Selameti u caktua roje porte në një fabrikë endjesh. Do të merrte 80 lira në muaj. Asnjë portier nuk mund të jetojë me 80 lira. As një e katërta e njeriut nuk mund të jetojë me to. Por Selameti mbështetej në zellin e tij për punë. Pronari i tij, në fund të fundit, do ta kuptonte gatishmërinë e tij dhe do t’ia ngrinte pagën. Sigurisht, puna e portierit ishte e ulët për të, po ç’të bënte ? Pa shih, sot njerëzit e kanë humbur ekuilibrin e vet. Sa e sa e bëjnë punën e portierit, ndërsa nuk ia vlejnë as për roje ! Selameti kishte arritur deri në vitin e dytë të gjimnazit. Në atë kohë ndodhi një nga dramat më të zakonshme familjare dhe u detyrua ta braktiste shkollën.

Punonte pa llogaritur vuajtje dhe sakrifica, për të marrë atë shtesën e vogël të pagës së vet. Ah, të ishte roje nate ! Roja i natës së fabrikës merrte bram në dorë 200 lira në muaj. Dhe punë në qejfin e vet, nuk lodhej.
Kur njeriu dëshiron diçka me gjithë shpirt, dëshira e tij plotësohet. Një ditë të bukur pronari e thirri Selametin në zyrën e vet:

– Jam i kënaqur prej teje, – i thotë.
– Faleminderit, faleminderit !
– Je i martuar ? – e pyet pronari.

– Po, – i tha Selameti, duke u rrudhur, sikur ta kishin zënë duke kryer ndonjë krim.
Duke e kuptuar gabimin e vet dhe për ta çliruar pakëz shpirtin e tij, shtoi duke ulur kokën:
– Kam edhe dy fëmijë, bej efendi.
Pronari e mëshiroi dhe psherëtiti:

– E, e … dhe si ia del mbanë ?
– Shumë vështirë, bej efendi.
– Hajde, diçka do të bëj edhe për ty. Do t’ia dalësh mbanë të bësh edhe punën e rojes së portës edhe atë të rojes së natës ?

– Do t’ia dal, bej efendi.
Që të themi të drejtën, vetëm gjashtë orë në ditë rri tek porta. Vur edhe tetë orë natën, na bëjnë katërmbëdhjetë. Të mbeten edhe dhjetë orë. Në rregull ?
– Faleminderit, bej efendi !

– Për punën e natës do të të jap edhe 30 lira në muaj.
– Faleminderit !
Roja i natës, i cili merrte 200 lira në muaj, u pushua menjëherë, se flinte në orarin e punës dhe vendin e tij e mori portieri ynë. Ditën qëndronte tek porta, ndërsa natën ruante fabrikën me orën e kontrollit të varur në qafë. Tashmë paga e tij u rrit. U bë 110 lira.

* * *
Ishte shumë i përkushtuar dhe i kujdesshëm. Në fund të fundit, pronari nuk është budalla. Do ta vërrejë menjëherë gatishmërinë e tij dhe për këtë mund të bëjë diçka. Ja, nëse fjala vjen, do ta caktonte sekretar në fabrikë, sa mirë që do të ishte !…
Sekretari merr 300 lira në muaj.

Kur njeriu dëshiron diçka me gjithë zemër, atëhere dëshira e tij i plotësohet.
Pronari e thirri Selametin në zyrën e vet:

– Jam i kënaqur nga puna jote, – i thotë.- Dua të bëj edhe diçka tjetër për ty. Natën pothuajse nuk bën asgjë. Mund ta mbash korrespondencën tonë ? Do të të jap edhe 60 lira të tjera.
Selametit ishte gati t’i binte të fikët. Tani do fitonte 170 lira…
Sekretari, i cili merrte 300 lira, u pushua menjëherë, se me bisedat, kafenë dhe cigaren, nuk i mbetej kohë për punë dhe në vendin e tij morën portierin tonë. Tani, ditën rrinte tek porta, kurse natën vinte para makinën e shkrimit dhe shkruante.

* * *
Punonte me gjithë shpirt. Në fund të fundit, pronari nuk është budalla. Herët a vonë do ta kuptojë gatishmërinë e tij dhe do ta shpërblejë. Llogaritari i fabrikës merrte 400 lira në muaj… Ah, të mund të bëhej llogaritar !

Kur njeriu dëshiron diçka me gjithë zemër, atëhere dëshira e tij plotësohet.
Një ditë të bukur pronari e thirri Selametin në zyrën e tij:
– E di që sot 170 lira nuk janë asgjë, – i thotë.- Dua të të shtoj rrogën.
– Faleminderit, bej efendi !

– Sigurisht që të mbetet mjaft kohë. Në vend që të rrishë në shtëpi dhe ta shkosh kohën kot së koti, a mund ta mbash llogarinë e fabrikës ?
– Mundem, bej efendi.

