Teodor Vaso
Teodor Vaso

Dihet nga të gjithë që Korça ka qenë dhe mbetet një qytet i veçantë në të gjitha parametrat e tij. E kam admiruar vazhdimisht dhe gjatë karrierës sime futbollistike e quaja privilegj të shkoja në Korçë dhe akoma më shumë të luaja ndaj atij ekipi shumë simpatik. Këtë radhë, vajtja ime në Korçë lidhej me dy obligime pune, ku s’ka se si të mos përmend atë që unë do ta konsideroj të parë dhe shumë të rëndësishëm, takimin me legjendën e futbollit korçar, Teodor Vaso. Biseda e jashtëzakonshme dhe shumë e ngrohtë me të më rikujtoi vitet e arta të rinisë sonë, të asaj rinie që nuk ka asnjë lidhje me këtë të sotmen. Angazhimet tona atëherë me futbollin lidheshin me pastërtinë dhe sinqeritetin e natyrshëm të kontributit tonë, për një futboll me vlera dhe shumë cilësor. Sigurisht që unë mbeta i befasuar nga mënyra se si u zhytëm pa dashur dhe ramë “viktimë” e atyre kujtimeve shumë të bukura të asaj kohe të artë. Por ato që lidheshin me peripecitë e jetës së këtij futbollisti kaq të madh, me sekuencat e imagjinuara para syve tanë, por tepër reale për atë kohë dhe me përgjigjet plot thjeshtësi të natyrshme, virtyt ky i Teodor Vasos, ndaj pyetjeve të mia shumë kureshtare, më lanë pa frymë.

“E nisa futbollin me kokën poshtë, se e dija që futbolli donte punë, shumë djersë dhe sakrifica të jashtëzakonshme”. Kështu e nisi bisedën Teodori, me këto fjalë të thjeshta dhe të sinqerta, që tregonin rrugën e gjatë dhe shumë të vështirë, të cilën e përshkoi drejt majës së suksesit. Shikoja sytë e tij plot shkëlqim dhe pasionin e natyrshëm, me të cilin ai fliste për sportin e tij të dashur, futbollin, të cilit i dha forcën, lëvizshmërinë, teknikën, kolektivitetin, zgjuarsinë dhe mbi të gjitha rininë e tij shumë të shtrenjtë. Më dukej si ëndërr që unë isha realisht para legjendës. Po, nuk ishte ëndërr, tani kisha vërtet para syve të mi njeriun epokal, atë që mendoja dhe ëndërroja kaq kohë për ta takuar. Isha shumë i interesuar për realizimin e këtij takimi të programuar para shumë kohësh, për të kontribuar me mundësitë dhe përpjekjet e mia të nisura, në mënyrë që futbolli ynë të dalë nga kriza ku është zhytur. Gjatë bisedës kuptova, por më vonë edhe u binda, që mendimet e Teodorit përshtateshin me mendimet e mia dhe thjeshtësia e tij në përshkrimin e momenteve të bukura, që jetoi gjatë karrierës së tij të suksesshme sportive, e bëri bisedën shumë interesante. “Unë, – më tha Teodori, – e nisa futbollin me spartakiadat e shkollave të mesme teknike në Tiranë, ku vajta për t’u shkolluar. Me angazhimin dhe seriozitetin tim gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve, tërhoqa vëmendjen e shumë specialistëve të asaj kohe dhe kjo bëri që unë të gjendesha i kërkuar më vonë nga të gjitha ekipet e kryeqytetit tonë. Ishte shumë e vështirë atëherë të vendosja me cilin ekip do luaja, se isha e ri dhe shumë gjëra ende, sinqerisht nuk i njihja. Por, ajo që kishte rëndësi për mua, ishte se qeshë i vendosur të luaja futboll dhe arrita të luaja, si me Dinamon edhe me Partizanin, ekipe këto me peshë të jashtëzakonshme në kampionatin shqiptar”.

