Ish-trajneri i famshëm i Dinamos, Kreshnik Tartari, në një rrëfim ekskluziv e tronditës për “Albania”-n, zbulon detaje nga jeta e ish-të fejuarës së djalit të kryeministrit të vetëvr, arë, Mehmet Shehu, Dash Frasheri- “Drama e vajzës më të shkëlqyer të ekipit, Silva Turdiu, për “faj” të volejbollit dhe absurdit politik të regjimit komunist, është një nga pengjet e mia”.

Kjo është brenga e madhe e Kreshnik Tartarit, ish-trajnerit të Dinamos së famshme të viteve 1975-1990, në lidhje me ato që ai përjetoi në “vetë të parë” pas ndëshkimit të volejbollistes bukuroshe 20-vjeçare, Silva Turdiu, për shkak të fejesës më Skënder Shehun, djalin e dytë të ish-kryeministrit më jetëgjatë komunist, por dhe të gjithë historisë shqiptare, Mehmet Shehut. Lidhja e pazakontë Shehu-Turdiu, i pari pinjoll i njeriut të dytë më të fuqishëm në regjimin komunist pas Enver Hoxhës dhe e dyta, pinjolle e dy prej familjeve më të shquara shqiptare, Turdinjve (nga i ati) dhe Pipajve (nga e ëma), ishte sintezë e një regjimi sa human në dukje, aq brutal në ndëshkime shembullore. Një lidhje e nisur midis dy të rinjve të dashuruar marrëzisht në fillim të vitit 1980, e zyrtarizuar si fejesë më 1 shtator të vitit 1981; e shoqëruar me një vizitë urimi të Enver Hoxhës më 3 shtator 1981, e vazhduar me një proces të frikshëm “Hoxha kundër Shehut” dhe e përfunduar me vdekjen e kryeministrit Mehmet Shehu më 17 dhjetor 1981, në një nga enigmat më të mëdha të historisë 45-vjeçare komuniste, nëse ishte vr, asje apo vetëvr, asje.

Silva Turdiu, vajza e profesorit të nderuar të matematikës, Qazim Turdiu, njëherësh edhe mbesa e gjigantit të letrave, Arshi Pipa, të arratisur në Shtetet e Bashkuara, një prej simboleve të bukurisë tiranase, volejbolliste kampione me Dinamon, përjetoi një fat tragjik jo vetëm ndarjen nga i fejuari i saj, por dhe nga pasioni i saj më i madh, volejbolli. Nga mikeshat më të mira të saj, Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Emona Gripshi, por dhe nga trajneri i saj, njeriu që e rriti dhe e bëri të famshme, trajneri Kreshnik Tartari. Pikërisht trajneri që e stërviti 5 vjet më radhë, qyshkur ajo ishte vetëm 15 vjeçe, e derisa u nda përfundimisht nga bota e sportit, rrëfehet ekskluzivisht për gazetën “Albania”. “Silva nuk u bë e famshme nga lidhja me djalin e Mehmet Shehut, ajo ishte një kampione e madhe, dhe e tillë ka mbetur”. 

Silva Turdiu është bashkëkohëse e kolosëve të volejbollit shqiptar për femra si Ela Tasen dhe Mimoza Ibrahimi. Për fat të keq fati i saj lidhet ngushtësisht me një ngjarje të bujshme dhe të trishtuar. Si erdhi Silva te Dinamo dhe te volejbolli?
Silva Turdiu ishte një nga vajzat e mirëseleksionuara, siç seleksionoheshin në atë kohë nga klasat sportive, në të gjitha llojet e sporteve dhe me një organizim të përsosur. Ishte një sistem që funksiononte në të gjithë Shqipërinë. Ishte një sistem që kush nuk e di, ndoshta mund të habitet po t’i them se kështu veprohet e seleksionohet në mënyrë të natyrshme në Amerikë sot. Në kolegje ku bëhen sporte të veçanta, si basketbolli apo volejbolli në shkollat e mesme. Te ne ky sistem funksiononte në mënyrë të përkryer. Silva ishte pikërisht një nga këto vajza, në një shkollë që quhej “Fan Noli” dhe që ishte nën patronazhin e Dinamos për meshkuj e femra. 

