“Enver Hoxha e lavdëroi Todi Lubonjën për emisionet sportive që i propozova unë, siç ishin finalet e Euro ’74 dhe Olimpiada e Mynihut, por më pas e dë, noi, duke rikthyer Thanas Nanon”

Bisedë me shkrimtarin, komentatorin dhe publicistin e njohur sportiv, Skifter Këlliçi, rreth historisë si nisën emisionet sportive në TVSH, gjatë periudhës së regjimit komunist

Bisedoi për Albanian Free Press: Aranit Muraçi

Ndonëse prej 18 vjetësh, i vendosur në një qytet pranë Bostonit, (SHBA), Skifter Këlliçi është pranë lexuesve të librit dhe shtypit të përditshëm, qoftë me romane, si “Shtatori i gjëmës së madhe”, kushtuar tragjedisë së 11 shtatorit në Amerikë dhe ribotimit të romanit historik “Atentat në Paris”, mbi bazën e të cilit është vënë në skenë drama, “Dy krisma në Paris”,të dosierëve kushtuar problemeve të letërsisë, gjuhës shqipe, historisë, por edhe sportit, veçanërisht me ciklet kushtuar kampionateve europiane dhe botërore të futbollit, si dhe shkrime, komente, fejtone, madje dhe tregime humoristike sportive, shumë prej të cilave, janë përmbledhur në vëllimin me tregime “Celetano, unë dhe polici”, të gjitha të botuara në gazeta të ndryshme të Tiranës. Por Skifterit i mungon mikrofoni dhe kamera në fushat e futbollit, me të cilat nisi rrugëtimin, së pari në Radio Tirana më 1959 dhe në TVSH më 1970. Dhe pikërisht, rrugëtimit të tij dhe sportit tonë dhe ndërkombëtar në vitet e para të TVSH-së do t’i kushtohet kjo bisedë.

Skifter, jam në një moshë të tillë që kam dëgjuar edhe “Rubrikën Sportive” – e cila transmetohej në vitet ’60-të të shekullit të kaluar në Radio Tirana dhe në fillim të viteve ’70 në TVSH – dhe më duket se të dyja lidhen me ndihmesën që ke dhënë edhe ti vetë.

Faleminderit, por së pari, me keqardhje, duhet të vë në dukje se me përjashtim të Gjergj Bubanit, drejtorit të parë të Radio Tiranës, i cili që më 1938 miratoi me entuziazëm propozimin e Anton Mazrekut që të komentonte një ndeshje futbolli në Radio Tirana, gjithë drejtuesit kryesorë në Radio, dhe më pas në TVSH, nuk kanë qenë aspak të dhënë pas sportit. Ndoshta duket e pabesueshme, por deri në fund të vitit 1959, Radio Tirana nuk kishte një rubrikë të rregullt sportive. Përjashtoj ndonjë kronikë të tillë që rrallë-tek kam dëgjuar i vogël, e cila jepej të hënave, pas lajmeve të orës 20:00. Ishte kjo arsyeja që më 1959, kur ende isha student dhe folës në Radio, propozova që, çdo të diel në mbrëmje, të fillonte një rubrikë sportive. Pas disa transmetimesh që u ndërprenë për shkak të vështirësive të marrjes së informacioneve nga rrethet, më së fundi, në prill të vitit 1960, kur unë isha tashmë gazetar në Radio, u vendos të ishte e përjavshme dhe të transmetohej çdo të martë në orën 21:00.

Do të duheshin 10 vjet që “Rubrika sportive” të niste edhe në TVSH? Dhe përsëri me nismën tënde?

Po, të mos gaboj ishte e hëna e javës së parë të marsit të vitit 1970, që pas propozimit që i bëra Klimi Misjës, drejtorit të parë TVSH-së, të fillonte të transmetohej rregullisht edhe emisioni “Rubrika sportive”.

Por transmetime të ndeshjeve të futbollit në TV, kanë nisur që në vitet ’60-të?

