Fatmira Nikolli – Teatri Kombëtar i kërcënuar. Ky është mestitulli i një shkrimi që një revistë e botuar në Strasburg ka për çështjen e Teatrit Kombëtar.
Revista News D’Ill është një organ shtypi i publikuar nga qendra për mësimdhënien e gazetarisë pranë Universitetit të Strasburgut në Francë dhe i kushtohet kryesisht përgatitjes së dosierëve tematikë.

Numri 124 i muajit qershor 2019 i kushtohet tërësisht Shqipërisë dhe etheve të së ardhmes që po rriten brenda saj dhe është shkruar në bashkëpunim edhe me studentë shqiptarë të gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Në faqen nr.37 një fragment i kushtohet Teatrit Kombëtar. Përshtatur në shqip (nga Lindita Komani) si vijon:

“Që prej njëzet vjetësh, Edi Rama, kryeministri aktual shqiptar kërkon ta rrafshojë për arsye sigurie. Ai mendon të rindërtojë një të ri, më modern. “Deri edhe komunistët nuk kishin guxuar ta shkatërronin”,-nënvizon Rudi Erebara. Poeti dhe përkthyesi shqiptar ka luftuar gjithmonë kundër shkatërrimit të ndërtesës. Bashkë me qindra qytetarë që e shoqërojnë në luftën e tij, ai ka protestuar çdo mbrëmje të verës së vitit 2018, atëherë kur shkatërrimi dukej fare i afërt. Dhe artisti shton: “Ne jemi dakord që të mund të rinovohet por është absurde ideja që të shkatërrohet një monument historik për të rindërtuar një ndërtesë të re” Tani për tani teatri është ende në këmbë”.

Në revistë, Rudi Erebara (shkrimtar dhe pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit) <<nuk heziton të flasë për pastrim parash dhe marrëveshje të paligjshme. Fusha, ndërmarrja për të cilën përflitet se i është dhënë projekti i ndërtesës së re, qenka zgjedhur pa bërë thirrje për oferta dhe në këmbim paska marrë të drejtën për të ndërtuar gjashtë ndërtesa në hapësirën e teatrit. Një pohim i vështirë për t’u provuar në vërtetësinë e tij por po ashtu i bërë edhe nga Partia Demokratike, forca kryesore opozitare>>.

Në vijim artikulli merret edhe me projekte e çështje të tjera për të cilat është debatuar gjatë dhe ka pasur akuza për korrupsion.

TEATRI NË NJË VIT

Debatet për ndërtimin e Teatrit me partner privat nisën në muajin shkurt të vitit 2018 kur Robert Ndrenika në një mbledhje për ligjin e ri të artit, pyeti çfarë do bëhet me godinën e Teatrit Kombëtar. Në mars të vitit 2018, artistëve iu prezantua plani i Teatrit të ri Kombëtar, ku shihej një godinë trekatëshe. Prezantimi u bë në COD pranë Kryeministrisë. Më vonë doli që pas godinës trekatëshe, në truallin e teatrit do të kishte edhe të paktën katër kulla. Kjo solli përplasje të ashpër mes artistëve dhe qeverisë, derisa eksponentë të pushtetit nisën takimet ‘tete a tete’ me disa artistë duke i ndarë njerëzit e artit në dy kampe: ata që donin ruajtjen e godinave e ata që pranonin shembjen për një teatër të ri.

Prej muajit shkurt 2018 dhe deri në qershor protesta për Teatrin ishte e përjavshme, çdo të hënë. Ndërsa prej qershorit 2018 deri në qershor 2019, ato janë të përnatshme. Kur në fund të prillit natën teatrit iu hoqën germat e emrit, Aleanca akuzoi dhe provoi me foto se germat i kishin hequr punonjës të Bashkisë së Tiranës. Muajin e kaluar shkronjat u rivunë privatisht.

E megjithatë, përpjekjet për të rivënë në jetë projektin, nuk kanë reshtur ndonëse tashmë kanë kaluar 365 ditë protesta të përnatshme.
Një vendim qeverie i miratuar në datë 4 prill 2019, hyri në fuqi me 4 qershor, pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi i hap rrugë ngritjes së një komisioni që do përzgjedhë projektet për Teatrit Kombëtar dhe rrjedhimisht shembjes së dy teatrove kombëtarë ekzistues. Ai nënvizonte se qëllimi i tij është krijimi i komisionit për realizmin e procedurave të vlerësimit dhe negocimit të kontratës me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, si dhe hartimin e kontratës me palën private të përzgjedhur.

Sipas Aleancës, projekti për Teatrin e ri ka “qenë e mbetet një përpjekje për të grabitur në çdo mënyrë truallin publik dhe privat, e për t’ua falur atë klientëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke shkelur çdo parim minimal të një shteti ligjor”.

Burimi: GSH.AL