Kush e kishte stërvitur Silvën përpara se ajo të vinte te Dinamo?
Silvën e kam gjetur së bashku dhe me Emona Gripshin, më vonë edhe Alketa Doçin, te shkolla “Fan Noli”. Ishin në klasat sportive të 8-vjeçares të seleksionuara nga mësuesit, të cilët e kishin për detyrë për të marrë nxënësit më të mirë e për t’i futur në klasat sportive të klasës së pestë. Kur ajo ishte në klasën e shtatë, unë, së bashku me trajnerin Vangjel Koja, të ekipit të Dinamos për meshkuj, çdo vit kishim për të detyrë të shkonim e të kërkonim nxënësit më të talentuar e t’i rekrutonim në ekipet e paratërejave të klubit të Dinamos. Një ditë të bukur pashë Silvën, së bashku me një vajzë tjetër, në fillim të vitit shkollor. Mbaj mend që i shkëlqyen sytë kur i thashë se “t’i do të vish të luash për Dinamon”. 

Si reagoi Silva?
Në fakt, vështirësia ishte se më duhej të bindja të atin e saj, profesor Qazim Turdiun, i cili, duke dashur që Silva të ishte shumë mirë me mësime, nuk dëshironte ajo që t’i përkushtohej sportit. Silva kishte dell matematicieneje dhe dallohej në shkencat ekzakte; kjo edhe për shkak të traditës familjare. U desh shumë punë për të bindur babanë e saj që ta linte. Gjeta krah të vëllanë e Silvës, Paridin, i cili luante basketboll me të rinjtë e Dinamos, e sidomos të ëmën, një zonjë e nderuar. Ajo kishte qejf që vajza të luante volejboll. Qazimi jo se nuk donte, por kishte hallin e mësimeve. Më në fund mbaj mend që premtoi se nuk do të binte nga mësimet. Në fakt ky ishte një problem i gjithë prindërve, sidomos ata që i kishin fëmijët nxënës të mirë. Kështu filloi. Dhe meqenëse më pyete direkt për Silva Turdiun, në fakt nuk ishte ndonjë seleksionim i veçantë i saj. 

A spikati Turdiu si një vajzë që premtonte? 
Nga ajo shkollë kanë dalë disa emra të shquar të volejbollit për femra që bënë epokë. Në atë shkollë ka qenë edhe Leonard Tase, vëllai i Elës, mësues, i cili e vlerësonte shumë aftësitë e Silvës. Pa dyshim, Dinamo kishte emra të famshëm; dua të përmend Ela Tasen, Mimoza Ibrahimin, Agi Babulin, Lulëzime Dukën. Këto sitën vetvetiu elementin e ri më të mirë. Ishte shumë e lehtë puna për të vlerësuar shkallën e mjeshtërisë. Vajzat e talentuara dalloheshin qysh me ekipin e të rejave, dhe kur vinin me të rriturat fitonin të tjera cilësi, piqeshin e bëheshin lojtare profesioniste. Silva punoi së bashku me Mimoza Ibrahimin, Emona Gripshin, Agi Babulin. Ky ishte një brez, i cili ka bërë një Ballkaniadë të të rejave. Në fakt askush nuk e kujton këtë moment, pasi u bë në vitin 1981. Kanë fituar medaljen e argjendtë. Ishin të gjitha të reja, të gjitha 19-vjeçare. Dhe dolën të dytat në Ballkan kur u ndeshën me Rumaninë, Bullgarinë, Jugosllavinë, ndërkohë që Turqia e Greqia ishin pak më modeste, pasi kishin bërë edhe një finale të Kampionatit Europian. Dhe ky ishte momenti që i nxori në elitën e sportit shqiptar këto vajza, së bashku edhe me brezin e Tases, Drenit, Dukës, Podgoricës, të cilat ishin pak më të rritura. Këto formuan më pas një Kombëtare të ardhshme të lavdishme. 

