ANILA DEDAJ/ E ëndërronte “La Scala”-n sopranoja shqiptare Enkeleda Kamani. E tani (2 vite pas pranimit në Akademi) që publiku i asaj skene magjike duartroket për të me ovacione të mëdha, nuk mund ta fshehë lumturinë.

Kritika italiane ia dedikon 26-vjeçares suksesin e “Rigoletto”-s, ku ajo interpretoi në rolin e protagonistes, në krah të baritonit Leo Nucci. “Ka lindur një yll”, shkruan media italiane, duke iu referuar këngëtares sonë. Ndihet e befasuar nga këto kritika pozitive, edhe pse siç pohon i është dashur të punojë shumë për të mbërritur një sukses të tillë. “Arritje të tilla, pa diskutim që ngjallin lumturi e të bëjnë të ndihesh krenare, por mbi të gjitha të vënë para një përgjegjësie të jashtëzakonshme, për të qenë në lartësinë e atij Teatri e sidomos të emrave të mëdhenj si Nucci, Oren, Deflo etj.”, tregon Kamani për “Panoramën”. Talenti e vullneti premtojnë që e ardhmja t’i shndrijë në muzikën klasike, por, siç kritikët shprehen, Kamanit do t’i duhet të tregojë kujdes në përzgjedhjen e repertorit. Ajo vetë e pohon një fakt të tillë e thotë se pas rolit të Gildës duhet menduar mirë çfarë roli do zgjedhë për të debutuar. Në këtë sfidë 2-vjeçare në Akademinë e “La Scala”-s, ku, siç rrëfen, konkurrenca është e fortë, rol të rëndësishëm luan edhe përgatitja në shkollën shqiptare, si dhe pedagogët që e udhëhoqën. “Unë kam pasur fatin të punoj me Inva Mulën, Mariana Lekën, Ermonela Jahon, Elda Laron. Po ashtu, kam pasur fatin të këndoj me Saimir Pirgun. Kam fatin të ndiqem nga profesori im Josif Gjipali!”, tregon Kamani. Por, mbi të gjitha, ndihet me fat për gjysmën tjetër të sajën, tenorin Klodjan Kaçani, i cili e mbështet në çdo hap.

Enkeleda, e keni rrëfyer më herët se skena e “La Scala”-s ka qenë ëndrra juaj. Si është të interpretoni në të si protagoniste e një vepre të rëndësishme e të bëni që publiku “të çmendet” me një Xhilde shqiptare?

Nuk është aspak e thjeshtë të interpretosh në atë skenë ku janë ngjitur yjet e lirikës. Arritje të tilla, pa diskutim që ngjallin lumturi e të bëjnë të ndihesh krenare, por mbi të gjitha të vënë para një përgjegjësie të jashtëzakonshme, për të qenë në lartësinë e atij Teatri, e sidomos të emrave të mëdhenj si Nucci, Oren, Deflo etj.

Mediat italiane nuk janë kursyer në kritika pozitive për performancën, duke ju atribuuar meritat më të mëdha për suksesin e “Rigoletto”-s. “Ka lindur një yll”, shkruan njëra prej tyre. Çfarë mendimesh apo ndjesish ka Enkeleda, ndërsa me të drejtë përkëdhelet nga komente të tilla?

Pas suksesit dhe kritikave pozitive, qëndron një punë intensive që zgjat rreth 9 muaj. Sigurisht, ne nuk mund ta parashikojmë sa i suksesshëm mund të jetë një produksion, por përpiqemi të bëjmë atë që na takon: Studimin e thellë dhe të detajuar të veprës, e mandej të japim maksimumin në çdo performancë. Të jem e sinqertë, edhe unë jam e surprizuar nga kritikat pozitive që më janë bërë (e këto nuk qenë të pakta), dhe s’mund ta mohoj se jam ndjerë e përkëdhelur. U jam mirënjohëse të gjithëve!

Si është të jesh në skenë vajza e Leo Nucci-t, baritonit që ka interpretuar rolin e Rigoletto-s për më shumë se 550 herë?