Saktë. Qendra Eksperimentale e Televizionit, (QETV), emisionet modeste të së cilës shiheshin në Tiranë dhe deri diku në Durrës dhe vende të afërta bregdetare, kishte nisur programet e saj të para  më 30 prill të vitit 1960. Por e vetmja kamerë, dhuratë e Televizionit të Gjermanisë Lindore, ishte shumë vështirë të lëvizej nga studioja, për të transmetuar manifestime politike, shfaqje artistike ose edhe ndeshje futbolli. Kështu, fjala “sport” mungonte në QETV. Por në tetor të vitit 1963, Televizioni i Gjermanisë Perëndimore na dërgoi një telereportazh, çuditërisht pa tekst shoqërues të ndeshjes Partizani-Këln, (0-0) për Kupën e Kampionëve, që ishte zhvilluar në ditët e para të shtatorit të atij viti në Tiranë. Stoli Beli, redaktorja dhe paraqitësja e parë e programeve të QETV-së, m’u lut ta komentoja këtë ndeshje, duke ndjekur pamjet të këtij reportazhi filmik. Nuk e pata të vështirë, sepse së bashku me Mazrekun dhe Bellovën, e kishim komentuar në Radio këtë ndeshje dhe i kisha ende të freskëta pamjet e saj.

Por si arriti, më së fundi, të realizohej transmetimi i ndeshjes së parë në QETV, të mos gaboj më 1966?

Më saktësisht, më 10 prill të atij viti, në një ditë të bukur plot diell. Ishin inxhinierët e talentuar Emil Plumbi dhe Lulzim Topi, që së bashku me kryeteknikun Spiro Qirko dhe me ndihmën e teknikëve të tjerë, arritën ta zhvendosnin këtë kamera legjendare nga studioja dhe ta vinin në tribunën qendrore të stadiumit “Qeml Stafa”, ku rrinte udhëheqja, dhe të bënin lidhjet e duhura me një autobus të ardhur enkas nga Rumania. Më kujtohet se Spiroja, tërë gëzim, iu drejtua Mazrekut, mua dhe Bellovës: “Ja, tani e keni ju radhën të komentoni.” “Ktheva kryet nga Mazreku që, si më 1938 në radio, të bënte përsëri komentin e parë në TV, por ai me modesti më tha se, ketë punë mund ta kryeja më mirë unë. Të njëjtën përgjigje më dha edhe Bellova.

Kështu u detyrove ti të ndërmerrje këtë detyrë, besoj të vështirë si fillim?

Nuk kisha si të veproja ndryshe, se koha nuk priste. Solla ndërmend komentimet e Nikolo Karozios dhe Nando Martelinit, me të cilin do të njihesha më 1994 në Romë, të cilat i kisha ndjekur nga televizorët e miqve dhe, duke i imituar ata, nisa të bëja komentin e kësaj ndeshjeje. Por vetëm të pjesës së parë, sepse gjatë pjesës së dytë, kamera zuri të nxirrte tym… Dhe atëherë, Beqir Derhemi, kamerameni i parë i QSTV-së, që po bënte transmetimin, ktheu kokën nga unë i dëshpëruar, duke më lënë kështu të kuptoja se kamera ishte prishur.

Ç’përshtypje u krijua për këtë transmetim?

Duhet të kemi parasysh se numri i televizorëve aso kohe, qe ende shumë i vogël. Kryesisht ishin sjellë në Shqipëri, prej atyre që kishin studiuar në vende të lindjes ose të tjerë të cilëve u vinin nga të afërm në vende perëndimore. Sidoqoftë, përshtypjet qenë të mira. Vërtet figura dilte në ekran disi e turbullt, por disa nga aksionet, sidomos para portave, shiheshin mirë. Mirë vinte edhe zëri im.

Më pas u blenë kamera të tjera?

Që më 1967. Ishin kamera polake. Me to nisën të transmetoheshin edhe shfaqje artistike. Doemos edhe ndeshje futbolli. Meqë unë asokohe u transferova me të ashtuquajturin “qarkullim kuadri”, si mësues në Berat, komentet e veprimtarive sportive i bëri Alfons Gurashi, atëherë radiokronist me përvojë, i cili, po të kishte pasur pasion dhe njohje të thella sportive, – sepse nuk ndiqte ndeshje në asnjë lloj sporti, – do të ishte bërë edhe komentator i shquar në këto fusha. Sidoqoftë, ai me guxim komentoi në TVSH edhe ndeshje basketbolli, ndër të cilat atë të Partizanit, me skuadrën e njohur italiane Oran Soda, të zhvilluar më 1970, në Pallatin e Sportit “Partizani”.

Më 17 dhjetor të vitit 1967, është transmetuar në TV edhe ndeshja Shqipëri-Gjermani Perëndimore që beri bujë në botë, sepse me barazimin 0-0, ne mënjanuam nga finalet e Euro ’68 këtë skuadër, nënkampione e botës.

Po, por fatkeqësisht kjo ndeshje nuk regjistrua, që të mbetej në arkiv, sido që me cilësi të dobët. Ndoshta për mungesë videokasetash, fakt që vështirë të konstatohet pas kaq vitesh. Si pasojë, për këtë ndeshje sot, kemi vetëm një kronikë të shkurtër të Kinostudios.

Të kthehemi përsëri te “Rubrika sportive” në TVSH.

Atë vit, pra, më 1970, i kthyer nga Berati, por ende i paemëruar në RTVSH, sepse së bashku me shokë të tjerë isha ngarkuar nga Ministria e Arsimit të merresha me përgatitjen e teksteve letrare shkollore dhe gjuhësore, Klimi Misja, drejtor i TVSH-së, më pyeti se mese mund ta ndihmoja televizionin, ndaj, siç përmenda dhe më sipër, i propozova të filloja “Rubrikën sportive”. E miratoi menjëherë këtë propozim. Kështu, me operator gazetarin Gazmir Shtino dhe kameramanin në studio, përsëri Beqir Derhemin, menduam të përgatitnim një rubrikë modeste, me ngjarjet sportive në kryeqytet, të mërkurave, të shtunave dhe të dielave, e cila transmetohej çdo të diel, në orën 20:00, pas emisionit të lajmeve. Një shëmbëlltyrë modeste dhe e varfër e emisionit të famshëm “La Domenica Sportiva”, të RAI-it.

Si u realizua “Rubrika e parë…”

Dy ditë më parë bëra një provë të shkurtër të regjistruar, për të parë veten para kamerave. Improvizova kështu një hyrje të “Rubrikës…” E pashë së bashku me Alfons Gurashin që ishte shefi i redaksisë së informacionit. Koleg imi i mikrofonit të Radios, e pëlqeu. Kurse unë jo. Më dukej vetja si i parruar. Kështu para fillimit të rubrikës premierë u rrova për të dytën herë. Kjo premierë u ndoq me shumë interes dhe unë e Beqir Derhemi, Gazmir Shtino morëm përgëzime nga teleshikuesit. Mirëpo pati nga ata që më thanë se përsëri dukesha i parruar, me fytyrë mbuluar me qime të zeza. Përdora një krem për ti mbuluar. Por duket u leva dhe u përleva me të para se të paraqitja “Rubrikën.” aq sa ketë herë më thanë se dukesha si qose. Pastaj, një artist më shpjegoi se duhej të përdorja një lloj pudre që mbulonte qimet e zeza të fytyrës. Më së fundi, pas transmetimit të rubrikës së tretë, më thanë se dukesha si pëllumb. Më pas u caktua një grua që merrej posaçërisht me grimin e artistëve, folësve dhe drejtuesve të emisioneve, siç ndodh në çdo televizion të botës.

 Ku bëheshin transmetimet e “Rubrikës…”?

Si dhe të emisioneve të tjera, në të vetmen sallë të katit të parë të godinës së re të Radio Tiranës, e cila ishte menduar si mensë e punonjësve të Radios që punonin me turne. Më një ndryshim, sepse, si lajmet edhe kjo rubrikë transmetohej drejtpërdrejt, dhe kjo krijonte emocione, sidomos tek të ftuarit që i trembeshin llambës së kamerës e cila, siç tha atëherë njëri prej tyre, ngjante si sy ciklopi homerik. Në atë studio të ngushtë dhe shumë të nxehtë nga dritat e projektorëve, janë intervistuar figura të mëdha sportistësh, duke filluar nga Loro Boriçi i futbollit, deri te Marieta Pronjari e atletikës.

E vërtetë është se atëherë transmetoheshin edhe komente shahu?

Po, nga shahistët e njohur Ylvi Pustina, Mendim Veizaj dhe pastaj Zef Ashta, – që u bë aq popullor para tabelës së shahut, – sidomos për komentimin për titullin kampion të botës, midis sovjetikut Spaski dhe amerikanit Fisher, por në studiot e reja të TVSH-së. Ishin këto komente që filluan ta bënin shahun të afërt dhe të dashur për teleshikuesit. Për fat të keq, më pas, për pakujdesi të gazetarit që mbulonte sportin në TVSH, këto komente u ndërprenë.

 Dhe kur nisën emisionet televizive në godinën e re të TVSH-së?

