Fatmira Nikolli – Revoltë në një kamp përqëndrimi fashist në vitin 1943 kundër metodave barbare e terrorit. Të burgosurit kryengritës si: profesori piktori Hekurani, Ariani, Mira, Shpresa organizohen dhe mbajnë lidhje të vazhdueshme me rezistencën jashtë kampit. Me rezistencë të fortë ata arrijnë të shkatërrojnë skëterrën fashiste.

Ky është sinopsi i shkurtër i një filmi të shfaqur pak. Aludohet se duke përdorur si ‘pretekst’ fashizmin, artistët kanë goditur metodat komuniste.
Me regji të Rikard Ljarjes e skenar të Bashkim Shehut, muzikë të Zef Çobës ai u realizua nga Kinostudio “Shqipëria e Re” me 1980. Zgjaste 92 minuta,

Vetëm dy vite më vonë ai ishte në listën e filmave që do asgjësoheshin. Mehmet Shehu ishte vetëvrarë, të tjera familje ishin shpallur armike e mes tyre edhe Bashkim Shehu- djali i ish-kryeministrit.

Një dokument i dëshmon fare mirë fushatën e spastrimeve ideologjike në botime, art, muzikë, kinematografi, etj. Në listë është edhe filmi “Skëterrë 43” dhe poshtë tij është shënuar arsyeja: skenarist është djali i armikut të popullit. Bashkim Shehu, sot shkrimtar dhe përkthyes aktiv me banim në Barcelonë ndërsa dokumenti është i shtatorit 1982, pra disa muaj pas vdekjes së të atit.

RISHFAQJA
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit shfaq të mërkurën, më 27 shkurt, ora 19:00, filmin emocionues ‘SKËTERRË ’43’ (1980), në Kinema Agimi, në 35mm. Prapaskenat e këtij filmi, janë po aq dramatike sa dhe ngjarjet në film që bazohen në Luftën e Dytë Botërore. Në 1980, aktori dhe regjisori Rikard Ljarja i kërkoi Bashkim Shehut, djalit të kryeministrit Mehmet Shehu, të shkruante skenarin e ‘SKËTERRË ’43’ ndërsa teknikët e Kinostudios ndërtuan në shkallë reale një burg italian buzë detit. ‘SKËTERRË ’43’ i ofroi role të paharrueshme aktorëve të rëndësishëm si R. Ljarja, Xhevdet Ferri, Birçe Hasko, Agim Qirjaqi, Violeta Deda dhe Mario Ashiku.

Dukej sikur asgjë s’do e prekte punën e arrirë të stafit, kamerën e guximshme të drejtorit të fotografisë Saim Kokona dhe muzikën goditëse të kompozitorit Zef Coba. Por, në 1981 Mehmet Shehu vdiq në rrethana misterioze. Pasi u shfaq shumë rrallë, filmi u ndalua dhe hyri në listën e filmave të ndaluar… Disa e shohin filmin ‘SKËTERRË ’43’ si reflektim delikat dhe të rrezikshëm mbi jetën në Shqipërinë komuniste. Ju ftojmë të vini e të vendosni vetë! Bileta kushton 300 lekë. / Shfaqja e tretë e kinematekës: Pranverë 2019 – “Thesaret e Arkivit” – program i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit i kuruar dhe prezantuar nga personalitete të mendimit dhe hulumtimit bashkëkohor. E mërkurë, në 27 shkurt, ora 19:00, në Kinema Agimi, në gjuhën orgjinale – shqip.

Burimi: Gazeta Shqiptare – GSH.AL