Pa dyshim që është një nga privilegjet më të mëdha për çdo soprano që interpreton rolin e Gildës. Maestro Nucci, rolin e ‘babait’, me mua e ka luajtur jo vetëm në skenë, por gjatë gjithë kohës. Më ka ndihmuar në çdo moment, qoftë në aspektet teknike, ato interpretative, e veçanërisht në këndvështrimin psikologjik. Edhe falë kësaj mbështetje, ndihesha e sigurt në vetvete për të përballuar këtë debut. Thjeshtësia që Maestro Nucci tregoi me të gjithë ne, ia rrit akoma më shumë madhështinë. I jam pafundësisht mirënjohëse.

Kritika, duke vënë në pah cilësitë tuaja vokale dhe interpretative, ju sugjeron të zgjidhni me kujdes rolet e ardhshme, kjo siç ata shprehen, “për një sukses jo afatshkurtër”. Në këtë kontekst, cilat do të jenë angazhimet tuaja në vijim?

Eh, nuk mund të mos u jap të drejtë! Një nga pikat më të rëndësishme e njëherazi më të vështira për një këngëtar lirik, sidomos kur është i ri e ende në hapat e parë, pa qenë i bindur se ç’drejtim do të marrë zëri i tij, është pikërisht zgjedhja e repertorit. Unë deri tani jam munduar të tregohem e kujdesshme (duke u konsultuar edhe me pedagogët e mi, sigurisht) dhe fatmirësisht nuk kam pasur probleme në këtë drejtim, por, pas rolit të Gildës duhet të mendohem mirë çfarë roli do zgjedh për të debutuar. Ndërkohë, pas shfaqjeve në “La Scala” isha bashkë me kolegët për në Arabinë Saudite, ku performuam përsëri me “Rigoletto”-n, dhe pas kësaj do të jem në Oman, Muscat, si pjesë e koncertit recital të Leo Nuccit, çka më bën realisht të ndihem e lumtur. Mandej, në fund të tetorit do jem pjesë e një konkursi, kurse në nëntor-dhjetor do jem e angazhuar në Teatrin e Cagliarit me operan “Hansel und Gretel”. Këto janë planet më të afërta.

Krahas Mariana Lekës e Elda Laros, keni pasur mundësi të zhvilloni edhe disa masterclass me soprano si Inva Mula apo Ermonela Jaho. Sa kanë ndikuar këto figura në rrugëtimin tuaj artistik dhe cila është ajo soprano (shqiptare apo e huaj), që Enkeleda ka si pikë referimi?

Kam bërë dhe do vazhdoj të bëj sa ka mundësi masterclasse, pasi janë shumë të nevojshme. Kanto-ja është shumë abstrakte dhe çdokush krijon një perceptim të vetin, ndaj konceptimi i dikujt tjetër, mund të na ndihmojë shumë, të na hapë dritare të reja, një botë të paekspoloruar. Unë kam pasur fatin të punoj me Invën, Marianën, Ermonelën, Eldën. Po ashtu, kam pasur fatin të këndoj me Saimirin. Kam fatin të ndiqem nga profesori im Gjipali! Jam me fat edhe sepse këto dy vitet e fundit në Akademi po punoj me emra nga më të rëndësishmit e lirikës botërore, si R.Bruson, L.D’intino, Eva Mei, V.Scalera e shumë të tjerë. Këto personalitete nuk janë thjesht profesionistë të një kalibri të lartë, mbi të gjitha për mua janë shembuj frymëzimi. Uroj edhe shpresoj të eci në hapat e tyre.

Krahas talentit, mundësive dhe kënaqësisë, sa e vështirë është të jesh pjesë e një prej akademive më prestigjioze siç është ajo e “La Scalas”, për sa i përket edhe punës, angazhimit që kërkon?

Puna është elementi bazë i profesionit tonë. Të kesh një vokal të bukur, fatkeqësisht nuk do të thotë asgjë nëse nuk do dish ta përdorësh në mënyrën e duhur. Këto dy vite më ka ndihmuar shumë akademia për të kuptuar më mirë si duhet të kujdesem e ta përdor vokalin tim. Por, sigurisht, nuk është e mjaftueshme. Studimi në këtë profesion mendoj që nuk mbaron asnjëherë dhe madje mua më ndodh që sa më shumë studioj, aq më pak më duket sikur di. Ka gjithmonë diçka të re për të zbuluar, përpos kësaj studimi të ndihmon të njohësh shumë më shumë veten tënde. Të mos harrojmë edhe eksperiencën, që është një faktor shumë i rëndësishëm. Sa më shumë eksperiencë të kesh, aq më e thjeshtë bëhet gjithçka.

