UDHËTIMI I FUNDIT I GJERGJ KAÇINARIT

Komuniteti muzikor i Kosoves u varfërua edhe për një person. Ka ndërruar jetë Gjergj Kaçinari, krijues i brezit të kompozitorëve qe nxorren muzikën e lehtë kosovare jashtë Kosovës. Gjergji, ishte kompozitor, pedagog, producent, dirigjent dhe aktivist i dalluar ne jetën kulturore të Prishtinës. Por, mbi të gjitha ishte krijues me talent, ide, sharm, dicipilinë e humanizëm qe ndihmoi edhe në ngritjën e këngëtarëve, koreve, e grupeve muzikore të viteve të 70-ta e 80-ta.

Foto: Albumi Akordet e Kosoves

Kreu punë të ndryshme në fushën e muzikës, por vitet më produktive të jetësë, i kaloi duke punuar si producent për Radio Prishtinën e dikurshme.Gjatë atyre viteve krijoi rreth 600 këngë zhanresh të ndryshme. Ishte njëri nder kompozitoret me te sukseshem te festivalit më të madh e më të vjetër të vendit, “Akordeve te Kosoves”. Nje kompozim i tij emblematik qe doli nga ky festival ishte “Arabela”, kenduar nga Luan Hajra, e cila viteve të 70-ta u bë kënga më e popullarizuar ritmike në Kosovë. Ky kompozim në Akordet e Kosovës 72 fitoi shpërblimet më të larta të festivalit. Ishte edhe ndër të parat këngë të lehta, ku inkorporoheshin me mjeshtri, ngjyra e ritme të melosit popullor shqiptar në muzikën zbavitëse.

Në atë vite, kultura kosovare ishte e izoluar, pa mundësi për të dalur jashtë vendit, apo për kontakte me skenat e huaja nderkombtare. Gjergj Kaçinari dhe Severin Kajtazi ishin të parët qe muzikën e lehtë kosovare e nxorrën jashtë Kosovës, kryesisht në qëndrat e ish Jugosllavisë, ku kjo muzikë, ishte e injoruar dhe e panjohur. Përçarjët politike të asajë kohe në Jugosllavi, e kishin bërë gadi të pamundur depertimin e muzikës shqipe në këto skena. Se sa i vështirë ishte depertimi i një kompozitori jashtë Kosovës, e deshmon edhe ky shembull: Gjergj Kaçinari fitoi çmimin më të lartë në festivalin nderkombtar të Shkupit me këngën “Largohu”. Fitorja e një kompozitori shqiptar, në një festival qe asokohe radhitej ndër më të njohurit në ish Jugosllavi, i befasoi e mbase edhe nevrikosi aq shumë organizatorët, sa qe, edhepse e shpallën fitues, kurr nuk ja dorëzuan çmimin “Ura e Art”, shpërblim ky qe ishte një Oscar i këtij festivali.

Marrëdhënjët shqiptaro-maqedonase, në ato vite ishin në kulm të acarimit për shkaqe politike, dhe kjo gjendje enfluenconte edhe kulturën. Ndaj, fitorja e Gjergjit në një rreth ku kultura shqiptare ishte e diskriminuar, pati edhe jehonë politike por edhe inspiruese për shqiptarët. Megjithë boktotin e heshtur nga prapaskena, kënga e Gjergjit bëri jetën dhe jehonën e sajë, e kënduar në tri gjuhë. Kaçinari u ngritë në krye të listës së kompozitorëve më të mirë të muzikës së lehtë në Kosovë . Ai pastaj na përfaqsojë edhe në festivale tjera të rajonit si, në Opati, Zagreb e disa skena tjera. Kaçinari përpunoi dhe publikoi edhe shumë këngë popullore, themeloi Oktetin e Kosovës, këndoi, dhe një kohë edhe drejtoi Korin “Colegium Cantorum”, pastaj Korin e Katedralës së Prishtinës për të cilin poashtu komponoi disa këngë, dhe ishte producent e mentor i disa solistëve e grupeve qe u bënë të njohura në Kosovën e viteve 80-ta e më vonë.

Megjithëse pati karierë të frytshme, Kaçinari ishte njeri modest, pedant në punë dhe i diciplinuar. Mirëpo, këto virtyte të tij, disa i shfrytëzuan për ta izoluar ose dominuar, kështu qe jo gjithnjë pati trajtim të mirë. U ndesh edhe me sfida e veshtirësi qe kapluan një pjesë të madhe të intelektualëve kosovarë në rrethanat e krijuara pas luftës. Megjithëkëtë, me dinjitet e punë i mundi ato dhe sot kur ndahemi prej tij, mund të themi shkurt: Të falenderojmë për këngët, për mësimet, dhe për vitet qe na i begatove me muzikën tëndë Gjergj. Ky është udhëtimi yt i fundit, kurse muzika jote, do të vazhdojë udhëtimin, shpresojmë, nëpër vitet e dekadat qe dp të vijnë. Ti mbetesh këtu me ne, e muzika jote, pertej teje e pertej nesh. Më jetëgjatë së ti, dhe më jetëgjatë se ne të gjithë.

Albumi AK

Foto: Albumi Akordet e Kosoves

Marrë nga Albumi Akordet e Kosoves