Çelo Hoxha

Të rinjtë që shkonin për studime në vendet komuniste, duhet të plotësonin dy kushte: të ishin besnikë të regjimit dhe me origjinë nga familja të varfra

Pas konsolidimit të pushtetit, pas vitit 1948, kur e kishin një përvojë qeverisjeje, komunistët zbuluan ca gjëra që s’u kishin shkuar më herët në mendje, për shembull, qeverisja kishte nevojë për ca njerëz që e njihnin atë. Dhe njohuria për qeverisjen merrej në shkollë.

Deri atëherë, njerëzit me arsim të lartë, më të njohurit prej tyre, ata me kontributin më të madh ishin ndëshkuar – në forma të ndryshe – si armiq të regjimit. Përveç kësaj, dija e tyre nuk përshtatej me qeverisjen e re.

Administrata shqiptare, nga niveli bazë deri në majën e piramidës, ishte e mbushur me njerëz me arsim të mangët ose pa arsim fare. Kjo është e konfirmuar me dokumente të shumta. Kështu që, PPSH filloi të dërgonte studentë për studime jashtë shtetit, në vendet komuniste të Evropës Lindore, me një përqendrim më të madh në Bashkimin Sovjetik.

Në universitet nuk mund të shkonte kushdo. Të rinjtë që aplikonin ose propozoheshin për të shkuar, kalonin në disa faza seleksionimi, nga baza në majë të piramidës. Në rrethe kishte komisione që bënin përzgjedhjen fillestare të kandidatëve për jashtë. Komisionet i çonin listat për miratim në byrotë e partisë së rretheve, dhe pastaj përzgjedhjet përfundimtare bëheshin dhe miratoheshin nga byroja politike e PKSH-së.

Për t’u përzgjedhur për të shkuar jashtë shtetit të rinjtë duhet të plotësonin një kush të domosdoshëm: qëndrimin politik të tij, familjes dhe të afërme. Të gjitha vlerat e tjera të nevojshme kalonin në plan të dytë e të tretë. Besnikëria te kupola komuniste ishte e panegociushme në çdo rrethanë. Karakteristika standard që i paraqitej KQ-së të PPSH-së ishte e kësaj forme: “(Emri-atësia-mbiemri) lindur më 1938 në Gjirokastër, me origjinë fshatar i varfër. Qëndrimi politik i familjes ka qenë dhe është i mirë. Ka dy vëllezër A. P. (anëtarë partie). Është anëtare e BRPSH (organizata e rinisë). Mbaroi gjimnazin e Gjirokastrës me notën 4.30”. Një pjesë e këtyre maturantëve ishin dhe kandidatë për anëtar partie. Më vonë, në vendet ku shkonin, ata që ishin kandidatë partie mund të anëtarësoheshin në partitë komuniste të vendeve pritëse, siç ishte rasti i Dritëro Agollit, për të cilin kemi shkruar në një nga numrat e kaluar. Për ndonjë student që nuk kishte familje, si për shembull në rastin e njërit që ishte rritur në jetimore, megjithëse babain e kishte dëshmor (nëna i kishte vdekur, garancia politike për të jepej në këtë formë: “Kujdeset për të shoku Myslym Peza”.

Dokumenti që botojmë sot, është i vitit 1956. Ai flet për listën e propozuar nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e Sekretariatit të KQ. Në listën përfundimtare, të firmosur nga diktatori, janë 231 persona. Veç kësaj, kishte dhe një listë rezervë me 67 persona.

Këta njerëz, besnikë të diktaturës, janë ata që më vonë konsideroheshin me shkollë të lartë dhe e shfrytëzuan këtë favor edhe pas rënies së diktaturës, duke zënë pozicione kyçe në administratën e shtetit shqiptar. Ata ishin thjesht njerëz me formim për një shoqëri komuniste, për të mbajtur në këmbë diktaturën dhe kjo është një nga arsyet që në Shqipëri ajo ende nuk është çmontuar tërësisht si në shumë vende të tjera lindore.

DOKUMENTI

RELACION

MBI PROPOZIMET PËR STUDENTËT E RINJ JASHTË SHTETIT PËR VITIN

1956-1957

Komisioni i krijuar pranë Aparatit të K.Q.P.P.SH. për të shqyrtuar propozimet e komisioneve të qarqeve e rretheve dhe t’aprovuara nga byrotë e komiteteve të partisë në qarqe e rrethe për studentët e rinj jashtë shtetit në vitin 1956-1957, hariti në këto përfundime:

Këshilli i Ministrave ka aprovuar 233 vetë për të studjuar jashtë shtetit në vitin shkollor 1956-57.

Për këtë qëllim komisionet dhe byrot e komiteteve të partisë të qarqeve e rretheve aprovuan gjithsejt 249 vetë. Nga këta komisioni pranë Aparatit të Komitetit Qendror të Partisë gjeti të përshtatshëm për specialitetet e caktuara në planin e aprovuar nga nga Këshilli i Ministrave vetëm 148 vetë, të tjerët nuk nevojiteshin mbasi nuk i përgjigjeshin planit nga pikpamja e specialitetit, P.sh. ka patur shumë propozime nga shkollat pedagogjike ndërsa nevojiteshin vetëm 16 vetë.