– Në rregull, do të marrësh edhe 45 lira të tjera.
Llogaritari i fabrikës, i cili merrte 400 lira në muaj, pasi në vend të shtesës, bëri ulje, madje edhe pjesëtim të shumëfishtë.

Tani Selameti merrte 215 lira në muaj. Gjashtë orë në ditë rrinte tek porta, tetë orë natën ruante fabrikën, duke punuar njëkohësisht në makinën e shkrimit dhe kur kthehej në shtëpi, rrëmbente llogarinë.

* * *
Lodhej jashtëzakonisht shumë, ishte i respektueshëm, mundohej të bënte më tepër nga ato që i kërkonin. Tani ëndërronte vendin e magazinierit. Magazinieri merrte 450 lira në muaj.
Kur njeriu dëshiron diçka me gjithë zemër, atëhere dëshira e tij plotësohet.
Një ditë pronari e thirri Selametin:

– Dua të bëj diçka për ty. Ç’do më thoshje, nëse të bëja magazinier ?
– Do të ta dija për nder të madh, bej efendi.
– Në rregull. Do të të shtoj edhe 35 lira të tjera në pagën tënde. Eja të shkojmë në magazinë !
Magazinieri, një njeri tepër i pandërgjegjshëm, i cili e kishte bërë zakon të merrte sa më shumë gjëra nga fabrika në shtëpinë e tij, u pushua në çast dhe vendin e tij e zuri roja ynë i natës.

* * *
Punonte ditë e natë, pa llogaritur as lodhjen, as orët. Në fund të fundit, pronari ynë nuk është qorr, do ta vlerësojë vetëflijimin e tij. Dhe vërtet…Pronari e thirri:

– Jam tepër i kënaqur prej teje. Sa më shumë punon, aq më mirë ia del mbanë. Puna e portierit nuk të shkon. Do të mbash të gjitha punët e tjera dhe do të të bëj edhe drejtor të fabrikës.
Drejtor ? Selametit ishte gati t’i binte të fikët. Prej kohësh e ëndërronte atë vend.
Kur njeriu dëshiron diçka me gjithë zemër, atëhere dëshira e tij plotësohet.

Ja ku u bë edhe drejtor !

– Do të shtoj 90 lira në pagën tënde, – i tha pronari.
Përderisa pushoi së qeni portier, do t’i ulnin 80 lira nga paga. Por do të bëhej drejtor dhe do t’i jipnin 90 lira shtesë, domethënë do të kishte edhe 10 lira më tepër. Do të merrte 260 lira në muaj.
Ish drejtori, i cili merrte 500 lira, u pushua menjëherë, pasi ngacmonte sekretaren e pronarit.

* * *
Fabrika kishte 40 punëtorë, 2 kryepunëtorë dhe 20 makineri. Punëtor nuk mund të bëhej, nuk e dinte punën. As kryepunëtor, pasi nuk e njihte fare atë punë. Të punonte ai në vend të makinerive ? Nuk bëhej.

Në zyrat e fabrikës, përveç tij, kishin mbetur vetëm pronari dhe sekretarja e tij.
Kur i mbetej pakëz kohë, bisedonte me sekretaren dhe t’i bënte elozhe pronarit.
– Zoti i dhëntë shëndet ! Flori njeri ! Hyra në fabrikë si portier me 80 lira në muaj.
Më bëri roje nate dhe më dha 110 lira. Më pas më bëri sekretar dhe ma ngriti pagën në 170 lira. Më emëroi llogaritar dhe filloi të më jepte 215 lira. U bëra magazinier dhe mora 250 lira. Tani jam drejtor dhe marr 260 lira.

Por edhe sekretarja nuk mbetej pas në elozhet e saj për pronarin.
– Erdha këtu si pastruese me 40 lira në muaj. Pastaj fillova të pastroja dhe të laja edhe shtëpinë e pronarit dhe më dha 60 lira. U bëra daktilografiste dhe paga ime u ngrit në 80 lira. Fillova të gatuaja dhe të ndihmoja në ekonominë e shtëpisë të pronarit dhe paga m’u bë 100 lira. Më pas, e dini, u bëra …dhe atëhere më dha edhe 15 lira të tjera. Kështuqë tani marr 115 lira.

Një ditë Selameti i thotë sekretares:
– Punoni shumë, lodheni.
Sekretarja iu përgjigj:

– Dhe ju mos pandehni se punoni më pak ? Dhe nuk paguheni mirë. Sigurisht që do të donit shtesë.
Selameti e vështronte. U kujtua që në zyrat e fabrikës nuk kishte mbetur asnjë tjetër, përveç atyre të dyve. Mendoi detyrimet e vajzës…

– Jo, jo, – tha. Nuk dua asnjë shtesë. Faleminderit shumë. Ah, sikur të isha grua… E dini se çfarë do të bëhej ? Pronari do t’ju zbonte dhe do më shtonte edhe 20 lira në pagën time…Jo, jo…Jam shumë i kënaqur…Sikur të isha grua…

Përktheu: ILIAZ BOBAJ
Burimi: Gazeta Nacional