Fatmira Nikolli  – Ishte kënaqësi për mua, që kaq miq edhe personalitete të fushës së artit që u mblodhën në këtë tavolinë për të shprehur respektin për Frankon. Libri ‘Françesk Radi – jetë në kitarë’ është një risi në fushën e botimeve dh sjell të gjitha vitet artistike edhe sociale. I kalon përmasat e një biografie të personazhit Franko, sjell rininë e kohës, shoqërinë edhe gjithçka të bukur ashtu siç ishte, pa mllefe, sepse ashtu ishte Franko. Është meritë e tij që është shkruar në perfeksion. Mendimi i tij për mua, ishte një busull në gjithçka. Më mungon shumë”!

Tefta Radi nuk ka arritur as ta pranojë, as ta tejkalojë humbjen e të shoqit, kantautorit në zë Françesk Radi. Në ditën e promovimit të librit për të, “Jetë në kitarë”, Tefta, folëse e njohur lajmesh nga RTSH e dikurshme, është ende me të zeza dhe e trishtuar si të kishte ndodhur dje. Gruaja dhe mikja e tij flet ende mes lotëve. Zëri ende i dridhet kur ndalet tek rëndësia e botimit të këtij libri, për artistët edhe brezat e rinj. Prej kujtimeve të Françesk Radit janë vënë në libër pak fjalë, që përcjellin tonalitetin e ulët me të cilin ai fliste e kumtonte për jetën e tij, pa inat, pa mllef e pa dhunë. Pinjoll i familjes së Vinçenc Prenushit, një prej intelektualëve më në zë të viteve 1940, ipeshkv dhe martir i fesë prej se vdiq në burgjet komuniste. Prej tij duhet ta ketë trashëguar të jetuemin pa bujë e të folunit me za të ulët e të qetë.

Nga kujtimet e Frankos, siç e thërrisnin më të afërmit, nga libri shkëpusim: “Dënimin tim në Fushë-Arrës e kalova me një fjali. Nuk dëshiroja që në shpirtin dhe zemrën e pastër të fëmijëve të mi të mblidhja hijen e mllefit, që dalëngadalë mund të kultivohej e mund të shndërrohej nesër në një ves të dëmshëm, por edhe aq ves i mburrjes… Mbolla te ata vetëm dashurinë njerëzore…”. Dy vite pas ndarjes nga jeta, kantautori u kujtua në Akademinë e Shkencave përmes promovimit të një libri ku janë miqtë që flasin për të, ndajnë kujtimet, njohjet e përshtypjet që u ka lënë – i ruajnë të gjitha fort prej kur ai nuk është më, e me botimit në libër, aty ruhen përgjithnjë. “Françesk Radi jetë në kitarë” me autorë bashkëshorten e tij, njeriun e zemrës, gazetaren e njohur Tefa Radi dhe shkrimtarin Demir Gjergji. Të pranishëm në këtë veprimtari për të nderuar kantautorin e njohur të muzikës së lehtë shqiptare ishin familjarët, kolegët edhe miqtë e një jete, deri te Tinka Kurti.

LARG PROPAGANDËS
Me origjinë prizrenas, me fëmijëri shkodrane, si durrsak, tiranas, madje deri edhe me ndikime jugore (Tefta, shoqja e tij e jetës është bija e një korçareje dhe e një leskoviqari) dhe mbi të gjitha, pinjoll i një fisi intelektualësh muzikantësh të thekur, me kulturë perëndimore e tradicionale shqiptare, ai do të formatohej si një profesionist me shije të larta e të holla muzikore, me interesa të gjera dhe sidomos me tendenca që kapërcenin kohët, sistemet shoqërore, kufijtë, modën, stilet, llojet dhe zhanret, shkruan Demir Gjergji. Sipas tij, ndaj kitara dhe zëri i tij krijuan një bashkëjetesë origjinale, duke shfaqur një profil kantautori krejt të veçantë, që nuk i ngjason as interpretuesit të serenadave, as ndonjërit prej gjigantëve botërorë, siç është akuzuar dikur dhe mund të mendojë ende ndokush. “Në asnjë krijim të tij nuk vihet re pluhuri apo ndryshku i ndikimeve stinore të modave muzikore, se nuk bie në sy asnjë shenjë dogme apo ‘aktualiteti’ i ndonjë propagande.

Këngët e tij kanë mesazhe dashurie dhe humanizmi si dhe tingëllim të mirëfilltë social si te kënga ‘Ky fat na ra’. Muzika e Frankos është vetë Franko, me sinqeritetin e tij gati fëmijëror, me pasionin e tij prej njeriu me shpirt të bardhë e të bukur, me nivelin e një mjeshtri të dalë nga dera e lartë dhe e madhe e Radëve fisnikë e me kulturë, edukatë dhe traditë shqiptarie, që rrallë ndonjë dere shqiptare i mbeti e pacenuar nga murtaja e diktaturës. Duke udhëtuar nëpër jetën e njeriut-Franko dhe artistit – Franko, të bën përshtypje se rreziqet, kërcënimet, presionet deri edhe pasojat, ishin ‘gjëra’ përtej këngës së tij. Kjo është arsyeja që Franko s’iu qa e s’iu ankua asnjëherë askujt”, ka shkruar Gjergji. Kantautori Françesk Radi u shua para dy vitesh nga jeta, në moshën 67-vjeçare.

Burimi: Gazeta Shqiptare – GSH.AL