Një sundimtar bashkë me shoqëruesit e tij, doli për shëtitje. Gjatë rrugës kaloi nga një fshat ku shikoi një plak, i cili po punonte me shumë zell kopshtin e vet.

E thirri plakun nga larg dhe i tha: – Baba, përse po mbjell fidanë? Qenke thinjur e të paska ecur goxha mosha, ndoshta nuk do të arrish që të shijosh frytet e këtyre fidanëve. 

– Biri im, nuk është e thënë që të korr frytet e asaj që mbjell. Ashtu si kemi ngrënë frutat e të parëve tanë, ashtu do të hanë edhe të rinjtë frutat e punëve tona. 

Sundimtarit i pëlqeu shumë kjo përgjigje dhe dha urdhër që t’i jepnin plakut një qese me florinj. 
Plaku duke komentuar tha: – E shikove, biri im? Fidanët e mi i dhanë menjëherë frytet. 

Edhe kjo përgjigje u pëlqye nga sundimtari, i cili urdhëroi sërish që t’i jepet plakut të urtë edhe një qese tjetër me florinj. 
Plaku i mençur në vazhdim tha: – Biri im, fidanët e njerëzve të tjerë japin fryte vetëm një herë në vit ndërsa këta tanët dhanë dy herë në vit. 
Edhe kjo përgjigje i pëlqeu shumë sundimtarit dhe urdhëroi që t’i jepet një qese e tretë. 

Por, këtë herë ndërhyri veziri i cili i tha: – Të lutem o mbreti im, hajde të largohemi prej këtu se kështu si po vete puna, plaku po mbjellë fidanë në arë dhe po korrë thesarin e shtetit!