NËN HIJET E MURIT

Bashkëbisedim me ish-studentin e Dhjetorit dhe tani regjisori i njohur, Altin Basha.

Monika Shoshori STAFA

Shqipëria po jetonte në fund të viteve ‘80 një gjendje të lodhur stanjacioni ekonomiko-shoqëror. Ramiz Alia kishte filluar të ndiente frikë, një frikë të cilën dukej se po e mendonte mirë si do ta menaxhonte. Në mesin e viteve ‘80 Shqipëria po përballej me probleme serioze ekonomike dhe sociale. Kishin filluar të ndiheshin pasojat e prerjes së ndihmës kineze në 1978. Niveli i jetesës së shumicës së shqiptarëve po shënonte shifra nga më të ulëtat në Europë. Pakënaqësia kishte hyrë në të gjitha shtresat shoqërore dhe shfaqjet e padëshirueshme në shoqëri, kishin marrë përmasa kritike. Nëse në bllokun lindor prej dekadash rezistonin ende edhe pak heronj tragjikë, që mund të flisnin lirisht e që jetonin në mënyrë të shfrenuar përballë fuqisë dërrmuese të pushtetit autokrat komunist, në Shqipëri asnjë si të tillë syresh, nuk mund të përmendej, sepse Shqipëria nuk i kishte heronjtë e vërtetë të disidencës. Lindja i kishte shpallur disidentët e vet qoftë edhe nën një protektorat perëndimor sigurisht e qartazi me një platformë politike si p.sh. Andrej Sakarov në Rusi, Vaslav Havel në Çekosllovaki, apo Les Valesa në Poloni me doktrinën e Solidarnostit. Shqipëria kishte të burgosur politikë, ata të cilët e kundërshtonin regjimin heshturazi por dhe aktivë si shkrimi dhe shpërndarja e trakteve antikomuniste. Por të gjitha ishin akte të paorganizuara, pa asnjë mbështetje nga jashtë e jo më të mendohej nga brenda. Duket se Perëndimi nuk e kishte pasur në zhvillimet e gjeopolitikës së saj vendin e vogël të Ballkanit. Ndryshimi aty do të vinte në varësi të vorbullës që do të përfshinte Lindjen pas mesit të viteve ’80.

Pas gushtit 1990, ngjarjet e vjeshtës në Shqipëri do të mbërrinin me radhë. Ajo çka e trembte më shumë kastën e lartë drejtuese shqiptare ishte mbërritja e studentëve në Tiranë, në qytezën që mbante emrin e tyre, diku sipër rrugës “Labinoti”. Ata ndruheshin se pakënaqësitë dhe protestat e filluara në rrethe do të përhapeshin tashmë me shpejtësi dhe në kryeqytetin e vendit. Duheshin marrë masa për t’i paraprirë të pashmangshmes. Historia po fillonte të shkruhej edhe në Shqipëri. Po cilat ishin zhvillimet që precipituan një pas një deri në lëvizjet studentore shqiptare? A ishte e përgatitur udhëheqja shqiptare ndaj atyre ngjarjeve që do të pasonin lëvizjet e dhjetorit? A kishte një projekt të këtyre zhvillimeve apo ato ndoqën në mënyrë organike njëra-tjetrën? Sa ishin studentët të përfshirë në këtë ndërrim epokash dhe cilët ishin emrat e tyre dhe të pedagogëve më të përfolur për pjesëmarrje energjike në to? Si nisën Refleksionet dhe çfarë i sollën ato procesit të parë të vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri? Për të gjitha këto rrëfehet në një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë, një nga studentët më aktivë të atëkohshëm në mjediset universitare, sot një nga regjisorët më të njohur të spektakleve në “Top Channel”, Altin Basha.

Basha si student i një epoke ku sistemet ndërruan, si erdhën te  ju ngjarjet e Gjermanisë, le të themi rënia e Murit të Berlinit, ato në Europën Lindore etj? Mes studentëve çfarë diskutohej?

