Rrëfimet e operatorit Bujar Kore: Shenjtorja u shpreh hapur se, “Shqipëria është toka e gjakut tim” dhe “Në vend të urrejtjes, dashuri”. Si iu shmang Nexhmija kërkesës së saj dhe pse nuk lejoi Ramiz Alia çeljen e misionit të motrave të Nënë Terezës në 1989-n

-M’u dukën të çuditshme përgjigjet e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës për fenë dhe misionin e saj

-Ramiz Alia nuk lejoi që motrat e saj të çelnin misionin në Shqipëri në vitin 1989
-Nexhmije Hoxha iu shmang kërkesës së Nënë Terezës, duke i thënë:Nuk vendos unë!”

-Jam i pari operator shqiptar që kam filmuar vizitën e saj të parë historike, më 1989-n
-Kam mbi 10 orë xhirime me Nënë Terezën, por në arkiv është vetëm një orë, ish-drejtuesit i kanë shitur

-Nënë Tereza u shpreh hapur se “Shqipëria është toka e gjakut tim” dhe “Në vend të urrejtjes, dashuri.”

-19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit për lumturimin e Nënë Terezës, u njoh botërisht kush ishte Shqipëria

Albert Z. ZHOLI

Bujar Kore ka hyrë në historikun e RTSH si njëAi mbetet në historinë e operatorëve shqiptarë, operatori i parë, i cili xhiroi vizitën e parë dhe të dytë të Nënë Terezës në Shqipëri. Emocionet e tij për këtë figurë gjigante shqiptare janë të jashtëzakonshme. Ai përshkruan me detaje të gjitha mbresat, takimet, lëvizjet, urimet, bekimet, komunikimin, dëshirat. Por e veçanta e tregimit të tij është se ai loton kur flet për këtë figurë të shquar, aq impresionuese kanë qenë ato xhirime. Për të, momentit magjik kur Nënë Tereza doli nga dera e avionit, bëri që Bujari për disa momente shtangu nga rrezatimi i figurës së saj, për disa momente nuk e vuri në lëvizje aparatin. Një nga momentet më magjike të saj është pritja që i bëri Papës në Rinas. Aty pa se si Nënë Terezën, Papa e puthi në ballë dhe nuk e lejoi t’i puthë dorën, pasi shenjtëria e saj ishte më e madhe, ndaj theksoi se “Nënë Tereza është Nëna e të gjithë Botës”.

Kur e keni takuar për herë të parë Nënën Terezë?
Për herë të parë Nënën e Madhe të gjithë njerëzimit, e kam takuar në vitin 1989, kur ajo zbriti për herë të parë në aeroportin e Rinasit, në tokën shqiptare. Ishte një vizitë historikedhe shtypi i huaj i dha rëndësi të madhe, ndërsa media jonë e kaloi përciptazi. Ajo ishte e shoqëruar nga disa motra të saj. Ajo që më ra në sy ishte, se atë nuk e priti asnjë zyrtar i lartë i kohës. Pra, asnjë anëtar i Byrosë Politike apo Kryeministër, ndërkohë që në çdo vend të botës ku ajo shkonte pritej si Perëndi. Ishte një pritje e thjeshtë, tepër modeste për një grua të madhe. Ajo zbriti në Rinas ashtu shtatvogël, por që linte pas një ndriçim prarues që të dukej se diçka ndriste në çdo hap që hidhte. Ecja e saj, veshja e saj, shikimi i saj ishte magjepsës. Me të vërtetë ajo të shtangte. Bëja çudi kur një botë e tërë çohej në këmbë para saj në Shqipëri kjo lavdi ishte thuajse inekzistente. Ishte koha kur ende feja në Shqipëri ishte e ndaluar dhe kultet fetare nuk ishin hapur dhe besimtarët luteshin fshehurazi nëpër shtëpi.

-Kush e priti Nënë Terezën në Rinas?
Ishte zv.ministri i Shëndetësisë së asaj kohe dhe kryetari Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe nja dy tre të tjerë. ishte një pritje e thjeshtë, pa shumë zhurmë dhe pa shumë ceremoni. Ajo ishte shoqëruar nga disa motra të saj.

-Ju atë kohë ishit i vetmi televizion në Shqipëri, si u ndjetë që ishit i pari operator, që keni xhiruar Nënë Terezën në Shqipëri?
Sot kur e mendoj dhe e shikoj në retrospektivë them se kam lindur me fat së bashku me gazetarin Ferdinand Samarxhi. Ndoshta në atë kohë, atë moment duke pasur parasysh sistemin nuk pata ndonjë emocion, por sot kur shikoj famën, respektin, mirësitë, lavdinë e saj, them se ndihem tepër i përkëdhelur. Por edhe në ato momente i bëra shumë pyetje vetes. P.sh., si ka mundësi që e presin një grua me emër dhe nuk i japin rëndësinë e duhur?! Pse nuk pritet si priten shumë kryetarë partish komuniste apo anëtarë të Byrove Politike të vendeve ish-komuniste?! E dija që feja ishte ndaluar tek ne dhe ajo ishte një shenjtore, por përderisa e linin të vizitonte Shqipërinë, pse të mos bëheshin nderet e duhura?!