A u përfshi Silva në ekipin Kombëtar?
Jo, ajo u këput përpara këtij momenti. Pikërisht në vitin 1981 filloi historia e drama e saj. 

Emri i Silva Turdiut u bë i famshëm për lidhjen me djalin e kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, Skënderin. Ju, si trajneri i saj, a e kishit konstatuar lidhjen e tyre, a ishte publike në sytë tuaj lidhja e saj?
Nuk mund ta them nëse ishte dashuri apo kishte simpati midis tyre. Gjithsesi, historia e lidhje së saj, besoj se kishte të bënte me dashurinë. Në fakt, unë gjithmonë i jam shmangur kësaj pyetjeje. Kjo është një ngjarje tmerrësisht e trishtueshme. I ndodhi Silvës, pikërisht në moshën 20-vjeçare. Silva ka lindur në vitin 1961. Pësoi një këputje në kulmin e saj jo vetëm në volejboll, por ç’është më e tmerrshmja, një këputje të jetës së saj për momentin. Silvës iu këput ylli i volejbollit, ose si të thuash, trajektorja e volejbollit, apo një pjesë e jetës së saj që lidhej me pasionin. Më pas iu këputën gjëra më të rëndësishme se volejbolli. Ishte diploma, ishte shkolla. Ishte një studente e shkëlqyer në Fakultetin Ekonomik. Ajo ka preferuar mos ta përmendim më këtë. Dhe ka bërë mirë. Por, mbi të gjitha, linçimi i dy familjeve shumë të nderuara që përfaqësonte Silva, të cilat kishin vuajtur jo pak në regjimin e kaluar.

A ishte kjo histori që e bëri të famshme dhe brenda grupit të vajzave?
Nuk është e vërtetë se historia e lidhjes me djalin e Mehmet Shehut e bëri të famshme Silvën. Nuk është aspak e vërtetë. Kjo është një histori e dhimbshme, ose më mirë një krim. Një tragjedi e vërtetë që i ndodhi kësaj vajze e që u bë nga sistemi i asaj kohe. Nuk duhet ta harrojmë kurrë se ajo ishte ndërkohë një kampione, madje për disa vite rresht me Dinamon ishte pjesë e formacionit kryesor. Ishte finaliste e Europës dhe nënkampione e Ballkanit. Një yll i sportit shqiptar në volejboll. Së dyti, ishte një nxënëse fenomenale, e shkëlqyer. Së treti, ishte një vajzë simpatike dhe e sjellshme në mënyrë ekstreme. E katërta, më e rëndësishmja e që duhet të vënë në krye, ishte pinjolle e një familjeje ekstremisht qytetare, e edukuar në mënyrë superiore, e bija e një profesori shumë të nderuar. Ishte e bija e një nëne me një trung familjar të kulturuar, siç ishin Pipajt, motra e një vëllai fenomenal, vajza e një fisi ndër më të njohurit në Shqipëri. Kishte një begraund familjar e individual të shkëlqyer. Kjo histori tani duket se është e tejkaluar, por duhet ta theksoj me forcë: Silva Turdiu mbetet një kampione e madhe. 

