Na ishte njëherë një zonjë dhe na kishte një vajzë dhe kërkonte… Zoti i kishte falur talentin. Intuita e rrallë, zhdërvjelltësia, shkathtësia, mimika, përkushtimi dhe dashuria deri ditën e fundit të jetës – këto tipare na sjellin në mend një aktore-simbol, të skenës dhe ekranit shqiptar, Violeta Manushin – një prej aktoreve, që vunë themelin e teatrit dhe filmit artistik në Shqipëri, me lojën interpretative.

Në fakt, populli e ka pagëzuar me kohë, si Teto Ollga. Roli i Ollgës, do të ishte një tablo e përkyer e jetës në fshat e qytet, viteve të Shqipërisë së socializmit, atëherë kur arti edhe imponohej. Por, si për çdo artist, që shpirti i rrezaton vetëm dashuri dhe emocion, as diktatura më e rreptë nuk mundi ta fashisë nga portreti i saj, shkëlqimin hyjnor që buronte prej shpirtit të madh e përkushtimit të thellë profesional./Konica.al/Hera Lera

E tillë ishte dhe do të mbetet Violeta Manushi, për mbarë publikun e saj. Ndërsa për të gjithë kolegët, ajo do të ishte mësuesja e palodhur e aktoreve më të reja, profesionistja absolute me një plastikë për t’u admiruar, gruaja me shpirtin human që nuk u ankua kurrë dhe aktorja që çdo rol, do ta kthente menjëherë në arritje profesionale të pasdiskutueshme./Konica.al

Violeta Manushi lindi më 6 mars të vitit 1926, në Voskopojë të Korçës dhe ndërroi jetë më 26 korrik të vitit 2007, në Tiranë, pas një sëmundje të rëndë. Një ndër ikonat e teatrit, ndër aktoret e para të skenës, që ka shkëlqyer njësoj në komedi dhe dramë, skenë dhe kinema.

Karriera e aktores së madhe shqiptare, numëron 100 role në teatër dhe 16 të tilla, në kinematografi.  Ndërsa ishte thjesht një punëtore tipografie, asokohe vetëm 20 vjeçe, ajo u regjistrua në shkollën e parë dramatike, çelur pranë Teatrit të Shtetit, më 1946. Menjëherë u dallua lehtësisht, për vërtetësi në interpretim, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, bashkuar këto më disiplinën dhe vullnetin e hekurt.

Në plejadën e aktorëve që i dhanë emër kinematografisë shqiptare, teto Ollga mbetet e dashura, e përkushtuara, pasionantja qoftë e rolit më modest e deri tek ai më protagonisti. Violeta Manushi i përket atij brezi artistësh, të cilët, deri në vetëmohim, dhanë veten dhe shpirtin krijues për vendin e tyre.

Brezat do ta kujtojne gjithmonë, si portretin që përcjell mjeshtëri të lartë artistike, me një plastike të paarritshme dhe me një përkëdheli tipike, vetëm të sajën, për çdo rol në teatër e kinema./Konica.al

“Orët e Kremlinit” (1957) ishte drama ku Manushi luajti tri role njëherësh, duke shënuar kështu një rekord krejtëisht origjinal. Më pas, aktorja shkëlqeu në rolet protagoniste në komeditë “Gratë gazmore të Uindsorit” (1959) dhe “Morali i zonjës Dulska” (1958).

Nga dramaturgjia kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë, në “Karnavalet e Korçës” (1964), Zyhranë në “Fytyra e dytë” (1968), plakën Nicë te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1971), Ollgën e fasmhme në “Zonja nga qyteti” (1975) dhe teton në “Pallati 176” (1985) – secili rol një karakter më vete, ka ardhur mjeshtërisht nën interpretimin, plastikën e zërin e aktores.

Ka luajtur edhe në 16 filma, që nga “Tana në vitin 1958 dhe deri tek “Rrethimi i vogël”, në vitin 1989, tek teledrama “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin, ku spikati talenti i aktores për interpretimin e plakës Nicë. Për rolin e Ollgës tek “Zonja nga qyteti”. Violeta Manushi u vlerësua me medaljen e festivalit të filmit në vitin 1977.

Këto janë disa nga rolet që ka interpretuar “Artistja e Popullit”, Violeta Manushi:

Në teatër: “Qypi me flori”, “Epopeja e Ballit Kombëtar”, “Dom Gjoni”, “Pas vdekjes”, “Halili dhe Hajria”, “Tartufi”, “Mikroborgjezët”, “Rrënjët e thella”, “Orët e Kremlinit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Morali i zonjës Dulska”, “Arturo Ui”, “Lumi i vdekur”, “Karnavalet e Korçës”, “Zonja nga qyteti”, “14 vjeç dhëndër”, “Epoka para gjyqit”, “Borgjezi fisnik”,
“Fytyra e dytë”, “Pallati 176”, “Valsi i titanikut”, “Kati i gjashtë”, etj. etj.

Në kinema: 1958: “Tana”, 1961: “Debatik”, 1965: “Vitet e para”, 1969: “Përse bie kjo daulle”, 1969: “Plagë të vjetra”, 1970: “Gjurma”, 1973: “Mimoza llastica”, 1975: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, 1976: “Zonja nga qyteti”, 1977: “Zëmra që nuk plaken”, 1980: “Një shoqe nga fshati”, 1981: “Përtej mureve të gurta”, 1983: “Një vonesë e vogël”, 1984: “Taulanti kërkon një motër”, 1986: “Rrethimi i vogël”, 1987: “Etja”, etj.

Burimi: Konica.al