Ai ishte fukara në kulm dhe kishte 30 vite që qëndronte i ulur në qoshe të rrugës, duke lypur. Një ditë, pranë tij kaloi një njeri i huaj. Menjëherë, lypësi ngriti kapelën e tij të vjetruar dhe i tha:”Na fal diçka o rob i Zotit!”

I huaji ia ktheu:”Nuk kam asgjë për të të dhënë.”

Mandej, i huaji ndaloi dhe e pyeti:”Çfarë është ajo mbi të cilën je ulur?”

Lypësi iu përgjigj:”Asgjë, është një sënduk i vjetër dhe i pavlerë. Ka tridhjetë vite që ulem mbi të.”

I huaji i tha:”A nuk e ke hapur dhe ta shohësh çfarë ka brenda?”

Lypësi iu përgjigj:”Jo, e çfarë mund të ketë brenda tij?! Ta them unë, një hiç të madh.”

I huaji insistoi që ta hapte sëndukun, duke i thënë:”Mirë, por le t’ia hedhim një sy të dy bashkë. Kushedi çfarë mund të fshihet brenda tij.”

Lypësi u ngrit dhe me duart që i dridheshin, mezi e hapi sëndukun e vjetër. Ai mbeti pa fjalë kur pa se sënduku ishte plot me monedha ari.

Unë nuk kam asgjë për të të dhënë, por po përpiqem të të them që të kërkosh brenda sëndukut tënd të brendshëm, brenda vetes tënde.

Fukarenj të vërtetë janë ata që nuk e kanë zbuluar pasurinë e vërtetë të tyre, ata që nuk i njohin çfarë kapacitetesh kanë, çfarë energjish gëzojnë brenda tyre, çfarë talentesh fshehin dhe nuk i dinë.

Dikush mund të ketë miliona e miliarda, e megjithatë, mbetet fukara, sepse nuk e njeh akoma veten e tij, ai ka kërkuar kudo jashtë, por asnjëherë nuk është orvatur të kërkojë brenda vetes.

/ao/ – Burimi: Kohaislame.com