Revista prestigjoze franceze “GEO Magazine”, në numrin e saj të 118-të, të muajit dhjetor 1988 ka botuar një shkrim nga reporteri Eduar Bajbi (Edouard Bailby) dhe fotografi Mishel Setbun (Michel Setboun).

Ata kanë patur mundësinë e rrallë të vizitojnë Shqipërinë e asaj kohe nga veriu në jug.

Artikulli trajton tema të ndryshme të realitetit shqiptar, si kontrollet në kufi, parrullat politike, bunkerët, feja, ritmi i një jetë të qetë si refuzim ndaj agjitacioneve të kohëve moderne, pamundësia e të huajve për të dialoguar me shoqërinë civile shqiptare, përdorimi i gjuhëve të huaja, uniformizimi i shoqërisë, mënyrat e transportit, etj.

Në vazhdim, rrëfimi i reporterit Bajbi në 1988, i cili e fillon shkrimin me titullin « Immobile Albanie – Shqipëria e palëvizshme (e shtangur), publikuar në gjuhën shqipe nga blogeri Aurenc Bebja:

Papritur, pas një kthese, autobuzi ndalet pranë një ndërtese ku valvitet flamuri jugosllav. Na duhet të zbresim valixhet tona dhe t’i hapim të shtrira përtokë. Dy doganierët na shikonin me vëmendje. Që prej tensionit mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë i rritur për arsye të provincës së Kosovës, turistët e rrallë që kalojnë kufirin shikohen me mosbesim.

Zyrtarët jugosllavë paralajmërojnë grupin tonë: “Kur të ktheheni, në qoftë se kaloni këtu, ne do të ju konfiskojmë çdo shkrim të botuar në Shqipëri”. Bëhej fjalë edhe për broshurat turistike dhe librat e artit.

Nuk është e thjeshtë të arrish në malësinë e Republikës popullore socialiste të Shqipërisë, e ndodhur mes Jugosllavisë dhe Greqisë. Vendet në avion janë pothuajse të gjitha të rezervuara për diplomatët, biznesmenët, dhe të ftuar të qeverisë së Tiranës. Një linjë e vetme ajrore siguron fluturime nga Evropa perëndimore, dy herë në javë, mes Zyrihut dhe kryeqytetit shqiptar.

Përsa i përket hekurudhës së vetme që lidh Shqipërinë me botën e jashtme, të inaguruar në 1986, as që bëhej fjalë t’a përdorje : ajo shërben për transportin e mineraleve dhe mallrave. Mundësia e vetme për të udhëtuar ngelet rruga. Dy poste kufijsh, në jug, për grekët; dy të tjera, në veri dhe lindje, për evropianët e tjerë.

Pasi kaluam kontrollin doganor jugosllav, grupi ynë, i formuar prej 12 turistësh, drejtohet për në postin kufitar shqiptar, Hani i Hotit. Secili duhet të marrë valixhet e veta dhe të ecë 100 metra në këmbë, një sipërfaqe e cila nuk i përket askujt – no man’s land. Ushtarë me pushkë – mitraloz, ngrejnë barrierën. Na fusin në një ndërtesë të vogël.

Gjatë kohës që guida jonë franceze jep dokumentat e vizës kollektive, neve na kërkojnë të hapim valixhet tona. Para se të nisesha nga Franca, pata marrë një dokument të agjensisë së udhëtimëve ku shkruhej : « Materialet e shtypura jashtë Shqipërisë nuk janë të autorizuara të hyjnë në vend. Veçanërisht, prospektet (traktet) mbi Jugosllavinë dhe revistat pornografike”.

Një udhCtari nga Metz-i (qytet në veri-lindje të Francës) i konfiskojnë një gazetë të përjavshme sportive. Një tjetër turist detyrohet të dorëzojë disa revista mode.

“Do t’ua kthejmë të gjitha kur të dilni nga Shqipëria”, shpjegon doganieri që na bën shenjë të kalojmë dhe të presim në një sallon.

Pas një vitrine, disa vepra të Enver Hoxhës – drejtuesi i madh shqiptar vdekur në 1985 pas 40 vitesh pushteti absolut – dhe disa paketa cigaresh.

