Libri i Zbulesës thotë se Zoti mori pak baltë, i dha frymë dhe kështu krijoi njeriun e parë. Si një korçar i mirë dhe i krishterë, Vasillaq Kolevica do ta quante blasfemi të krahasohej me Zotin, por ama edhe ai ndihet zot në atelienë e tij, ku pikërisht nga balta u jep jetë në mënyrën e tij krijimeve artistike.

“Nuk e dimë kur njeriu ka nisur të flasë, por e dimë me saktësi që para se të thoshte fjalën e parë, ka pjekur baltë dhe ka bërë qeramikë”.

Kështu e nis rrëfimin e tij mjeshtri i qeramikës, të cilin, me shumë gjasë, ka qenë pikërisht kjo thirrje e të parëve brenda tij, që e drejtoi te ky zanat, ku utilitarja ia lë vendin kënaqësisë estetike.

Vasillaq Kolevicën e gjejmë në atelienë e tij, në atë që ai e quan “perandori”, të cilën po ia trashëgon së bijës e ajo, ndoshta më vonë, bijës së saj që qysh tash ka nisur të provojë ndjesinë e krijimit.

Bir prindërish artistë, Kolevica mund të kishte ndjekur rrugën e secilit, mes muzikës dhe pikturës, por zgjodhi diçka tjetër që lidhej më fort me vendin e tij.

“Këtu në qytetin tonë, punimi i qeramikës është një traditë 3000-3500-vjeçare, pasi shembull konkret është tuma e Kamenicës, ku janë nxjerrë objekte qeramike, jashtëzakonisht të bukura dhe të punuara në perfeksion”.

Zanatit iu qas kur ishte fare i ri dhe e quan fat që ua “vodhi” atë ca mjeshtërve korçarë, që nuk kishin bërë vërtetë shkollë, por elegancën e kishin të lindur.

“Teksa kryeja Liceun këtu në Korçë, edhe punoja, pasi të tilla ishin mundësitë. Pata fatin të punoja me mjeshtra që vinin nga fshatrat e Moravës. Është një fshat që quhet Bravdicë, që kishte 250 shtëpi, ku gjatë verës punohej qeramikë, ndërsa në dimër qymyr. Qeramistët e këtij fshati punonin në mënyrë elegante, pavarësisht se ishin të pashkolluar. Por, kur hyn në botën e krijimit, pushtohesh nga gjithfarë mendimesh dhe me gjasë, profesioni i kishte bërë me një intuitë të jashtëzakonshme, ishin shumë të zgjuar. Dhe, më vjen keq që shembuj të tillë nuk ruhen. Nëse do të ishin në botë, do të ishin asete të mrekullueshme, në ruajtje. Fatkeqësisht, sot ky fshat po rrënohet, ka mbetur vetëm një shtëpi”, tregon Kolevica, ndërsa nuk e fsheh keqardhjen për zhdukjen e gjurmëve të ca traditave, që sot do të kishin shërbyer si atraksione turistike. Jo vetëm puna e mjeshtërve, por finesa, mënyra e komunikimit, që kishin fituar nga marrëdhëniet tregtare me vendin fqinj, Greqia, i kanë mbetur në mendje dhe kanë ndikuar te ai, po aq sa edhe mësimet e të atit.

“Prej tyre e dashurova këtë zanat. Në fillim e pata të vështirë, pasi është një teknikë, jashtëzakonisht e vështirë për t’u mësuar. E lija, e zija, por në fund me këmbëngulje dhe shtysën e babait, që ishte piktor i qytetit, iu përkushtova. ‘Mund të bësh art me çfarëdo, më thoshte babai, edhe me baltë’. Kështu arrita deri më sot”, thotë ai, duke të shëtitur nëpër atelie, prej nga të vështrojnë gjithfarë krijesash qeramike, që kanë dalë prej fantazisë së tij.

“Teknikat dhe llojet e qeramikës janë nga më të ndryshmet, por për mua dhe mendoj dhe për shumë të tjerë, një nga teknikat kryesore është tornimi, që të jep mundësinë që objektin e imagjinuar ta krijosh në një kohë të shkurtër. Mund të luash me format dhe të krijosh art. Unë jam përpjekur që në teknikën e tornimit t’i jap një dimension tjetër qeramikës, të krijoj individualitetin në artin e qeramikës, me vepra që nuk ngjajnë me ato të qeramistëve të tjerë, por thjesht të krijuara nga dora ime. Kam krijuar vepra të ndryshme, me karakter filozofik, estetik, modern… dhe të gjitha këto ia kushtoj teknikës së tornos, të cilën e kam mësuar që në vitin ’74”.

Prej atëherë i është përkushtuar, prej pranverës, në dimër, me orë të tëra pune dhe udhëtime fantazish.

Për të, të punuarit e qeramikës nuk është thjesht një zanat, me të cilin padyshim që arrin të jetojë mirë, nuk është një rutinë e përditshme, por është mendim, fantazi, është prekje, është shije.

“Përveç përgatitjes artistike kërkohet dhe përgatitje shumë e madhe teknologjike. Sot kam arritur ta dallojë argjilën e mirë dhe me shije. Përziej disa argjila për të arritur në atë përfundimtare”, thotë ai, duke treguar pak nga “sekretet” e zanatit, të cilat me shumë dashuri ia ka përcjellë edhe vajzave.

“Nuk e di nëse kam bërë mirë, por i detyrova që edhe dy vajzat të studionin qeramikë. Studiuan pesë vjet në Itali. Njëra ndoqi rrugë tjetër, për arkitekturë, ndërsa tjetra i është përkushtuar qeramikës dhe jam shumë i lumtur që një nga fëmijët e mi po e trashëgon këtë profesion me dashuri. Shpresoj që nesër, këtë ‘perandori’ të vogël, që kam ngritur, të dijë ta mbajë e ta çojë përpara. Unë jam i bindur që do ta bëjë”. /ata/

Advertisements
Advertisements