Në atë kohë mes nesh ishte vrarë frika për të folur mbi pakënaqësitë ndaj sistemit. Padyshim ishte dhe fryma. Në atë moshë ishim shumë të rinj dhe nuk është se ne kishim shumë frikë. Ndërkohë, kishin ndodhur ngjarjet e ambasadave që ishin një moment shumë i rëndësishëm për jetën sociale në Shqipëri. Futja e njerëzve në to, tregoi që jo çdo mur është i pakalueshëm. Në këto ambasada hynë shumë artistë dhe ata ia dolën të iknin jashtë. Ata e kryen ciklin e vet dhe në këtë pikëpamje ata ishin elementët e parë të vrasjes së frikës për të folur dhe për të dëgjuar apo për të qenë të vëmendshëm ndaj gjërave që ndodhnin rreth nesh. Përveç Gjermanisë, ngjarjet e Rumanisë patën shumë efekt në Shqipëri, sepse u vra Çaushesku. Atje kishin nisur përleshjet dhe dihej se diçka pritet të ndodhë edhe në Shqipëri. Pra thuaj flitej hapur në rrethet studentore për pakënaqësi ndaj sistemit. Në Akademinë e Arteve kishin ndodhur 2-3 ngjarje që kishin lidhje me njëra-tjetrën. Kishte ndodhur ajo mbrëmja e famshme e John Lenonit, që ishte shumë ekstravagante për kohën. Mbrëmja u mbajt me drita të fikura, me qirinj në holl të Akademisë dhe u luajt muzikë me kitarë. Pastaj u organizua një mbledhje me Hekuran Isain, ministrin e Brendshëm atëkohë, të cilit studentët i drejtuan ca pyetje. Aty u fol për Kadarenë dhe për largimin e tij, për dyshimet mbi themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare më 8 nëntor 1941, menjëherë pasi kishte pushtuar Shqipërinë Italia fashiste. Më pas u mbajtën “Refleksionet”, po këto u mbajtën një vit më vonë. Ishin një seri takimesh mes të rinjve që aspironin për një botë të re. Komunizmi na kishte marrë frymën të gjithëve. Pikërisht aty për herë të parë kam dëgjuar parullën “Poshtë  Enver Hoxha!” dhe e ka thënë një student i pikturës, Ervin Blloshmi. Ai na pati habitur me kurajën e tij.

Si i përjetonte Teatri Kombëtar dhe Kinostudioja, dy institucione të rëndësishme ku lëvizjet e para të opozitarizmit kishin nisur kohë më parë, zhvillimet që merrnin shkallë-shkallë tatëpjetën e tyre deri në dhjetor të 1990?

Kinostudio ka qenë një institucion liberal, ka pas një frymë liberalizmi edhe në kohën kur diktatura ishte shumë e fuqishme. Në Kinostudio kishte një grup intelektualësh të cilët e përcillnin pakënaqësinë ndaj sistemit. P.sh. filmi i K. Çashkut  “Balada e Kurbinit” ishte një metaforë kundërshtie ndaj sistemit. Ajo drobitja e personazhit kryesor, e Pashait, që po përjetonte fundin e tij, ishte një lloj paralajmërimi për rënien e sistemit në Shqipëri se si i ikte fuqia dhe se si degradonte. Gjithçka aty fliste me simbolika, metafora që lidheshin me sistemin në ikje. Veprat e Kadaresë kanë pas ndikim shumë të fortë te shtresa e mesme, te rinia në atë kohë. Lexoheshin të gjitha si mesazhe kundër diktaturës. Madje shkëpusnim fjali nga librat e tij, të cilat i përdornim si argumente për të treguar që Kadareja ishte një antikomunist. Përveç studentëve, kishte dhe shumë pedagogë të rinj në atë kohë, të cilët e propagandonin këtë frymë. Me ata ndihej lehtësia me të cilën mund të komunikoje. Kjo ndodhte p.sh. me Edi Ramën apo dhe me Vladimir Myrtezain, të cilët ishin pedagogë të rinj të Fakultetit të Arteve Pamore, me Arben Imamin dhe Edmond Budinën. Profesor Mondi ishte shumë liberal si pedagog, kishte një komunikim jashtëzakonisht të hapur me studentët dhe e konsideronim si shokun tonë. Madje dhe kur filloi demonstrata e studentëve Beni dhe Mondi, kanë qenë nga të parët pedagogë që kanë qenë bashkë me studentët atje. Ne ishim të rinj dhe na duhej një lloj protektori, një lloj personazhi që ishte, si një lloj lideri i yni. Nuk ishte e lehtë në atë kohë, jo të gjithë pedagogët e kanë bërë këtë gjë, kaq hapur, pra t’i përkrahnin studentët.