Një gjysëm ore më vonë, ne hyjmë në një autobuz me ajër të kondicionuar d’Alb-turist, agjensisë zyrtare të turizmit. Fjalët e para të guidës (shoqëruesit) tonë, në frengjisht: “Mirësevini në vendin tonë. Mbi të gjitha, relaksohuni… “. Disa herë, gjatë ditëve të para, ai përsëriti: “Ju lutem, relaksohuni”.

Pothuajse para 20 vitesh, reporter për një gazetë të përjavshme franceze e botuar në masë, kisha arritur, pas disa negociatash të rëndësishme, të merrja një vizë individuale. Asokohe, pothuajse vetëm 12 gazetarë perëndimorë kishin arritur të hynin në Republikën popullore socialiste të Shqipërisë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Pothuajse prej 29 000 km², ku dy të tretat janë zona malore, dhe një e treta fushë bregdetare. Gjatë rrugës buzë liqenit të Shkodrës (45 km i gjatë dhe 10 km i gjërë) është rrëmujë në hyrje dhe në dalje të fshatrave. Fshatarë duke ecur apo punëtorë me biçikleta, dhe ndonjëherë disa autovetura. Në fusha, gratë kosisin, presin, punojnë me bel, prashisin fermat e mëdha shtetërore sikur të punonin në një shumëllojshmëri kopshtesh (pronash) individuale.

Të krijohet ndjenja e kthimit 50 viteve mbrapa, kur plugimet dhe korrjet bëheshin me dorë. « Më kujton fëmijërinë time » – shprehet një burrë i moshuar nga Burgonja (Bourgogne) i ulur afër meje. Në sytë e tij dallohej një nostalgji e papërcaktueshme…

Gjatë rrugës, në hyrje të uzinave, në fasadat e ndërtesave, disa prej tyre të rrënuara, kishte parrulla: “Lavdi RPSSH”, “Përjetë me Enverin”. Ndonjëherë, një shkrim urdhëron qytetarët: “Merr librin, kazmën dhe pushkën tënde”.

Të ndërtuara me mijëra, bunkerët individualë i gjen në të gjithë territorin shqiptar. I shohim buzë rrugëve, përrreth uzinave, në fushat e duhanit, grurit dhe misrit, në vreshta, në plazhe, në male, ku më i larti është Korabi (2 764 m). Ndonjëherë, bunkerët janë të rreshtuar njëri pranë tjetrit, ose të shpërndarë nëpër fshatra pas asnjë lloj logjike. Rojet që ndodhen brenda, a janë në gjendje t’u rezistojnë trupave ajrore ?

Këta bunkerë betoni, në formë të rrumbullakët, janë diçka e pazakontë dhe mbresëlënës. Pashë në oborrin e një uzine disa bunkerë të rinj gati për t’u dërguar porositësve të tyre. Që prej ndërhyrjes së trupave sovietike në Ceko-Sllovaki, para 20 vitesh, shqiptarët qëndrojnë në gatishmëri lufte. Ata nuk kanë harruar. Ata e dinë, se në çdo moment, duke mos pasur asnjë lloj mundësie aleance, as me Jugosllavët, as me Sovietikët, as me kinezët e largët, mund të jenë viktimë e një konflikti në Europë.

Eshtë ora një e natës. Në Tiranë, në dhomën e hotelit, ndërtesë 15 katëshe e ndërtuar në vitet 80 dhe « grataçela » e vetme e kryeqytetit, dalloj një burrë që fshin sheshin qendror (Sheshin Skënderbe), me metodë, pa u ndalur. Ndonjëherë, një kalimtar i vonë kalon xhaden me hapa të ngadaltë. Asnjë veturë, asnjë zhurmë. Pastruesi fshin edhe një herë gjurmat e këpucëve.

Edhe në brigjet e detit Adriatik, në Durrës, kam patur gjithashtu ndjenjën e përjetimit të një filmi të viteve 30. Në mbrëmje, kur dielli fillon të zhduket në horizont, qindra shëtitës ecin mbi rërë me një ritëm të qetë. Në qytete, në fshatra, nuk kam parë njeri të ngutë hapat. Bota duket sikur rrotullohet me ngadalësi. « Relaksohuni », përsëriste guida jonë.