Për ta bërë bisedën edhe më interesante, e pyeta për emrat e tjerë të mëdhenj të futbollit, bashkë me të cilët u ngrit shumë lart emri dhe cilësia e tij, duke mbushur stadiumet dhe fushat sportive të vendit. “Në të gjitha ekipet shqiptare atëherë kishte emra futbollistësh të një klasi të veçantë, – vijoi Teodori, – por sipas meje dhe kjo përkon me mendimet e të gjithë të tjerëve, do të dalloja tre mbretër”.
– “Mbretër? Si ka mundësi, tre mbretër?” – e ndërpreva, duke buzëqeshur.
“Po! – Këtë e tha me bindje të plotë dhe të argumentuar. – Mbreti i futbollit shqiptar ishte i paharruari Loro Boriçi, mbreti i lojës Panajot Pano dhe mbreti i golave, Refik Resmja. Dallimi midis këtyre mbretërve është se i madhi Loro Boriçi ishte i kompletuar me të gjithë parametrat, gjatë dhe pas lënies së futbollit. Ai ishte një futbollist shumë i madh, por u bë dhe një trajner akoma më i madh. Kështu, ai mbeti i paarritshëm deri tani, si futbollist dhe si trajner. Panajoti ishte një talent i lindur për futboll dhe një fenomen i rrallë gjatë lojës. Nuk kish ndeshje, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që Panajot Pano të mos tërhiqte vëmendjen për lëvizjet e tij të zgjuara, driblimet fenomenale, shkëputjet fantastike dhe gjuajtjet e befasishme në drejtim të portës kundërshtare. Ndërsa i madhi Refik Resmja, për mua do të mbetet mbreti i golit. S’kishte ndeshje që Refiku të dilte nga ndeshja pa shënuar një ose më shumë gola. Kishte një nuhatje të veçantë e të jashtëzakonshme para portës, me një fjalë ishte Myleri i Shqipërisë”. Cilat janë momentet më të këndshme për ju gjatë karrierës suaj, Teodor, dhe cilat janë ato që ju problematizuan dhe ju lanë shije pak të hidhur?

S’ka se si futbolli të ketë vetëm momente të këndshme, Dhimitraq. Ti ke luajtur vetë dhe i ke provuar që të dyja. Por unë, nuk do të harroj ndeshjet e Kombëtares sonë me gjermanët e Bekenbauerit, kur në Dortmund, më 8 prill 1967, humbëm 6-0, ndërsa në Tiranë morëm rezultatin 0-0, shumë pozitiv për ne atëherë, më 17 dhjetor 1967. Kuptohet që Kombëtarja gjermane atëherë konsiderohej pretendente kryesore për Kupën e Botës. Por, gjermanëve u kushtoi shtrenjtë takimi me ne, se u skualifikuan dhe nuk morën pjesë në finalet e 1968-ës në Itali, ku, siç dihet, kualifikimin në grup e mori ekipi jugosllav. Shtypi botëror në atë kohë kishte në epiqendër atëherë Kombëtaren shqiptare. Ne, protagonistët e atëhershëm, domosdo që ndjenim një sodisfaksion të madh dhe të ligjshëm. Sigurisht që kam pasur edhe shumë momente të bukura, sepse karriera ime ka qenë e gjatë. Duke qenë se janë të shumtë dhe ju këmbëngulni, unë do ju përmend disa momente të tjera, veç atyre me gjermanët. Me jugosllavët, që i kishim në grup, në Tiranë, më 14 maj 1967, humbëm 0-2. Ndërsa në Beograd, në ndeshjen e kthimit më 12 nëntor 1967, humbëm 4- 0 dhe ata u kualifikuan për në Itali. Po i kujtoj këto momente se, duke mbërritur në Beograd për ndeshjen e kthimit, shikonim kudo banderola të mëdha nëpër rrugë, por edhe të nesërmen në stadium, me një portë të madhe, ku ishin vendosur brenda saj 10 topa, që donin të thoshin se rezultati do të jetë 10 me zero dhe se Xhaiçi, ylli i futbollit jugosllav atëherë, do të shënonte 4 gola. Fakti që unë në atë ndeshje luajta me të dhe se ai nuk bëri asnjë gol, shtypi sportiv jugosllav më përmendi dhe më vlerësoi shumë. Ndërsa gazeta jonë e vetme sportive fliste për formën sportive të dobët të Xhaiçit, pa përmendur lojën e mirë të mbrojtësit tonë të talentuar, T. Vasos”, vijon legjenda korçare. – Sigurisht, – ndërhyra unë, – Atëherë edhe shtypi ynë sportiv, përcillte politikën e marrëdhënieve jo të mira me udhëheqjen e atëhershme jugosllave. “Po, po, ashtu ishte”, – plotësoi bisedën Teodori. “Ishte i njëjti rast kur në Stamboll, pas fitores sonë 3-0 me turqit në Tiranë, ekipi turk në tetor të 1971-shit fiton 2-1 në stadiumin ‘Mitat Pasha’ të Stambollit, në prani të 50 000 spektatorëve. Shtypi turk dhe gazeta më e madhe turke ‘Hurriyet’ vlerësoi për këtë ndeshje maksimalisht, me 4 yje, mesfushorin rregullator T. Vaso dhe me tri yje katër lojtarë të tjerë, shqiptarë dhe turq, midis tyre mbrojtësin Astrit Ziu, që bëri dhe golin, si dhe Sabah Bizi, i palodhur i ekipit tonë. Përsëri shtypi ynë në Tiranë, për çudinë e të gjithëve, nuk përmendi asgjë nga kjo ndeshje”, vijon Vaso. – Po si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë? – e pyeta dhe unë shumë i çuditur nga ky fakt.

