Deri në vitin 1921, në Shqipëri taksa mbi ndërtesat dhe trojet zbatohej sipas ligjit ottoman dhe bazohej në vlerën reale të ndërtesave. Më 27 nëntor të vitit 1921 do të miratohej një rregullore e re që do të merrte fuqi ligjore në vitin 1922, duke aplikuar një skemë tatimi progresiv. Kjo rregullore u miratua pas një procesi regjistrimi që iu bë ndërtesave e trojeve, që u shoqërua edhe me rivlerësimin e tyre. Ky rivlerësim i banesave e trojeve do të shërbente si bazë për përllogaritjen e modelit të ri të taksimit.

Referuar rregullores, trojet e ndërtimit në qendrat e qyteteve tatoheshin me 15 %, ato rreth qyteteve me 10% dhe në fshatra me 4 %.

Ndërkohë, shtëpitë taksoheshin mbi bazën e vlerës së tyre. Banesat të cilat kishin një vlerë nën 15 mijë franga ari tatoheshin me 5%; banesat e vlerësuara 15 mijë deri në 25 mijë franga ari tatoheshin mbi tepricën 7 % ndërsa banesat që kishin një vlerë mbi 25 mijë franga ari tatoheshin në masën 8 %.

Ndërkohë, ndërtesat që përdoreshin për qëllime ekonomike (dyqanet) tatoheshin në masën 12 %.

Në vitin 1930, qeveria e kohës do të ndërmerrte një politikë stimuluese për modernizimin e banesave. Politika e ndërmarrë parashikonte përjashtimin nga detyrimi i taksës së ndërtesës i godinave që ngriheshin në 5 vitet e ardhshme në Tiranë e Durrës. Kjo lehtësi fiskale kishte si synim zbukurimin e modernizimin e dy qyteteve më të rëndësishme të vendit. Në vitin 1932, do të ndërhyhej në këtë vendim duke e shtyrë në 8 vite këtë afat.

Në vitin 1931, ligji i vitit 1921 do të amendohej duke shfuqizuar disa pjesë të tij e duke përcaktuar baza të reja tatimi. Referuar amendimeve, për ndërtesat ku banonte vetë i zoti tatimi ishte 5 % ndërsa për trojet që ndodheshin në qendër ose brenda kufitit të qytetit taksa ishte po 5%.

Gjithashtu duke marrë bazën e të ardhurave vjetore të ndërtesve (shtëopi, dyqane, magazine, hotele, fabrika, punishte, mullinj) ato do të tatoheshin me 7% të të ardhurave bruto.

Nga sistemi i taksimit të ndërtesave e trojeve do të arkëtoheshin mesatarisht 650 mijë franga ari në vit.

Por me kalimin e viteve, të ardhurat nga kjo taksë do të shënonin rënie, kjo për faktin se vendi po ndjente pasojat e krizës ekonomike globale. Si rrjedhojë, në periudhën 1936-1937, arkëtimet nga këto taksa arritën në 300 mijë franga ari. Ulja e nivelit të arkëtimeve nga kjo taksë pranohet edhe botimin zyrtar të vitit 1937 nga komisioni i kremtimeve të 25 vjetorit të pavarëisë së vendit ku janë të dhënat mbi veprimeet shtetërore të 25 viteve.

“Këto t’ardhuna, gradualisht e vjet mbas vjeti, kanë zbritun, në ushtrimin e kaluem 1936-1937, në fr.ari 300.000; gja kjo që tregon haptaz se tatimi në pjesën ma të madhe të tij randon mbi ndërtesa të destinueme për banim, shumica e së cilavet, të ngrehuna në kohëna prosperiteti e sidomos nëpër katunde-ndërsa përfaqësojnë një vleftë të madhe e si e tillë e tatueshme randë, pronarëvet-banuesa nga natyra e destinimit të tyne, këto ndërtesa nuk u sjellin dot ndonjë t’ardhunë vjetore por, përkundrazi u shkaktojnë edhe shpenzimin e mirëmbajtjes. Pra me krizën që dominon, mospërballimi i pagesës së këtij tatimit ose nxjerrja e tij me vështirësi nga bashkadhanasit, gjen justifikimin e duhun” shkruhej në raport.

Kreshnik KUÇAJ/SCAN