Në fakt, ne kishim ndjenjën sikur të ishim katapultuar në orbitën e një kohe të harruar. Në vitin 1971, në zemër të Tiranës, dëgjoja vetëm zhurmën e gjinkallave. S’kishte semaforë, disa Jeep-a zyrtarësh, dhe busti i Stalinit përballë atij të Leninit në bulevardin e Heronjve.

Që nga ajo kohë, sheshi qëndror i Tiranës është zbukuruar me një shatrivan të ndriçuar dhe disa ndërtesa moderne. Dhe dy semaforë janë instaluar në kryeqytet. Muzetë, të amenaxhuar shumë mirë, tregojnë historinë kombëtare…Në lulishtet e shumta publike, stolat presin qetësisht familjet dhe të dashuruarit. Kudo është e njëjta qetësi, sikur Shqipëria refuzon agjitacionin e kohëve moderne.

Në një kodër mbi Tiranë, dy ushtarë ruajnë gjatë gjithë kohës varrin e Enver Hoxhës. Asgjë madhështore, përveç bukurisë së peisazhit…

Gjatë gjithë qëndrimit tim në Shqipëri, u mundova me të gjitha mënyrat të flas me qytetarët në lulishtet publike apo kafenetë e Tiranës, Durrësit, Beratit, Krujës, Sarandës apo Gjirokastrës (qyteti i lindjes së shkrimtarit Ismaïl Kadaré, i bërë i famshëm për librin e tij « Gjenerali i ushtrisë së vdekur »). Nuk arrita, ishte e pamundur.

Shqiptarët komunikojnë shumë pak dhe me vështirësi me të huajt. Frika, indiferenca apo mosnjohja e gjuhëve ? Viktima të pushtimit italian gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, brezi i vjetër flet akoma italishten. Por edhe të rinjtë po fillojnë të studiojnë këtë gjuhë. A mos vallë është radioja italiane, të cilën e kapin lehtë në radiot e tyre, që i tërheq drejt botës së jashtme ? Gjithsesi, gjuha frënge është një gjuhë e privilegjuar, sidomos tek klasa drejtuese, dhe anglishtja po fillon të zë një vend sa më shumë të rëndësishëm në arsim…

Ka pasur 12 000 turista gjatë këtij viti në Shqipëri. Të gjithë kanë ardhur me grupe, nga 12 apo 15 persona minimumi. Asnjeri nuk lejohet të lëvizë lirshëm dhe vetëm…Guidat e Alb-turist preferojnë të flasin për shoqërinë shqiptare, origjinën dhe gjeografinë e saj, influencën bujqësore, minierat apo luftërat heroike për pavarësinë, në vend se të angazhohen në çështje që e kanë të vështirë t’u përgjigjen.

Çmimet nuk janë rritur që prej 1944

Disa fakte mjaftojnë për të treguar që Republika popullore socialiste e Shqipërisë është e veçantë në llojin e saj. Kështu, çmimet nuk janë rritur që prej 1944 ! Madje, kohët e fundit, çmimi i një kilogrami sheqer ka kaluar nga 10 në 8 lek. Përsa i përket rrogave, egzistojnë dy lloje : minimumi 500 lek në muaj, dhe maksimumi 1 000 lek.

S’ka lluks, s’ka të privilegjuar dhe as nomenklaturë si në Bashkimin Sovjetik.

Toka (prona) i përket shtetit, dhe pothuajse të gjitha banesat. Pajisjet shtëpiake kushtojnë shtrenjt dhe janë të ralla : 3 000 lek për një lavatriçe, 4 500 për një televizor. Ndërsa biçikletat, i vetmi mjet udhëtimi individual i pranuar zyrtarisht, kushtojnë rreth 750 lek secila. Nuk ka shumë kohë që edhe disa motoçikleta të huaja janë në treg. « Nuk është një shkelje e regjimit marksist-leninist sipas të cilit prona private duhet dëbuar nga shoqëria ? » Para kësaj pyetje, bashkëbiseduesi im është i paqartë : « Blerësit janë diplomatë ose inxhinierë që kanë punuar jashtë shtetit. Kanë bëre disa kursime para se të ktheheshin ».