Le të kthehemi te momenti i fundit i saj te Dinamo. Lajmi i fejesës bën bujë dhe po kështu dhe zemërimi i Enver Hoxhës. Silva nuk vjen më në stërvitje. Si e morët vesh ju ngjarjen nga pozitat e një trajneri që e ka stërvitur për katër-pesë vite rresht?
Ajo ishte një dramë e tmerrshme. Pas kësaj nisën linçimet te Dinamo. Edhe vajza të tjera janë goditur për shkak të lidhjeve biografike. Bashkë me to edhe unë. Ika dhe unë nga skuadra për një periudhë trevjeçare. Pikërisht për këtë arsye, pasi u akuzova për mosreagim. Sipas tyre, duhet të kisha mbajtur qëndrim. Ishte një vijë e qëndrim politik. Ma thanë qartë: “Duhet të ikësh se ke gabuar!”. Por, ajo që ndodhi me të tjerët nuk ishte asgjë përpara asaj që i ndodhi Silvës. Me parë edhe volejbollistja Zana Bekteshi ka një histori të dhimbshme. Ajo u largua e para, pasi e çuan në internim së bashku me familjen e saj në një fshat të Beratit për shkak të babait të saj, Sadik Bekteshit, i cili u konsiderua atëherë armik i partisë. Një tjetër histori e tmerrshme më vete, i një tjetër vajze të talentuar, shkaktuar nga regjimi i shkuar, e që meriton rivlerësim të figurës së saj. 

Si e përballoi Turdiu ngjarjen?
Te Silva kam parë një vajzë stoike për mënyrën se si e ka përballuar ngjarjen. E thirrën zyrtarisht drejtuesit e klubit në atë kohë dhe i thanë që “ti nuk mund të rrish më te Dinamo”. Nga pamja e jashtme, më e fortë qëndroi Silva, sesa unë që e dëgjova dhe mora vesh vendimin. U bëra keq. Si e ka përballuar jetën më vonë, dua të theksoj se me të vërtetë ishte një vajzë e një familjeje të shkëlqyer, që edhe në ditët e saj më të vështira sërish tregoi madhështinë e saj. Kjo vërteton edhe njëherë formimin e saj të jashtëzakonshëm. Kaloi një moment të tmerrshëm. 

Çfarë mbani mënd ndonjë detaj nga ato ditë?
Mbaj mend një natë të ftohtë kur ia komunikuan në klub. E kam çuar deri në shtëpi. Nuk e kam thënë ndonjëherë më parë që më keq isha unë për të, ndërsa ajo përpiqej që të më jepte kurajë. Mendova se ajo ishte viktima e parë, dhe ashtu ndodhi. Nuk do të doja të isha trajner ato kohë. Dukej sikur do të mbyllej ajo histori me largimin e saj. Unë mendoja për të. Mbaj mend se gjatë rrugës për në shtëpi e përballoi me shumë dinjitet. Si një kampione e vërtetë. Edhe në plane të tjera, përveç fushës. 

A patët rast ta takonit Silvën pas largimit nga Dinamo?
Po, jemi parë. Gjithsesi, në vitet e para jetët tona ndoqën rrjedha të ndryshme, pasi dhe unë u pezullova nga Dinamo. Fillova të heq të njëjtat gjëra që hoqi dhe Silva. Përveç vëllezërve dhe të afërmve të mi, filluan edhe mua të më braktisnin njerëzit. Çfarë nuk më bënin. Gjithsesi, secili gjeti rrugën dhe mënyrën e tij për ta përballuar. Më pas Silva mori rrugën e jetës së saj të re dhe kjo është një tjetër vlerë e jashtëzakonshme e edukatës së saj. 

A e kishit parë ndonjëherë personalisht Skënder Shehun në Pallatin e Sportit, apo të ishte i pranishëm në ndonjë ndeshje të Dinamos?
Në fakt unë nuk e njihja personalisht, pasi ai ishte një brez pas nesh. Unë jam lindur e rritur në Tiranën e Re dhe i njihnim se kush ishin fëmijët e Mehmet Shehut. Ky nuk shquhej për tifoz, kam bindjen unë. Nuk ishte një ndjekës i rregullt në sport, të paktën në volejboll. Me sa duket ai pati simpati për vajzën. 