-Si u ndjetë kur ajo zbriste shkallët e avionit?
Kisha shumë kureshtje, kisha shumë mendime në kokë. Pritej një shenjtore. E mbaja kamerën në duar dhe prisja momentin të filmoja. Kur ajo zbriti shkallët e avionit për një moment u stepa. Nuk e shkela këmbëzën e filmimit. Kisha shumë kureshtje, pasi hera e parë që isha në një pritje të tillë. Sa bëri hapat e para i thirra mendjes. Duhej të lija kureshtjen dhe të bëja detyrën. Unë nuk isha si të gjithë por me një detyrë specifike. E çoja kamerën me kujdes ku ajo shkelte. Prisja një gjigante, por ajo ishte e shkurtër, e dobët, por kishte forcën e shpirt të madhe. Të impononte dëshirë për ta ndjekur, me atë fytyrë engjëllore dhe veshje specifike, më bëri të tërin për vete.

-Cili ishte qëllimi i vërtetë i Nënë Terezës në Shqipëri?
Me sa mora vesh, ajo kishte qëllim që misionin e Motrave të saj ta hapte dhe në Shqipëri. Donte patjetër që vendi ynë të ishte pjesë e këtij misioni fisnik. Por atë kohë ishte tjetër ideologji, jo çdo gjë mund të bëhej me një firmë. Feja ende ishte “opium”, ishte tejet e ndaluar. Ne në këtë drejtim ishim vendi më i pa fe në botë. Feja ishte tabu absolute.

-Me cilët pati takime në atë kohë Nënë Tereza?
Pati shumë takime, por unë do të veçoj dy. Takimi i parë ishte me Ramiz Alinë, vazhduesin e veprës dhe rrugës së Enverit (pra, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH) dhe së dyti, me Nexhmije Hoxhën. Takimi i parë u bë në zyrën e Ramiz Alisë dhe takimi i dytë në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës. Në takimin me Ramiz Alinë Nënë Tereza i kërkoi shefit të PPSH për një vend apo ndërtesë për të hapur përfaqësinë e misionareve të saj në Tiranë. Të njëjtën kërkesë ia parashtroi dhe Nexhmijë Hoxhës.
– Çfarë përgjigje i dha Ramizi dhe Nexhmija?
Ata i dhanë afërsisht të njëjtën përgjigje. Ramizi i tha se nuk janë pjekur kushtet në Shqipëri për ligjërimin e fesë dhe të misioneve të tilla fetare në Shqipëri, pasi është e ndaluar me Kushtetutë propaganda fetare. Ndërsa Nexhimja më me diplomaci iu përgjigj se nuk kishte ajo autoritetin dhe firmën për diçka të tillë. Pra, si duket ato ishin marrë vesh për të mos e lejuar hapjen e një misioni të tillë, të Motrave në Nënë Terezës në Shqipëri. Me sa pashë Nënë Tereza u habit dhe u mërzit shumë me këtë përgjigje, i dukej absurde. Kjo më tepër se misioni i Motrave të saj ishte përhapur në gjithë botën ku ajo respektohej si një Presidente. Më vinte keq shumë kur shihja fytyrën e saj që shprehte habi. Kishte besim se diçka pozitive do të ndodhte. Por…

-A u dha lajm-kronikë në TVSH kjo vizitë?
Eh…S’di ç’të them, por e vërteta ishte se u dha një kronikë vetëm 40 sekonda. Kronika përcillte se “Sot në Tiranë erdhi për një vizitë Nënë Tereza…”. Pra, shkurt, shkurt fare sikur bëhej djalë për mbjelljen e domateve në një ndërmarrje bujqësore. Lajmin e përgatiti gazetari Ferdinand Samarxhi.
-Ju, sa orë filmuat kur e shoqëruat (total)?
Ju thashë që pata fatin dhe nderin e madh që të filmoj këtë vizitë. Ajo ishte një Hyjneshë e zotit. E filmova në të gjitha vendet ku shkoi dhe takimet që bëri. E filmova kur zbriti në Rinas, kur takoi Ramiz Alinë, kur takoi Nexhmije Hoxhën dhe në disa vizita që bëri në veri të vendit. Kam shumë kujtime të bukura dhe foto me të. Kur më prekte dorën apo më afrohej më dukej sikur zoti vetë më merrte në mbrojtje. Kishte një frymë të shenjtë. Shumë takime nuk u dhanë por unë i kam në arkivin tim. Shumë të tjera i kanë marrë televizionet e tjera dhe i përcjellin tek shikuesi si të tyre, pa emër autori. Kam bërë mbi 10 orë xhirime, njëra më e mirë se tjetra. Xhirime që më kanë lënë mbresa të mëdha. Por sot në arkivin e RTSH nuk gjen as një orë xhirime. Ish-drejtorët e asaj kohe me radhë i përvetësuan dhe nuk e di ku i kanë çuar këto xhirime për përfitime personale.