Sa e ndieni konkurrencën dhe a ju ndihmon shkolla shqiptare për ta përballuar, siç po ndodh, me dinjitet?

Sigurisht që konkurrencën e ndiej, por të them të drejtën ndihem mirë për këtë, pasi bëhet një motiv parësor që të shtyn të ecësh përpara. Për sa i përket shkollës shqiptare, unë personalisht jam shumë e kënaqur. Vetëm me studimin në shkollën shqiptare (sigurisht duke iu referuar pedagogëve të mi), kam bërë 5 role kryesore në Teatrin e Tiranës (përveç shumë koncerteve), kam fituar konkursin “Marie Kraja” në Shqipëri, konkursin “Aslico” në Itali (për rolin e Paminës), si dhe konkursin për Akademinë e “La Scala”-s..

E keni nisur rrugëtimin në vendin e lindjes, Fushë– Krujë, mandej në Akademinë e Arteve dhe TKOB. Nëse bëjmë një krahasim të përgjithshëm të skenës shqiptare me ato ndërkombëtare, ku keni pasur mundësi të interpretoni deri më tani, a hasni diferenca të thella?

Sigurisht që ka diferenca, por mendoj që çdo vend duhet gjykuar në bazë të mundësive që ka. Unë jam shumë e lumtur që më në fund Teatri ynë po rikonstruktohet me kushte nga më të mirat dhe mendoj që sodisfaksioni do të jetë shumë i madh për të gjithë artistët që do kenë mundësinë të interpretojnë aty.

“La Scala” është një ëndërr e realizuar tanimë dhe Enkeleda ka shënuar një sukses që duhet mbajtur në “kreshendo”. Cilat janë objektivat tuaja në të ardhshmen?

Siç e ceka, më duhet të jem e kujdesshme në zgjedhjen e repertorit që të mbaj zërin tim të shëndetshëm për një kohë sa më të gjatë. Sigurisht, dëshira është shumë e madhe për të bërë një karrierë të mirë, por le të shohim çfarë më ka rezervuar e ardhmja. Unë mundohem të jem me këmbë në tokë dhe të jap maksimumin në atë që më përket mua të bëj, për të tjerat ia lë fatit dhe Zotit në dorë.

Gjatë karrierës a keni pasur një moment që mund ta konsideronit si më të vështirin dhe çfarë ju ka bërë të ecni përpara?

Në profesionin tonë është shumë e thjeshtë të kesh momente të vështira, sidomos kur je e re, në një vend të huaj dhe je pjesë e një nga Teatrove më të rëndësishëm të botës, ku konkurrenca është në maksimum. Është një presion psikologjik i madh që të shoqëron gjithë kohës për të qenë në lartësinë e duhur, por unë kam kuptuar që e vetmja gjë që nuk të lë në baltë dhe të nxjerr gjithmonë në dritë, është përgatitja e duhur profesionale. Sa më i përgatitur, sa më i sigurt, aq më lehtë kalon gjithçka.

Cili është roli i Klodit në këtë sukses si partner, por edhe koleg?

Klodin unë e quaj Diell, sepse ngroh dhe ndriçon të gjithë qenien time. Unë nuk e di në do të isha këtu ku jam nëse nuk do ishte Klodi. I detyrohem shumë për çdo arritje timen. Fakti i të qenit të dy artistë lirikë bën që ta kuptojmë edhe më mirë njëri-tjetrin. Sigurisht që nuk është gjithmonë e lehtë, pasi në disa raste na duhet të qëndrojmë larg njëri-tjetrit për shkak të produksioneve në vende të ndryshme, por ne mendojmë se ku ka dashuri, ka gjithmonë një zgjidhje. Si partner, ai është gjithçka unë kam nevojë. Si koleg, po ashtu është fantastik, sepse më bën gjithmonë komplimente edhe kur nuk i meritoj (qesh). Ndërsa, unë si kolege jam pak më e rreptë, por jemi gjithmonë 100 për qind të përkushtuar për të ndihmuar njëritjetrin.

Kur do ta shikojmë Enkeledën në Shqipëri?

Sa herë që të më ftojnë e të kem mundësi, do të jem aty, me shumë kënaqësi! Sepse, “La Scala” është Teatri i ëndrrave, por TKOB mbetet teatri i zemrës.

Burimi: www.panorama.com.al