Eshtë e vështirë të dallosh në rrugë një punëtor nga një funksionar, një katundar nga një ministër, një fshatar nga një qytetar, madje edhe një ushtar nga një oficer. Tek të gjithë thjeshtësia është rigorozitet…

Biçikletat, mbretëreshat e vogla të Shqipërisë

Biçikletat ishin ende të rralla para 20 viteve, madje edhe në Tiranë. Ato importoheshin nga Kina popullore, shtet me të cilin Shqipëria kishte asokohe marrdhënie të mira. Sot, shohim mijëra të tilla që përbëjnë mjetin kryesor për të lëvizur. Atobuzat nuk janë të shumtë…Përsa i përket rrjetit hekurudhor, para vitit 1945 nuk egzistonte. Linja prej 37 km që lidh Tiranën me portin e Durrësit është e mbingarkuar gjatë stinës verore.

Durrësi ka një plazh me rërë të hollë, gjashtë hotele, ndër të cilët Hotel Adriatikun, i ndodhur buzë detit dhe i hapur për të huajt. Dushet funksionojnë vetëm dy a tri herë në ditë, gjatë një gjysëm ore dhe gatimet nuk janë më të mirat e vendit. Kamarierët shërbejnë birrë dhe ujë mineral, ndonjëherë edhe raki, pija tradicionale. Në katin e parë të hotelit ka një dyqan të thjeshtë që ofron prodhime artizanale, si për shembull disa qilima me ngjyrë të kuqe, qeramikë dhe cigare.

Në Berat, ku gjendet plantacioni më i madh i fiqve në të gjithë Europën, turistët kërkojnë me entuziazëm kavanozët me reçel që shiten me një çmim të vogël. Kudo gjenden cigare dhe verë e kuqe, dy prodhime kombëtarë me një cilësi të mirë. Në përgjithësi, dyqanet nuk furnizohen dhe aq sa nevojitet. Shqiptarët thonë : « Ne jetojmë thjeshtësisht – por, shtojnë – Tek ne, asnjeri nuk jeton mjerisht. Ne kemi të hamë dhe të vishemi ». Nuk pashë asnjë lodër fëmijësh, qoftë plastike apo druri. Në shëtitoren e Sarandës, bregut detit, djem dhe vajza lozin me disa rrathë të vegjël të fabrikuar në mënyrë artizanale. : një tel hekuri në forme rrote et dhe një tjetër që shërben si shkop. Ecën (rrotullohet), dhe nuk bën zhurmë…

Ruajtja e kulturës dhe rezistenca ndaj pushtuesit

Të nënshtruar gjatë shekujve ndaj pushtimeve të njëpasnjëshme të grekëve, romakëve, sllavëve, osmanëve, italianëve dhe gjermanëve, shqiptarët janë strehuar në zonat e tyre malore për të ruajtur kulturën e tyre dhe për t’i rezistuar pushtuesit. Heroi më i madh kombëtar mbetet Gjergj Kastrioti Skënderbeu. I lindur në fillim të shekullit të XV-të në një fshat të pushtuar nga ushtria osmane, ai u dërgua në Stamboll ku realizoj studimet.

Më vonë, si pjesë e ushtrisë turke në Nish, në vitin 1443 dezertoj turqit për t’u larguar drejt Shqipërisë me një batalion prej 300 ushtarësh me origjinë shqiptare dhe orgazinoj sa më shpejt rezistencën. Pasi mori Krujën, një vend i mrekullueshëm në veri të Tiranës, ai mblodhi rreth tij me mijëra luftëtarë dhe formoj një ushtri e cila i shkaktoj gjatë 25 viteve disfatë pas disfate Osmanëve, duke i mundësuar Shqipërisë, për herën e parë në histori, të jetë totalisht e pavarur. Një muze i mrekullueshëm në kështjellën e Krujës kujton jetën e tij…Skënderbeu vdiq i pamposhtur në 1468. Pas vdekjes, pasardhësit e tij humbën lirinë ndaj turqve. Shqiptarëve pritën deri me 28 nëntor 1912 që të valvitet përsëri flamuri i tyre kombëtar…

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania