kishte shkruar në turqisht, në një fletore të madhe, me shumë fletë, me kapak të trashë dhe na i tregonte gjithnjë, vazhdon Jalldezi , aq sa unë i mësova përmëndësh…”. (Petrit Zeneli, “Myftar Grabocka dhe rrënjët e një fisi”, f. 251).

Rustem Mytveliu, (i riu), i cili tashmë nuk jeton më, fal bashkëpunimit me të, kam mundur të ruajtur pjesë kujtimesh të shkruara nga vetë ai, ku rrëfen vuajtjet e largimit nga shtëpia, me qëllim shpëtimin e trashëgimisë dokumentare të Mirahorit nga grabitja: “Babai im, Hysen Myteveliu, gjatë dy lu, ftrave ballkanike, në kohën e pushtimit grek, u detyrua të largohej bashkë me familjen e tij nga Korça në Çëravë, duke marrë me vete dokumentet e trashëguara nga Iljaz bej Mirahori. Kur u kthye në Korçë çdo gjë ishte plaçkitur, asgjë nga pasuritë e familjes nuk ndodhej në shtëpi. Pasuri me vlera të veçanta që nga veshjet e pajisjet e trashëguara nga Iljaz bej Mirahori dhe pasardhësit e tij ishin plaçkitur”.

Sipas Rustem Myteveliut, (i riu), ndër dokumentet më të rëndësishme që u ruajtën me fanatizëm ishin:
“1. Fermani (dekreti) i vitit 1484/889, (jepen dy data, sipas kalendarit hixhri dhe kalendarit te sotëm), që bën fjalë për dhënien e fshatrave Vithkuq dhe Leshnjë në zotërim të Iljaz bej Mirahorit.
2. Ferman i viti 1496/ 901, mbi shkëmbimin e pasurisë së Panaritit dhe Treskës me fshatin Peskëpi.

3. Fermani i vitit 1497/902, mbi përcaktimin e kufijve të fshatit Peskëpi.
4. Fermani i vitit 909, sipas kalendarit hixhri, fshatrat Panarit dhe Trebickë ndryshojnë statusin në mylk”.
Rustem Myteveliu rrëfen edhe diçka tjetër: “Vakëfnameja, (dekreti i kthimit të pronave në vakëfe), është shkruar në arabisht me dorë nga vetë Iljaz bej Mirahori mbi një letër-karton (e ngjashme me pergamenë), rreth 7.5 metra e gjatë. Një kopje të këtij dekreti e nxori nga origjinali në Stamboll, gjyshi im Rustem Myteveliu më 24.04.1907, sipas kalendarit të sotëm, ose më 11 prill 1323, sipas kalendarit hxhri, me qëllim që dokumenti origjinal i vakëfnamesë të ruhej i pacënuar”. Megjithatë, kohë më vonë, origjinalin e Vakëfnamesë ia dhamë në huapërdorim muzeumit të qytetit të Korçës. Këto akte u përkthyen në Korçë 23.10.1955 nga Haki Sharofi, i cili ishte përkthyes dhe arkivist i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë në Tiranë.

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, në shtëpinë tonë, herë pas herë, vinin historianë, gazetarë, studiues, që të gjithë kërkonin dokumentet e Iljaz bej Mirahorit. Gjithashtu, i kërkuan babait, (Hysen Myteveliut), t’u jepte ndonjë intervistë, por ai nuk dëshironte të fliste për asgjë mbi këto dokumente. Për shkak të aktivitetit patriotik të familjes, në vitet 1942-1943 na internuan familjarisht në Porto Romano. Në fillim të vitit 1944 u detyruam të dilnim në ilegalitet si familje. Shtëpia jonë u bë komandaturë gjermane. Përsëri kishte pasur plaçkitje totale nga gjermanët. E vetmja pasuri që u ruajt, ishin dokumentet e Iljaz bej Mirahorit, të cilat babai, që nga viti 1912 i merrte me vete. Ato u vlerësuan dhe u ruajtën mbi çdo pasuri tjetër të familjes.
Dokumentet e Mirahorit u kërkuan edhe nga mbreti Zog: Në kohën e mbretit Zog,- vazhdon Jalldezi, – erdhën njerëz apostofat dhe na u lutën që t’ua jepnim dokumentet në fjalë, por neve nuk ua dhamë sepse ato i kishim si gjënë më të shtrenjtë, të trashëguar nga të parët”. (Petrit Zeneli, “Myftar Grabocka dhe rrënjët e një fisi”, f. 247).

Megjithatë, kërkesën e Nexhmie Hoxhës për t’u njohur me dokumentacionin e Iljaz bej Mirahorit, edhe pse refuzuan disa herë, nuk mundën t’i qëndronim “jo”-së deri në fund,- kujtonte Rustem Myteveliu i Riu). Në atë kohë unë isha me studime në Moskë, e mora vesh në saj të një letre që më dërgoi nëna, Jalldezi, më 5.5.1957, ku më shkruante: i dashur biri im Rustem! Jam mirë dhe dëshiroj dhe për juve që të ini mirë. “… Pardie më thirrën në Komitet dhe më thanë se në Institutin e Shkencave kishin bërë një mbledhje dhe kishin biseduar për dokumentet tona. Nexhmia Hoxha kishte thënë që ajo është familje e jonë dhe nuk na kundërshton. Unë qava, jam ndodhur në një pozitë të keqe dhe nuk di si ë veproj, prandaj ti më thuaj si të bej. Kjo radhë që po i kërkojnë nuk është e para, mbasi tani më thirrën mua vetë dhe më thanë se edhe Rustemi nuk do të kundërshtojë, mbasi e dimë neve…”ishte e vështirë të kundërshtoja kujtonte Rustem Myteveliu.(Në këtë letër bie në sy edhe shkrimi shumë i bukur i Jalldezit).

Në vitin 1957, ia dhamë dokumentacionin, por me kushtin e pasjes në huapërdorim. Po atë vit, në buletinin ‘Për shkencat shoqërore’, nr. 3, viti 1957, u botuan për herë të parë dy dekrete perandorake me titullin: “Dy dokumente mesjetare mbi Shqipërinë”, dhe nëntitull: “Berati i Sulltan Bajazitit II dhe Vakëfnameja e Mirahor Iljaz Beut”. Me këtë rast botuesi i materialeve na dhuroi një kopje me mbishkrimin: Familjes Hysen Myteveli që Korça i është mirënjohëse për dokumentet historike që i ka ruajtur me kujdes të madh për t’i përdorur në ditët e sotme për historinë e lavdishme të popullit shqiptar. Petraq Pepo, Tiranë 12,1.1957”.

Pas vd, ekjes se Iljaz Beut, populli e shpalli Mirahorin si njeri të shenjtë dhe e va, rrosën me nderime madhështore pranë Xhamisë së Madhe, që ai vetë e kishte ndërtuar në Korçë, që nga viti 1486. Atje i ndërtuan edhe tyrben (varrin), që është edhe sot, ku vazhdimisht janë bërë dhe bëhen homazhe, por me ndalimin e fesë në Shqipëri, më 1967, materialet dhe pajisjet që ndoheshin në xhami dhe tyrbe u plaçkitën. “Me iniciativën time, kujtonte Rustem Myteveliu (i riu), ngritëm Këshillin nismëtar për rihapjen e Xhamisë dhe Tyrbes,(ato ishin të shtruara me dysheme dërrase dhe mure guri), gjë që e realizuam më 20 janar 1991, ora 10.00, ku morën pjesë 20.000 banorë të qytetit dhe fshatrave përreth. ndërkohë ngritëm në tyrbe rozaret e varreve Iljaz bej Mirahori, të gruas dhe djalit të tij.

Ne foto; Rustem Myteveliu

Nga Vepror Hasani