Korça është ndër të tjera qyteti i serenatave dhe këtë e dinë të gjithë. Mirëpo nëse jemi mësuar që serenatat t’I këndojnë zakonisht djemtë, Spanja Pipa është korçarja që na ka treguar të kundërtën.

Prej 50 vitesh zëri melodioz i Spanja Pipës ka kënduar këngët urbane korçare me një pasion të pashuar.

Ajo ka qenë e para vajzë që u është bashkuar djemve për serenatat e tyre, dhe I këndoi në ambiente të ngushta apo gëzime familjare.

“Jam rritur në një familje ku këndonin të tërë. Babai im i binte fyellit gjithmonë. Mamaja ime ka ndërruar jetë shumë e re, por ajo këndonte një këngë shumë të bukur gjithmonë me babanë, me vëllanë, me mua, me dy motrat. Të gjithë këndonim në shtëpi”, ka rrëfyer Spanja.

Ajo shton se këndon serenata të bukura se ja këndon shpirti dhe ja kërkon zemra. “Kështu janë këngët e serenatës”, thotë ajo.

Spanja Pipa u kthye shpejt në një personazh aktiv në vitet ’60 si këngëtare dhe aktore duke qenë pjesë e muzikës në qytetin plot tradita të Korçës.

Befas asaj ju desh të linte jetën artistike pasi ju desh të dilte në pension në moshën 45-vjeçare. Por edhe sot që jeton në katin e nëntë të një pallati nuk I ndahet këngës.

Spanja ka botuar edhe një libër në vitin 2015 me titull “Spanja Pipa, këngët urbane të Korçës”, ku synonte të përmblidhte dimensionet e kulturës korçare të atyre viteve dhe t’i jepte muzikës një kontekst në rrymat ballkanike./korcajone.al