Streha e parë vorfnore, sot shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli” u ngrit në Shqipëri më 28 Nëntor të vitit 1917 nën mbështetjen e Rauf  Ficos, asokohe nënprefekt i Tiranës.

Në një letër për drejtorin e përgjithshëm të kryqit të kuq shqiptar, Haxhi Shkoza, i cili i kërkonte Ficos të dhënat për iniciativen e ngritjes se Strehës,  zbardhet historia e krijimit te saj.

“Kur isha nënprefekt i Tiranës, nga fundi i muajit prill 1917,  në një ditë me shi e me furtunë në ora 18, nje gjindarme austriak më pruni në zyrë dy kalamaj të vegjël, një djalë 5-vjeçar e një vajzë më të vogël. Gjindarmi këta të mjerë i kishte gjetur duke ngrënë bar në një zebel afër Farkës dhe i kish pru në Tiranë. Në pyetjet që iu bëmë, mezi morëm vesh se ishin motër e vëlla dhe na treguan se nëna e ati i tyre kishin vdekur në mal duke ardh nga Malësia. Për atë natë të vegjlit u vendosën prej të ndjerit Zyber Hallulli në një vend, por të nesërmen na erdhi lajmi se edhe goca kishte vdek atë natë”.

Kjo ngjarje e vendosi Ficon përpara një misioni humanitar: të bënte diçka për jetimet. Menjëherë ai filloi të mblidhte fonde duke çuar në krijimin e strehës së parë vorfnore.

100 vjet më pas kreu i shtetit e ka nderuar Rauf Ficon me Dekoratën “Nënë Tereza për meritën e veçantë si ideues dhe themelues i “Strehës së Parë Vorfnore” në Shqipëri”. Në këtë përvjetor Presidenti Ilir Meta u bëri apel institucioneve të bëjnë përpjekje më të mëdha për të luftuar varfërinë. “Problemet ekonomike dhe papunësia, grindjet dhe dhuna provokojnë ēdo ditë divorce. Janë fëmijët ata që bëhen viktimat e para të divorceve. Prandaj sa më shumë të kujdesemi për familjen”, tha Presidenti Ilir Meta./Konica/