Përe të plotësuar defiçitin u muarën elementa nga të propozuarit për brenda shtetit dhe u rishqyrtuan e u aprovuan përsëri nga komisionet dhe byrotë e komiteteve të partisë në qarqe e rrethe.

Gjithsejt janë siguruar 233 kandidatë për jashtë shtetit dhe 64 kandidat rezervë. Përgjithësisht studimi dhe caktimi i studentëve për jashtë shtetit këtë vit është bërë më mirë, mbasi jo vetëm që janë aprovuar nga byrotë e komiteteve të partisë, por edhe ndryshimet e më vonëshme janë bërë përsëri në marëveshje me komitet e partisë.

Komisioni ka punuar në bazë të këtyre kritereve:

a) Ka patur parasysh garancitë politike dhe rezultatet në mësime duke zgjedhur ata me notë mesatare 4 e lartë, me disa përjashtime të ralla për disa gjimnazistë duke zbritur në notën mesatare 3.60 shumica e të cilëve janë në listën rezervë.

b) Komisioni ka patur parasysh që të caktojë më shumë nga zonat e veriut, po me gjithë këtë numri nga këto zona është përsëri i pakët për mungesë kontigjenti.

c) Është patur parasysh që të mos caktohen nga ata që kanë vëllezër dhe motra të tjerë për studime jashtë shtetit, por edhe në këtë rast janë bërë disa përjashtime për disa gjimnazistë në mungesë të kontigjentit.

Propozojmë që Sekretariati t’aprovojë listën e studentëve simbas specialistëve e shteteve, si dhe listën rezervë. Të ngarkojë gjithashtu Drejtorinë Administrative të K.Q. dhe Ministrinë e Arsimit e të Kulturës, të bëjë ndryshimet eventuale të studentëve që komisioni mjekësor mund të nxjerrë të pa përshtatshëm për studime jashtë shtetit.

Me këtë relacion bashkëngjitim edhe pasqyrat që paraqitin gjendjen politike, origjinën shoqërore dhe burimet nga janë marrë studentët për jashtë shtetit.

Kohët e fundit disa dikastere kanë kërkuar të ndryshohen 21 specialitete në vendet e demokracisë popullore simbas listës bashkëngjitur. Shtetet e demokracisë popullore janë njoftuar me kohë për specialitetet e aprovuara nga Këshilli i Ministrave, dhe prandaj ndryshimi i tyre paraqet vështirësi.

Në rast se Sekretariati do t’a shikojë të nevojshme të bëhen këto ndryshime, t’autorizohet Drejtoria Administrative dhe Ministria e Arsimit të bëjnë ndryshimet e studentëve sipas profilit të ri brenda për brenda listave t’aprovuara nga Sekretariati.

Shënim: Doktor Kërçiku i ka paraqitur lutje Komitetit Qëndror të P.P.SH. me anën e secilës kërkon që djali i tij Arjan Kërçiku, i cili mbaroi këtë vit teknikumin mjekësor, të dërgohet për studime jashtë shtetit.

Sekretari Komitetit Qëndrortë P.P.SH.

Hysni Kapo

(AQSH, F.14, V.56, D.71)

DOKUMENTI

Dritëro Riza Agolli. Lindur më 1931 në katundin kankulaz të rrethit Bilisht, me origjinë shoqrore fshatar i mesëm dhe me gjëndje shoqrore studente.

Kandidate partie është pranuar në muajin shkurt 1952. Ndrimin e dokumentave si kandidat partie e ka bërë . Dënime nga partia nuk ka.

Qëndrimi i familjes dhe fare fisit tij gjat luftës N.CL. ka qenë i mirë .Një vëlla e ka oficer i cili ndodhet për studime në B.R.S.S. Vetë mbas çlirimit ka marë pjesë në mjaft aksione edhe brigada kulturale rinie ku ka punuar mirë. Është kandidat i lidhjes së shkrimtarëve të Shqiprisë.

Në vitin 1952 i është akorduar bursa për studime të larta në fakultetin e gazetarisë në Leningradë. Me mësimet ka shkuar vazhdimisht shumë mirë, ka kryer mirë detyrat që i janë ngarkuarë. Në vitin 1954 gjatë pushimeve verore ka marë pjesë në punën ndërtonjëse një muaj në një kolkoz sovjetik ku për punë të mirë është lavdëruarë.

Organizata bazë e partisë e universitetit ´´Zhdanov´´në Leningrad, ka vendosur që t´a pranojë antar partie. Këtë vendim e ka aprovuar dhe komiteti i partisë i studentave t´onë në Moskë.

Neve jemi dakort që Dritëro Agolli të pranohet antar partie.

Dokumentat i ka plotësuar në regull.

Burimi: www.standard.al