A e kishit takuar ndonjëherë atë?
Po, kur vinte më pas në ndeshjet e volejbollit. Madje ka ardhur edhe në ndeshjet që kemi luajtur jashtë. Nuk e mbaj mend saktë, por besoj në Gjermaninë Lindore, pasi ai ishte student jashtë, në Suedi mos gaboj. Rinte gjithmonë larg. Nuk arrinim ta kuptonim se ishte fjala për atë synim. Pastaj, kur më vonë fletët u hapën dhe që tani dihet historia, arritëm ta kuptonim se ishte simpatia për Silvën që e detyronte të vinte në ndeshje. 

Vjen viti 1990, rrëzohet regjimi komunist e më pas Silva shkon në Shtetet e Bashkuara. A i ruani ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë me Turdiun?

Silva vjen shpesh në Shqipëri. Por jo vetëm ajo, por edhe të tjera volejbolliste të miat që kanë shkuar në vende të ndryshme, gjejnë mënyra për të takuar njëra-tjetrën. Mua më vjen mirë, pasi tregon faktin se ky grup i një niveli të lartë profesionalisht ka pasur dhe një botë shpirtërore të jashtëzakonshme, vlera të cilat shoqëruan më pas vitet e lavdishme të Dinamos, një skuadër kampione emblemë. Takohen dhe më vjen mirë kur mblidhen e më thërresin dhe mua. Shihen menjëherë vitet që kanë kaluar së bashku dhe të duket se vetëm një ditë para kanë qenë në stërvitje së bashku. Ndonjëherë thonë me shaka “do të dalim në stërvitje e do të dalim sërish kampione”. Flasin shumë për atë periudhë të lavdishme të Dinamos. E kujtojnë me nostalgji, si një nga pjesët më me vlerë të jetës së tyre. 

Nga Silva e vitit 1981 te Silva e vitit 2010, çfarë ndryshimesh shihni tek ajo?
Vë re që të gjitha këto vajza kampione, e këtu fus pa dyshim edhe Silvën, i ruajnë cilësitë dhe virtytet e kampionit. Për t’u bërë një kampion sistematik me gjurmë të rënda në vite nuk mjafton vetëm pasioni, si kudo në botë dhe në çdo lloj sporti. Të qenit konsekuent në karakter, në të gjitha gjërat e tjera që shfaqen te njerëzit me karakter të fortë, këto janë cilësi të një kampioni, krahas atyre natyrore, si fizike, teknike, aftësia për të absorbuar më të përparuarën. I shoh njësoj si para 30 vjetësh. Kanë të njëjtën mënyrë të foluri. Mirësinë, komunikimin dhe respektin që tregojnë. E tillë është dhe Silva. Është po ajo. Ka ruajtur një perfomancë fizike të jashtëzakonshme. Është nga ato që thotë “duhet bërë ndonjë gjë”. Kur shoh fëmijët e saj që po rriten e po bëhen sa koha kur ishte Silva kur luante me Dinamon, shoh po atë vajzë të brishtë, po atë vajzë simpatike. Koha e seleksionoi si një kampione të vërtetë. 

Dinamo e volejbollit të femrave është një nga monumentet e sportit shqiptar, sidomos në arenën ndërkombëtare. Ndoshta, profesor, jeni pyetur shpesh dhe i jeni përgjigjur pyetjes se çfarë përfaqëson Dinamo… 
Më vjen mirë që edhe pas 20-25 vjetësh bëhet e njëjta pyetje. Madje ma kanë bërë edhe gazetarë të rinj 20-vjeçarë, kur ai nuk kishte lindur kur Dinamo trondiste Europën. Me pak fjalë: Dinamo dhe Kombëtarja e volejbollit janë një gjurmë e rëndë kombëtare në sportin shqiptar, që transmetohet dhe nuk oksidohet nga vitet. Më duhet të gjej një shprehje të re për ta përcaktuar. Është e pandryshkur. Dinamo ka dalë jashtë përmasave të një ekipi klubi. Pjesa pas kuintave është një Dinamo magjike.