Fatmira Nikolli  – Filmi “Streha mes reve” ka fituar çmimin si filmi më i mirë në Pri Film Fest në Prishtinë. Me regji të Robert Budinës, filmi ka marrë edhe dy çmime të tjera të mëdha, çmimi mirë aktorja më e mirë shkoi për Irena Cahanin dhe çmimi aktori më i mirë në PriFest shkoi për Arben Bajraktarin.

I frymëzuar nga natyra, historia e zonës desha të realizoj një film të realizmit magjik dhe herë-herë sureal të rrëfyer në mënyrë shumë personale dhe subjektive përmes personazhit kryesor të filmit që quhet Besnik dhe është një bari dhe besimtar i devotshëm, i cili kalon në sprova të vështira në raport me familjen, komunitetin, dashurinë dhe besimin në zot”. Ky është në pak fjalë filmi më i ri i Robert Budinës. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” ai rrëfente filmin dhe kohën mes xhirimeve, projekteve e protestës së pareshtur prej muajsh në mbrojtje të godinave të teatrove kombëtarë. “Personalisht për mua ka rëndësi të madhe që filmi është zgjedhur në garën zyrtare kryesore të festivalit dhe konkurron me më të mirën që vjen nga kinemaja botërore pasi ‘Tallin’ është një nga podiumet më të rëndësishme të kinemasë botërore për momentin”, thotë Budina. Në rolet kryesore interpretojnë Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili dhe Virus Shala. Regjisori Robert Budina e kaloi javën e kaluar mes Prishtinës e Tiranës: Prishtinës ku shfaqej filmi në konkurrim dhe Tiranës ku ai është një nga drejtuesit e protestës që ruan Teatrin Kombëtar prej qeverisë prej një viti. Ai e ka bërë dy herë vajtje-ardhje Prishtinën, sepse me të mbërritur ai në festival, në Tiranë qeveria nisi sulmin ndaj teatrit.

Mbi 70 filma, prej tyre 7 premiera botërore, 5 premiera ndërkombëtare, 1 premierë europiane, 19 regjionale dhe 32 premiera kosovare, aktivitete, uorkshope, programe të ndryshme e mbrëmje festive, për një javë e kthyen Prishtinën në adresën e filmit dhe kulturës. Në katër hapësira të ndryshme, në Teatrin Kombëtar, Kino ABC, kino Armata dhe në kinemanë e hapur në sheshin ” Zahir Pajaziti”, qytetarët patën mundësinë të shohin filmat e gjitha programeve garuese dhe jo garuese. Mes një konkurrencë shumë të fortë, me filma nga shumë shtete të botës, nga Hong Kongu, e Korea e Jugut, e deri tek Ekuadori e Sh.B.A., dhe shumë shtete të ndryshme të Europës e rajonit, dhe ajo që na gëzon shumë edhe filma të Kosovës, juria e përbërë nga ekspertë të ndryshëm të industrisë së filmit ka vendosur që “Sreha mes reve” të marrë tre çmime.

Personazhi kryesor, Besniku, është një bari i vetmuar dhe mysliman i devotshëm, i pafat në dashuri. Ai jeton në Alpet e Shqipërisë së Veriut, biri i një nëne katolike, dhe i një babai ish komunist. Atje lart, katolikët dhe myslimanët jetojnë në paqe mes tyre, madje edhe pas zbulimit të Besnikut që xhamia e vjetër e fshatit ka qenë dikur kishë dhe është ndarë mes dy feve në të kaluarën e largët. Vdekja e babait ish komunist sjell ndryshime të mëdha që vënë në rrezik ekuilibrin në familjen me besime të ndryshme fetare të Besnikut, ndaj ai detyrohet të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij.

Pas premierës botërore në festivalin “Black Night”, në Tallinn të Estonisë ai ka vijuar të prezantohet në festivale të ndryshme. Me këtë film Budina ka marrë pjesë në “Fajr International Film Festival” në Teheran, Iran; është përzgjedhur në “Film Fest Muenchen” në Gjermani, në garën zyrtare të filmave ndërkombëtar indipendent. Më herët filmi “Streha mes reve” i regjisorit Robert Budina ka fituar çmimin Global Vision Award në Cinequest Film Festival.

“Doja të realizoja një film intim, personal të realizmit magjik në kufijtë e përrallës ku koha ka ndaluar dhe historia jonë mund të ketë ndodhur, ndodh, ose do të ndodhë. Kjo ngjarje nuk mund të ndodhte veç mes malesh dhe natyrës së vërtetë, virgjërisë, bukurisë, pastërtisë, qetësisë, aty ku e ka origjinën njeriu dhe ku ka lindur historia e tij”, është shprehur regjisori Robert Budina, i cili e ka xhiruar atë në Luginën e Valbonës dhe Dragobisë. Filmi është financuar nga QKK dhe prodhuar nga producentja Sabina Kodra (Era film) në bashkëprodhim me RTSH dhe Cristian Nicolescu, Rumani (Digital Cube). Streha mes Reve u xhirua nga Drejtori i fotografisë së Radu Jude, Marius Panduru (i cili, gjithashtu, ka xhiruar filmin “Album”, triumfues në festivalin e filmit të Sarajevës në 2014), montazhier ?tefan Tatu (Wolf) dhe Kompozitor Marius Left?rache.

“Besniku (Arben Bajraktaraj) ka një cilësi, ai di të jetë në harmoni me komunitetin dhe ritmin e natyrës ku ai jeton. Ai gjunjëzohet për t’u lutur në fushë, mes dhive të tij dhe pastaj thjesht zhduket. Djemtë e fshatit që e spiunojnë, janë të hipnotizuar nga ky vetmitar i heshtur, duke ia atribuuar atij fuqitë mbinatyrore që shkojnë përtej lidhjes me natyrën. Dhe është Besniku, i cili, i udhëzuar nga një instinkt që nuk mund ta shpjegojë, ciflos suvanë në murin e xhamisë së vogël dhe zbulon një fragment të një pikture të lashtë të krishterë”, vërente “Screen Daily”, duke u ndalur në rolin e Besnikut. Ndërsa “DMovies” shkruante: “Dy fe, një tempull! Drama e vendosur në Shqipërinë e thellë rurale dhe tradicionale trajton një ngjarje shumë të pazakontë: unitetin mes myslimanëve dhe katolikëve, të cilët ndajnë mes tyre një xhamikishë të përbashkët. Por a është e mundur?”

Burimi: GSH.AL