Më 7 nëntor të vitit 1971, me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Partisë komuniste dhe Kongresit të saj të 5-të. Valët e TVSH-se me aparaturat dhe antenat që erdhën urgjentisht nga Kina, tashmë po përhapeshin në tërë Shqipërinë. U pasuruan emisionet e lajmeve, sepse në qytetet kryesore kishte gazetarë – operatorë, të cilët sillnin prej tyre në TVSH kronika filmike, midis të cilave edhe sportive. Ato përbënin bazën e “Rubrikës sportive” e cila, sipas strukturës së re, nisi të transmetohej çdo të hënë, në orën 21:00. (Më hollësisht për këto çështje kam shkruar në librin “Historia e RTVSH-së, (1938-1990).

Dhe këtë rubrikë vazhdoje ta drejtoje ti?

Po, por që në janar të vitit 1971 për përgatitjen e saj u caktua V.G. Që nga viti i 1968 kisha botuar vëllimin me tregime sportive “Një ndodhi në stadium”, që më pas u pasua dhe me botimin e tre librave të tjerë artistikë, po me temë sportive. Duke u marrë me përgatitjen e kësaj rubrike, nuk do të mund të shfrytëzoja as lejet krijuese prej disa muajsh që u jepeshin shkrimtarëve, as edhe orarin e reduktuar prej 6 dhe më pas prej 4 orësh në ditë. E vërteta është se V.G-ja deri atëherë nuk kishte shkruar ndonjë artikull në gazetën “Sporti Popullor”, as nuk më kishte kërkuar të bëhej komentator sportiv dhe kështu e të kontribuonte në “Rubrikën sportive”. Sidoqoftë, ndonëse me ngurrim, Klimi e pranoi mendimin tim, që V.G.-ja të bëhej gazetar sportiv, por me kusht që unë ta ndihmoja. Kështu veprova, ndonëse ai nuk shfaqi dëshirë dhe pasion që rriste nivelin e tij, ashtu siç bëri ato vite, p.sh., gazetari dhe publicisti i shquar, Besnik Dizdari, së pari në gazetën “Bashkimi” dhe më pas në gazetën “Sporti”, ose gazetari tjetër, Ahmet Shqari që, ndonëse në vitet e para e pati të vështirë të përshtatej me mikrofonin, arriti të bëhej komentator i shquar. Kjo u pa veçanërisht në emisionin “Nga një ndeshje në tjetrën”, i cili transmetohej çdo të diel dhe që u bë nga programet më të ndjekura në Radio Tirana.

Më 1972, TVSH-ja shfaqi dhe dokumentarin “Nëpër fushat e futbollit”, një histori e zhvillimit të futbollit në vendin tonë, me skenar tëndin dhe regji të Sajmir Kumbaros.

E drejtë, por ai dokumentar, i shoqëruar edhe me intervista të futbollistëve të njohur të asaj kohe, midis të cilëve Loro Boriçi, Besim Fagu, Skënder Begeja, Muhamed Dibra, Panajot Pano, ishte prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, sepse TVSH-ja nuk mund ta realizonte, pasi ende nuk ishte pajisur me teknikën e duhur. Por vite më pas nga gazetarët sportivë të saj duhej të përgatitej një dokumentar i tillë më i plotë. Por kjo nuk ndodhi. Çuditërisht sot, në arkivin e TVSH-së nuk gjenden videokaseta me vlerë të paçmueshme si ato të ndeshjeve të Flamurtarit me Yllin e Kuq të Beogradit dhe me Barcelonën e famshme, ose të sukseseve të volejbollisteve të famshme të Kreshnik Tartarit në Evropë, për të realizuar kështu dokumentarë të tjerë.

 Vazhdojmë me vitin 1972, kur në historinë e emisioneve televizive sportive u shënuan dy ngjarje të rëndësishme: transmetimi nga TVSH-ja i ndeshjeve finale të Euro ’72-shit dhe të Lojërave Olimpike të Mynihut.