Loading...

“Futbolli atëherë dirigjohej nga kastat, ato ushtarake dhe byroiste dhe jam i detyruar tani, t’ju them dhe ato, që përmenda në fillim, të pakëndshmet në futboll, – vazhdoi Teodori. Ata që nuk e njihnin futbollin, edhe e komandonin, për fat të keq. Kërkonin me të gjitha mënyrat të fitonin ekipet e tyre, Partizani i Ministrisë së Mbrojtjes, Dinamo e Ministrisë së Brendshme dhe 17 Nëntori i Tiranës. Mbaj mend, kur u ktheva përfundimisht në qytetin tim të lindjes, në Korçë, pas një karriere të gjatë me ekipet e Tiranës, Skënderbeu, ekipi im i zemrës, paraqiste vazhdimisht një lojë cilësore dhe pretendonte disa herë edhe për të marrë kampionatin. Por kjo nuk ndodhi asnjë herë, se pushtetarët e Tiranës nuk donin që një ekip provincial të dilte kampion. Madje, edhe shtypi i kohës ishte në shërbim të pushtetarëve, kundër Skënderbeut. Përdoreshin të gjitha mjetet që ekipi i Korçës dhe i ekipeve të tjera të rretheve të Shqipërisë të mos konkurronin me ekipet e Tiranës dhe t’u prishte punë atyre. Presionet, letrat anonime, kërcënimet, arbitrat dhe shumë forma të tjera përdoreshin edhe në atë kohë dhe askush nuk mund t’i ndalte, por ato nuk merreshin vesh kollaj dhe kanë ngelur ende sot të patrajtuara”. A krenoheni me Skënderbeun e sotëm?
“Sigurisht që krenohem, por jo si atëherë. Ne ishim të pastër atëherë dhe nuk i kemi lejuar vetes pazare pikësh dhe parash. Futbolli ynë sot është tërësisht i kategorisë së dytë për shumë arsye, por kryesorja është se lojtarët e Kombëtares sonë luajnë jashtë shtetit dhe nuk kontribuojnë në rritjen e cilësisë së futbollit shqiptar. Kjo është shumë e dhimbshme. Me keqardhje them se edhe në të ardhmen nuk do të kemi futboll cilësor, se askush nuk kujdeset për fëmijët tanë, pasi mes tyre ka jo pak talente. Terrenet ku stërviten ata, janë tmerrësisht të papërshtatshme dhe shoqëria jonë nuk është e gatshme të luftojë anti-futbollin, i cili na rrethon nga të gjitha anët dhe po i merr shpirtin kësaj loje magjike”, vazhdoi Vaso.

E kuptova që në fillim se Teodorit nuk i pëlqente të fliste shumë për veten dhe më fliste për shokët e tij futbollistë, në të gjitha ekipet shqiptare dhe sigurisht edhe për ata të ekipit kombëtar, ku dhe kontributi i tij ka qenë i madh. Gjithashtu, u indinjova jashtë mase kur mora vesh për pensionin e turpshëm, prej 110 eurosh në muaj, me të cilin qeveritë shqiptare shpërblejnë lojtarët e një kalibri kaq të madh. Ky është dhe një apel shumë i sinqertë për qeverinë e sotme shqiptare, që të vendosë në vend dinjitetin e shtresës së sportistëve tanë, të cilët humbën rininë e tyre dhe dolën me gisht në gojë, ndryshe nga kolegët e tyre në botën e qytetëruar demokratike. U detyrua më në fund dhe, pas “presionit” tim, të më thoshte po, është e vërtetë, qyteti im i zemrës më shpalli futbollistin më të mirë të shekullit më 1 nëntor 1998. Në ato momente, kolegu im ndjeu një krenari të ligjshme dhe sytë e tij e tradhtuan. Bashkë me të respektuarin tim lotova edhe unë, që intervistova një emblemë të futbollit shqiptar. Ky ishte atëherë, në kohët e arta të futbollit shqiptar, i pakalueshmi i Kombëtares sonë dhe sot, qytetari fisnik i Korçës së vlerave, i madhi Teodor Vaso.

Burimi: Panorama Sport