Nga Bardha Nergjoni

Jetojmë në kohë të vështira edhe sa i përket sjelljes, komunikimit, edukatës. Harbutëria po na mbyt. Gjuhët janë bërë të vrazhda dhe gati dhunuese. Morali i mirë që shfaqet së pari tek komunikimi, po duket si diçka demode. Publikut gjithnjë e më shumë po i ofrohen modelet më të ulëta të kësaj te keqeje. Mjafton parlamenti. Aty ku ndodhet elita drejtuese e vendit, po aty prezantohet dhe niveli më i ulët e mirësjelljes. Gjuha rrugaçërore është bërë diçka e zakonshme në atë sallë aq sa një prind që kërkon me ngulm të injektojë një moral të mirë tek fëmija, sidomos edukatën komunikuese që ka në qendër fjalën, nuk duhet ta lërë televizorin aty.

Ndërkohë, sa më shumë të zhvendosesh në qytete të mëdha, aq më shumë e kupton se moderniteti i jetës po thyen tradicionalen e vlefshme që na duhet të gjithëve nga pak për të jetuar në harmoni. Shpesh edhe pamja nuk korrespondon me përmbajtjen edhe pse jep një mesazh të rëndësishëm që duhet të edukojë.

Dhe diku mes pallateve me ngjyra tek Unaza, pranë shkollës “4 Dëshmorët” në Tiranë, ndodhet “Pallati i Mirësjelljes”. Mes morisë së formave gjeometrike me ngjyra, ky pallat është i rrallë. Ka të shkruara me bojë të gjitha thirrmoret e sjelljes së mirë.

Vitet kanë kaluar dhe shprehjet po zbehen, duke i detyruar banorët që ta quajnë një nuse të lyer e ngjyer nga jashtë por që brenda ka veshur rroba të grisura.

Kjo pasi në pjesën e brendshme të këtij pallati, bjerrja e suvatimit, kabllot e të gjitha llojeve dhe dëmtimet e bëjnë këtë pallat të rrënuar.

Feride Xhelili është 84 vjeç. Ajo jeton pranë këtij pallati prej 44 vjetësh. E ka parë Tiranën kur ishte me gardhe e bahçe dhe tani kur gjithçka ka ndryshuar.

“Tirana ka ndryshuar një qind për qind. Në kohën kur unë kam ardhur këtu ishte me gardhe e bahçe apo mjete primitive, pa drita e pa ujë. Tirana ishte baltë e kuqe atëherë. Sigurisht që tani ka ndryshuar shumë dhe është bërë më mirë. Ka ndryshuar nga të gjitha anët dhe më vjen mirë që është bërë kështu”.

Nënë Ferideja të pret me aq mirësjellje saqë biseda për pallatin me shprehje të duket e natyrshme. Ajo shprehet se këtij pallati ka filluar t’i dalë boja si edhe mirësjelljes. “Pallati ka aty tek 5 vjet që është lyer dhe janë shkruar këto shprehje. Ishte gjë e veçantë kur u bë por u bë vetëm nga pjesa ballore. Në fakt nëse e shikoni nga pas dhe po kështu dhe fasadën kupton se i ka dalë boja si ato nuset që lyhen e ngjyhen nga jashtë ndërkohë që kanë të brendshme të grisura. Mjafton t’i hidhni një sy dhe e kuptoni çfarë po them”.

Nënë Ferideja e quan me vend reklamën e këtij pallati pasi sipas saj mirësjellja ka rënë shumë. “Brezi i ri është shumë keq, pa pikë edukate. E shikoj shumë sidomos në autobusë ku nuk të hap askush vendin e nuk të respekton njeri. Të mos flasim për nuset e sotme që gati janë kthyer në vjehrra duke marrë rolin e tyre”.

Ndërsa përshkojmë pallatin simpatik të shprehjeve të mirësjelljes që për fat të keq po i del boja, mbërrijmë tek pallati i nënë Ferides, i cili ka të njëjtat tulla si 44 vjet më parë kur ajo është transferuar aty, por sipas saj është shumë herë më i bukur se pallatet me ngjyra apo mirësjelljet e dala boje.

Kjo ishte vetëm një copëz Tiranë, mes të vjetrës dhe të resë, mes nostalgjisë dhe të tashmes që ose harmonizohen, ose përplasen me realitetin siç ndodh edhe me “pallatin e mirësjelljes” që veç në kryeqytet e gjen. /tesheshi.com/