Që më 1970 me propozimin tim një nga drejtuesit e teknikës në TVSH i kishte përcjellë Thanas Nanos, atëherë drejtori përgjithshëm i RTVSH-së, idenë për transmetimin e veprimtarive sportive ndërkombëtare nga kanale të huaja televizive, komentuar nga unë në shqip. Dhe thjesht për arsyen se, nëse Tirana i shihte këto kanale edhe me antena primitive, kjo nuk ndodhte ne vise të tjera të Shqipërisë. Por Nano, dogmatik, pedant dhe konservator, e kishte hedhur poshtë këtë ide. Mirëpo, në janar të vitit 1972, me vendim të Byrosë Politike atë e larguan nga RTVSH-ja,edhe për arsyet e mësipërme. Vendin e tij e zuri Todi Lubonja, drejtues me kulturë, që e mbështeti këtë propozim. Kështu, më 26 prill të atij viti nga një studio e TVSH-së komentova, së pari ndeshjen Itali-Belgjikë që zhvillohej në Milano, marrë nga RAI. Përshtypja e sportdashësve qe e madhe, aq sa pati nga ata që pandehën se unë paskësh shkuar enkas në… Itali! Por, kur pas dy orësh panë se nga TV Beogradi po komentoja ndeshjen Angli- RFGj, që zhvillohej në Londër, kuptuan se komentimin po e bëja nga TVSH- ja.

 Veç tyre u transmetuan edhe Lojërat Olimpike të Mynihut që u pëlqyen gjithashtu nga teleshikuesit.

Ashtu është. Në tetor të vitit 1972, pra një muaj pas përfundimit të kësaj olimpiade, Pirro Kondi, anëtar i KQ dhe kunat i Hysni Kapos, dora e djathtë e diktatorit Hoxha, në një mbledhje me gazetarë sportivë, ku kam qenë i pranishëm edhe unë, tha se në fillim udhëheqja pati ngurrime, por pastaj, kur jehona nga poshtë për olimpiadën qe e mirë, vlerësoi transmetimin e saj nga TVSH-ja. Nënvizoj me këtë rast, siç më ka shpjeguar vetë Todi Lubonja, se ka qenë pikërisht Enver Hoxha që në një takim me të, në korridoret e Komitetit Qendror, e ka përgëzuar jo vetëm për programet e reja që po transmetoheshin nga TVSH-ja, por edhe për transmetimin e ndeshjeve ndërkombëtare që përmenda më sipër. Dhe kur diktatori e kishte pyetur se çfarë veprimtarish të tjera sportive mund të transmetoheshin, Lubonja, pas një propozimi që i kisha bërë unë më parë, i ishte përgjigjur se mund të transmetohej edhe Olimpiada e Mynihut. Dhe diktatori e kishte miratuar këtë ide menjëherë. Mirëpo në Plenumit të 4-t famëkeq të PPSH-së, zhvilluar në qershor të vitit 1973, ky diktator goditi drejtpërdrejt Todi Lubonjën “për shfaqjet e huaja borgjezo-revizioniste në RTVSH”, sidomos pas Festivalit të 11-të të Këngës. Si pasojë, Lubonja përfundoi në bu, rg dhe të gjitha nismat e tij u quajtën të dën, ueshme. Me urdhër të vetë diktatorit vendin e tij e zuri përsëri dogmtiku Nano.

U kritikuan edhe emisione sportive të TVSH-së? Kështu ky institucion u kthye sërishmi në binarët e vjetër…

Së pari, transmetimi i Olimpiadës së Mynihut. Nano, ndër të tjera më ndaloi që në fund të emisionit të lajmeve të paraqitja në ekran ngjarje sportive të ditës, sepse kjo ishte ndikimi nga emisioni “Telexhiornale”, që tansmetonte RAI. Në mars të vitit 1973 për pak sa nuk pezullua një konkurs televiziv sportiv me nxënës të shkollave, sepse unë, i veshur me një xhaketë me kopsa metalike, ngjaja madje me prezantues të televizioneve jugosllave… Nano më ndaloi pastaj që të drejtoja edhe “Rubrikën sportive”, sepse përsëri u ngjaja këtë radhë.. komentatorëve italianë dhe sepse kisha qenë “i përkëdheluri” i Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit që më lëvdonin për paraqitjen e sportit në TVSH . Më pas, edhe për disa gabime të miat më larguan për disa vjet edhe nga TVSH-ja.

Pra, edhe sporti pati pasoja në transmetimet televizive?

Kryesisht sporti ndërkombëtar. U transmetuan vetëm ndeshje ndërkombëtare futbolli dhe ajo më qesharakja, pa zhurmën e mjediseve të stadiumeve, sepse midis tyre mund të dëgjoheshin nga teleshikuesit edhe melodi këngësh të…degjeneruara. Ja, kjo është në përgjithësi historia e shkurtër e lindjes dhe rrugëtimit të sportit në vitet e para të jetës së TVSH-së, deri më 1974…

Burimi: AFP.AL