– Mall, shumë mall për breza që ishin pranë njëri tjetrit

– Nuk ishte thjesht Partia, por miqësia dhe sinqeriteti shpirtëror
– Nëntë vetë në foto, por si një familje e madhe
– Mesazhi që sjell kjo pamje brilante, e denjë për arkivën dhe traditat qytetare

Nga BUJAR QESJA

Jemi në një brez që çdo mbresë e kujtim, me lëng jetësor e me përjetime shpirtërore, nuk e tolerojmë, por kemi dëshirë të shprehim mall dhe sentimente. Janë rrënjosur në qënien tonë, mbase edhe 50 vjeçare, kujtime të tilla që të luajnë kapakun e kokës dhe nuk të lejnë të qetë për mjaft minuta. Fotoja që publikon, vajza e lagjes time numur 4, e njohur në gjuhën popullore pranë Furrit të Bidulëve, me emrin Antoneta, e bija e Ilia dhe Eleonora Jorgjit, e motra e Vasilikës, e Prokopit, Leonardit dhe Serxhos, është vërtet tronditëse.

E zbërthej këtë foto në dy dukuri:

E para sa pranë njëri tjetrit kemi qenë. Jo thjesht se kryheshin detyra të caktuara nga organizata e Frontit (të dalë kush dhe të thotë që nuk donte t’i kryente) 
E dyta, sa vlerë arkivore mbart kjo pamje drithëruese, e veshur nga një mall dhe emocion i pazakontë.

Pa frikë, është pamje e fiksuar në mesin e viteve 70-të dhe vjetërsia e saj mund të jetë në harkun kohor të 45 -50 viteve. Kombinim brezash e moshash të ndryshme. Kemi pranë nënat tona, motrat tona, vëllezërit tanë, mësuesit tanë të zgjuar, kuadrot dhe intelektualët, që para së gjithash ishin zotërinj të vërtetë, të mënçur, që gëzonin respektin dhe simpatinë e tërë lagjes.

Aty shikoj profesorin e famshëm të kimisë, të urtin, eruditin, fjalëpakun, nga intelektualët më në zë të kohës Agim Shehun, që rriti dhe edukoi tri fëmijë si drita. Vështroj i heshtur dhe disi i kontraktuar Sul Tonuzin, nga Tonuzët e mirnjohur të Rrugës së Poshtëme (duke mos harruar Reshitin e qeshur dhe gojëmbël), një zotni që ishte kënaqësi kur e takoje. Dhe i treti nga meshkujt jam unë. Nga kujtesa e shtrydhur, më duhet ta vendos këtë foto, në fund të studimeve të mia për Shkencat Politike, ose në vitin e parë të punës, në një organizatë masive punëtorësh, siç ishin Bashkimet Profesionale.

Nga nëntë vetët, 6 janë shoqe, zonja për ti pirë në kupë. Eleonora Jorgji, gruaja e këpucarit të lagjes Ilia Jorgjit, e motra në mos gaboj e farmacistit famoz Ilia Minga, babai i notarit cilësor të Lokomotivës Koç Mingës që jeton në Itali, e martuar me italianen e njohur Marçela. Malli vjen e shtohet si një ortek dhe të godet në memorie, duke e shkëndur me degën e kujtesës.

Vështroj aty maman time, Kadrije Qesja. Sa mall o nëna ime! Me 8 mars 2019, mbush o shpirti im, plot 24 vite që nuk ti shikoj më sytë. Rrite 3 djem, Yllin, Ilirin dhe Bujarin, në krah të bashkëshortit tënd, gazetarit të çquar Xhafer Qesja, ndonëse e sëmurë, më gjysëm kurrizi, dëmtuar nga koha e luftës si infermiere, ishe një mëmë e dashur për të gjithë fëmijët, pasi punove një jetë të tërë si drejtoreshë çerdheje, duke mos ndjerë lodhje, e marrë përsipër një sërë detyrash shoqërore.

Një lagje kjo e jona – katra, e përkryer, me emra të familjeve të famshme si Boshnjakët, Arapët, Jorgjët, Qeset, Melet, Sulejmanët, Gaxhot, Carat, Kërçikët, Domët, Bletat, Çitakët, Fisnikët, Mujkat, Pezat, Bidulët, Vasitë, Dedët, Koretët, Mborjet, Brakat, Shehët, Luarasët, Shulët, Kasmët, Seminët, Jakupët, Stamot, Kasat, Demirët, Ibrahimët, Katrot, Vrohoritët, Averikët, Lalat, Dritët, Kaditë, Toskët, Fanët e shumë e shumë të tjerë, që ju kërkoj ndjesë nëse memoria ime e painflencuar, ti ketë lënë në vënd.

Qefsere Braka, vajza e ushtarakut të Marinës Qemalit. E ndarë nga jeta në një moshë shumë të re. Vështroj Shpresa Bitrin, nënën e shokut tonë Arturit, motrës së Sazan Bitrit, që një sëmundje rebele, e ndau shpejt nga gjiri i ynë. Është Dudije Sulejmani, një grua e qeshur, e shoqja e vëllait të kuadrit të njohur durrsak Hasan Sulejmanit. Edhe Dudija e jonë, si një fryt i ëmbël, u shkëput herët nga pema e jetës. Dhe vjen Hatixhe Gaxho, nga familje fisnike dhe punëtore Gaxho. Kreu shumë detyra, deri në drejtuese e ndërmarrjes së librit.

Ajo dhomë, ajo derë që tashmë është e mbyllur, në emër të kujtesës, vajton gjallëruesit e saj të dikurshëm. Njerëz të thjeshtë, me interesa të spikatura shoqërore, me përkushtim qytetar dhe human, në ndihmë të komunitetit që në atë kohë quhej lagja numër 4.

Fotoja prekëse dhe shumë e përmallshme, tregon se traditat dhe kujtesa vlejnë njëlloj si të gjallët e tyre. Transmetojnë tek të rinjtë trashigimi të vyer, e denjë për t’u respektuar, pse jo edhe mburrur me këtë brez idealistësh, që punuan pa interes për tokën e tyre, për popullin e tyre.

Është parësore detyra e jonë, që ti kujtojmë, të përulemi para shembullit dhe figurës së tyre, për të thënë se ja cili është identiteti ynë, i barazvlefshëm me gjithçka që quhet qyetaria dhe krenaria durrsake.

Kujtesë e pacënuar ndaj tyre!

Në foto: Në këmbë nga e majta: Sul Tonuzi (nuk jeton), Qefsere Braka (nuk jeton), Bujar Qesja, Agim Shehu. Ulur nga e majta: Eleonora Jorgji (nuk jeton), Kadrije Qesja (nuk jeton), Shpresa Bitri (nuk jeton), Dudije Sulejmani (nuk jeton), Hatixhe Gaxho (nuk jeton).

/portali DurresLajm/