-Kur ka ardhur për herë të dytë Nënë Tereza?
Për herë të dytë ka ardhur kur proceset demokratike kishin sjellë demokracinë në Shqipëri. Ishte 18 gushti i vitit 1992, kur President ishte Sali Berisha dhe Kryeministër Aleksandër Meksi. Tashmë shumë gjëra kishin ndryshuar. Në këtë vizitë Nënë Tereza u shpreh hapur se “Shqipëria është toka e gjakut tim” dhe “Në vend të urrejtjes, dashuri”. Asaj prej shumë vitesh i ishte mohuar e drejta të vizitonte Shqipërinë dhe varrezat e të afërmve në Sharrë që nga viti 1928 kur ishte larguar. Ajo nuk kishte vendosur një tufë me lule në varet e të afërmve të saj në Sharrë. Ajo zhvilloi takime me Sali Berishën dhe me Aleksandër Meksin, të cilët i dhanë mbështetjen për hapjen e misionit të saj të bamirësisë së Tiranë.
Po takimi i tretë?
Vitit 1993! Nënë Tereza priti Papa Vojtilën në Rinas. Më bëri çudi për rëndësinë dhe dashurinë e madhe që tregoi Papa ndaj Nënë Terezës, Ajo donte t’i puthte dorën, ndërsa ai u ul paksa dhe i puthi kokën (ballin). Një gjest shumë human dhe vlerësues. Papa theksoi se Nënë Tereza është simboli i gjithë shqiptarëve, por edhe të gjithë njerëzve të vuajtur. Ajo i ka bërë shqiptarët të njohur kudo në botë me veprën dhe punën e saj. Shërbimet e saj për të varfrit kudo në botë janë shumë të mëdha tha Papa. Ai e quajti Nënë Terezën Nënë të të gjithë Botës.

-Kush ishte e veçanta e Nënë Terezës?
E veçanta ishte se ajo nuk bënte dallime në besimet fetare. Ajo të gjithë i quante njerëz dhe takoi krerët dhe besimtarët e të gjitha besimeve fetare, mysliman, bektashinj, ortodoks apo katolik.

-Nga xhirimet për të dhe gjatë vizitave të saj, çfarë të veçante do të kujtosh?
Janë shumë, shumë. Mbaj mend se në takimet që mbajti në Pukë me popullin, një njeri e kishin sjellë me barela pranë saj pasi nuk ecte. Për çudi, sa e vendosën barelën pranë saj, ai i habiti njerëzit përreth kur u çua për disa moment në këmbë. ishte një mrekulli. Ajo vetë nuk e besonte. Por dua të veçoj thjeshtësinë dhe bujarinë e madhe të saj. Sa herë shkonte në Vatikan, afër tij Nënë Tereza kishte dhomën e saj të gjumit. ishte dhoma më modeste që kam parë në jetën time. Unë kam filmuar shumë detaje të jetës së saj, pasi ne bëmë një dokumentar me gazetarin Engjëll Ndocaj. Në atë dhomë kishte një krevat të thjeshtë, një tavolinë një frigorifer, perde të zakonshme dhe mbulesë të zakonshme që mund ti ketë dhe njeriu më i varfër në botë. Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë dhomë ishte një zemër e improvizuar plastike që brenda kishte formën reale të zemrës së saj, ku nëpërmjet gypave plastik dukej ose përcillej ngjyra e gjakut të saj. Pra një simbol i dashurisë njerëzore.

– Më 19 tetor 2003 në Sheshin e Shën Pjetrit për lumturimin e Nënë Terezës, cilat ishin të veçantat?
Kjo ditë ishte historike. Gjithë bota në këtë ditë njohu më shumë Shqipërinë. Në këtë ditë flamuri shqiptar zaptoi Vatikanin. Vetëm flamuri kuq e zi mbizotëronte. Në Sheshin e Shën Pjetrit ishin mbi 10 mijë vetë ku pjesa dërmuese ishin shqiptarë. Një moment historik. Gjithë bota njohu se kush ishte Shqipëria. Kishte shumë njerëz që se njihnin dhe morën vesh se çfarë figure të madhe nxori një vend i vogël.
-Po e veçanta e bekimit të Kishës së Shkodrës?
Kur në Shqipëri u zyrtarizua feja dhe besimtarët u çliruan nga izolimi shpirtëror 50-vjeçar, Nënë Tereza nëpërmjet ish-zv.ministrit të Jashtëm shqiptar të vitit 1991 dërgoi ujë të bekuar, për të bekuar muret e kishës së Madhe në Shkodër. Ky gjest u diskutua shumë në botë.

Në Ditën e Lumturimit

Më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Ganxhe Bojaxhiun – Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e altarit. Ja fjalët e çastit kulmor, shqiptimi i Formulës së Lumturimit nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme të 19 tetorit 2003:

“Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet “E Lume” e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.

Burimi: Telegraf.al