A mund të më përshkruash pak më shumë për mbrëmjet e dhjetorit ku luhej muzika e John Lenonit në Institutin e Lartë të Arteve?

Te Fakulteti i Arteve Pamore është organizuar mbrëmja. U kënduan këngët e Beatles, jo se ishin ndaluar, por ato u kënduan në mënyrë pak më të ekspozuar. Mbrëmja u organizua në mënyrë pak më ekstravagante, me ato dritat që u fikën dhe u konsiderua shumë e degjeneruar. Në fakt, ajo ishte një lloj reagimi i fortë ndaj gjendjes së pashpresë që Shqipëria po jetonte në atë kohë. Kishte degraduar çdo gjë. Edhe Akademia nuk po funksiononte mirë, sepse nuk e kishte më mendjen njeri te mësimi. E kujtoj dhe një episod shumë të rëndësishëm në atë kohë. Ka qenë profesor Furxhiu, një personazh që ne e dinim që kishte jetuar nën presionin e sistemit, nën një presion të jashtëzakonshëm ka qenë e gjithë krijimtaria e tij. Dhe jeta e tij ishte nën presion. Profesor Furxhiu ishte shefi i Katedrës së Regjisë dhe padyshim si funksionar administrativ kishte detyrë t’i mbante studentët në fakultet. Kur i kemi thënë, shiko profesor se plasi andej….!!!!  Ku, pyeti ai, te studentët?  Ikni nga shkolla, na tha ai. Ka qenë një personazh i madh. Edhe atë e kemi parë të çliruar si asnjëherë tjetër nga presioni i sistemit, sepse prof. Furxhiu ka qenë një nga personat kryesorë të anatemuar për shfaqjen  “Njollat e Murrme” në vitin 1974. Sapo mori vesh që gjërat po bëhen reale e jo vetëm me fjalë, pra mbi ndodhitë në Qytetin Studenti gati-gati shpërtheu në entuziazëm.

Po për Refleksionet që u mbajtën në vitin 1991? Cili është perceptimi juaj për këtë lloj forumi të parë të hapur në publik?

Refleksionet kanë qenë shumë interesante. Ndodhën më vonë. Ne atje pamë personazhe për të cilët nuk kishim dëgjuar kurrë. Fjala vjen, kur është lexuar letra e Kasem Trebeshinës drejtuar Enver Hoxhës, salla është shokuar. Si mundet që një intelektual i asaj kohe të kishte atë kurajë të shkruante ato që Kasem Trebeshina kishte shkruar dhe kur Kasem Trebeshina doli në skenë, ai ishte një moment i paharrueshëm. Pastaj sigurisht, ky pasioni i Ramës, për t’i thënë gjërat troç u dhanë mbrëmjeve të Refleksioneve një dimension tjetër, një dimension lirie që Shqipëria s’e kish jetuar ndonjëherë që nga koha e pasluftës. Ne ishim të rinj, por megjithatë e kuptonim që gjërat ishin shumë të thella, ishin shumë serioze. Refleksionet ishin më shumë sesa një lëvizje studentore pra gjërat në Shqipëri përfundimisht nuk do të ktheheshin më mbrapsht. Pastaj ka qenë dhe një episod tjetër shumë i rëndësishëm. Erdhi një personazh nga Kosova, Zekerija Cana nëse nuk gaboj dhe ka elektrizuar sallën në mënyrë të jashtëzakonshme kur ka thënë se ai ka ardhur nga Kosova, për të marrë pjesë në ndryshimet e sistemit. Edhe ky ka qenë një moment i jashtëzakonshëm në sallë./Gazeta Shqip/