Kur erdh Skënderbeu në shesh isha 10 vjeç. Nëna më mori me vete. Shoqet e punës së saj punëtore në rrobaqepësi më njihnin të gjitha. Nëna mburrej me mua për notat e mira në mësime. Ajo më kish blerë një pallto me stof të trashë dhe më kish thurur një triko me lesh të butë e kopsa të xhamta kaltëroshe. Flokët mi kish krehur me një përdredhje si presje në ballë. Sheshi u mbush plot.

Monumenti i Skënderbeut ishte mbuluar me çarçafë të bardhë. Ishte vendosur mbi gurë të mëdhenj si mbi shkëmbinj që vetëm ciklopi mund ti ngrinte. Kur Enver Hoxha tërhoqi litarin çarçafët rrëshqitën ngadalë si mjegull mali dhe Skënderbeu u shfaq me kalë e shpatë në dorë. Uaaaau sa i madh! Disa shoqe të nënës vunë duart në faqe. Sheshi buçiti nga thirrjet “Enver Hoxha -Enver Hoxha “ “Parti e Punës-Parti e Punës”. Kështu bëhej në çdo përurim uzine a shkolle.

Ndërtimi i tyre quhej dhuratë e Partisë dhe Enver Hoxhës, ndaj. Unë mendova kutinë e kartonit ku kishin futur Skënderbeun dhuratë. E mondova të madhe sa Pallati i Kulturës! Shoqet e nënës shihnin kalin nga poshtë e qeshnin duke i rënë njëra tjetrës me bërryl. Unë po mendoja si do dilnim në fotografi me nënën, babain dhe dy motrat të dielën tjetër që foto të na merrte megjithë Skënderbeun siç dilnim me Stalinin. Edhe Stalini i madh ish por ai nuk kish kalë dhe gurë aq të mëdhenj…

Kur në shesh vunë Enver Hoxhën tridhjetë vjet më vonë u habita vetëm pse e kishin bërë aq të madh. Si budalla, mendova. Në Tiranë budallenjtë më të njohur ishin çuditërisht të gjetë e të trashur. Ai pa kalë e i lyer në ar ja kalonte Skënderbeut. Por paskesh qënë i lehtë fyell se mbrenda kur i ranë patkonjtë pamë që ishte bosh si tub sobe.

Ndërsa turma brohoriste Liri demokraci dhe hidhej përpjetë nga gëzimi madh s’ di pse më erdhën në mend shoqet e nënës që qeshnin aherë kur shihnin kalin e Skënderbeut.. nga poshtë.

Tani?! Tani në shesh (deri tani) është vetëm Skënderbeu… megjithë kalë!