Periudha 1913-1920 ka qenë një periudhë paqendrueshmërie e pushtimi për Shqipërinë. Gjatë kësaj periudhe, në territorin e Shqipërisë do të kalonin ushtri austriake, franceze, italiane etj. Gjatë qëndrimit apo kalimit nëpër Shqipëri, ushtritë do të përballeshin me probleme të theksuara të komunikacionit; me mungesë urash, rrugësh e mjetesh transporti të cilat duhej t’i ndërtonin nga fillimi. Transporti i logjistikës do të detyronte ushtrinë e huaja të ndërtonin nga fillimi rrjetin e transportit; pra një rrjet komunikacioni vetëm për qëllime ushtarake. Si rrjedhojë, në ultësirën perëndimore do të ndërtoheshin hekurudha për dekovilët (të ngjashëm me trenat) si dhe teleferikë që shërbenin për transportimin e materialeve të luftës, ushtarëve, furnizimeve ushqimore etj.  Vija më e njohur e teleferikut ishte Shëngjin-Lezhë-Vorë, 40 kilometra i gjatë dhe do të shërbente për transportin e municioneve e ushqimeve madje dhe të trupave.

Po ashtu, teleferikët do të përdoreshin si mjete transporti mallrash e njerëzish edhe në zonën jugore të vendit që administrohej nga forcat franceze e italiane. Në arkivën franceze ekziston një foto e teleferikut që transporton 2 persona, njëri ushtarak e tjetri civil, sëbashku me punonjësin e teleferikut që duket. Referuar arkivës franceze, fotoja që sjell “SCAN” është bërë në rajonin e Vlorës në dhjetor të vitit 1916 nga fotografi Robert Vaucher dhe ka nënshkrimin “Në frontin e Vjosës (dhjetor 1916). I dërguari ynë special vijon udhëtimin e tij me “teleferik”.

Teleferikët që do të përdoreshin për qëllime ushtarake do të ekzistonin deri në vitin 1918-1919, periudhë në të cilën forcat ushtarake tërhiqen nga Shqipëria pasi ka përfunduar lufta.

Në kujtimet e tij, Sejfi Vllamasi në ato vite politikan aktiv e i njohur do të shkruante për situatën e komunikacionit në Shqipëri duke e konsideruar një “plagë”. Në këto kujtime ai përmend ekzistencën e teleferikëve që lidhnin Lezhën me Vorën. “Gjatë Luftës së Parë Botërore Austria kishte bërë rrugët me karakter provizor Shkodër-Vorë-Llogara-Sarandë-Gjirokastër-Tepelenë-Vlorë. Turqia nuk kishte lënë rrugë automobilistike. Rrugët Manastir-Korçë-Janinë dhe Gjirokastër-Janinë ishin vetëm rrugë për karrocë e të prishura prej kohe. Ndonjë rrugë tjetër, si edhe dekovilat Vorë-Lushnje e teleferikët Lesh-Vorë kishin karakter lokal e të përkohshëm dhe qenë prishur menjëherë. Edhe vetë rrugët kryesore të mbetura nga Austria e Italia donin riparime të mëdha” shkruan Vllamasi në kujtimet e tij.

Praktika e ndërtimit të teleferikëve ishte një praktikë e ndjekur edhe në vende të tjera nga ushtria austro-hungareze e ajo franceze gjatë Luftës së Parë Botërore. Edhe në Mal të Zi e Maqedoni gjatë periudhës së luftës do të ndërtoheshin teleferikë për qëllime ushtarake në vitin 1916.

K.KUÇAJ/SCAN

Advertisements
Advertisements