Fatmira Nikolli –

Dashuria në vjeshtë është bimë fatkeqe.
Frutat lind nën dhé, në errësirë.
Dhe lulet nuk i rrojnë gjatë, as gjethet.
Fëmijë të thjeshtë, pa bekim, ardhur ditën, ikur natën.
Pagëzuar me ujë të zi dhe me baltë.

***
Dashuria në vjeshtë ishte bimë fatkeqe.
Që nga lulja, fruti dhe gjethja mbi të cilën
e gjelbra shkon pa i hapur udhë të blertës.

Dhe ku unë.
Me të vetmen formë që më ka mbetur.
Atë të gjilpërës së madhe, me një sy,
më duhet të futem në trupin tënd të lodhur.
Të qep gjithë sa shqepa vetë
dhe gjithë sa gjeta të shqepur tek ti”.

Me këto vargje i paraprihet Shën Valentinit në Tiranë. Janë drejt fundit, përgatitjet për të vënë në skenë veprën poetike të Arian Lekës “Ndreqje gabimesh”. Shfaqja e veçantë angazhon emra të mëdhenj e të shquar të artit skenik shqiptar si Timo Flloko dhe artistë më të rinj në përvojat skenike, si Kristian Koroveshi dhe Akreoma Saliu.

Pas botimit si libër, vepra poetike “Ndreqje gabimesh”, rikthehet në një format të veçantë, falë faktit që siç shprehen artistët, materiali letrar e përligj formatin teatror, duke ofruar mundësi të plota të veprimit skenik që përcjell frymëzim dhe emocione të shumëfishta.

Kjo vënie skenike vjen si një projekt i përbashkët krijuesish, ku poezia dhe teatri paraqiten si pjesë e së njëjtës logjikë dhe ku zonat ndarëse mes arteve shkrihet mes tyre. E gjitha kjo për të paraqitur estetikën e mëvetme të një vepre unike, që nuk është një përshtatje për skenë, por një udhëtim lirik përmes vargjeve, të cilat shpërfaqin cilësitë dramatike të veprës.

Në këtë kuptim “Ndreqje gabimesh” paraqet një platformë regjisoriale të zgjidhur deri në detajet më të holla në konceptimet e Timo Fllokos dhe Kristian Koroveshit, të cilët krijojnë një monolog/dialog të hapur poetik. Ky koncept unifikon lojën e aktorëve me elementet e tjerë të shoqërimit muzikor, të skenografisë, të projeksionit tematik dhe të katër njësive koreografike të krijuara enkas për vënien në skenë të “Ndreqje gabimesh”.

Forma e vënies në skenë të një poeme përbën risi. Poezia dhe teatri ushqejnë njëri-tjetrin por, me gjithë format e tjera që shoqërojnë shfaqjen, forca mbetet te mjeshtëria e artikulimit të fjalës poetike përmes gjuhës arti.
Ajo që tërheq vëmendjen në vënien skenike të veprës “Ndreqje gabimesh” është fakti se një vepër letrare zgjeron audiencat, duke u zhvendosur nga formati i narrativës si libër, me adresë leximin vetiak, drejt teatrit të poezisë dhe formave më intensive të komunikimit me publikun.

Arjan Leka
Arjan Leka

POEMA
Poema “Ndreqje gabimesh”, e poetit Arian Leka, fitoi Çmimin Kombëtar të Letërsisë, “Lasgush Poradeci” – 2010, me cilësimin “…për monologun e subjektit poetik përmes imazheve metafizike e meditative si rrugë komunikimi maksimal me trajtat e rrëshqitshme të femrës në të gjitha rolet e saj”, akorduar nga Ministria e Kulturës. Kjo vepër, në formë të pjesshme apo të plotë, është përkthyer e botuar në 16 gjuhë.

Të gjitha këto versione përkthimore do të jenë pjesë e performancës, ku për t’u shënuar është paraqitja në formë audio e zërave përkthyesve që e sollën poezinë në spanjisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht, hungarisht, rumaninisht, finlandisht, italisht, arabisht, serbisht etj. Sfondi muzikor që do të shoqërojë mbrëmjen është muzika e autorit austriak Gustav Mahler, “Adagietto” e Simfonisë V, një partiturë dashurie e pasionit të thellë kushtuar Alma Schindler-it. Ndërkohë që ilustrimi grafik në formën e një poetry-movie përfshin grafika nga Schiele, Klimt, Picaso, Khalo, Matise, Ëarhol, O’Keeffe, Lucian Freud dhe Francis Bacon, të cilët do të krijojnë sfondin viziv të shfaqjes me Timo Fllokon, Kristian Koroveshin dhe Akreoma Saliun në Sallën e Koncerteve të Katedrales Ortodokes, Tiranë (dt. 13 shkurt) si dhe në Teatrin “A.Z. Çajupi”, Korçë (20 shkurt). Poema “Ndreqje gabimesh” ka patur vëmendje nga kritika letrare, mes së cilës veçohen tekstet nga Akademik Ali Aliu dhe Dr. Erion Kristo.

KRITIKAT
Akademiku Ali Aliu ka shkruar se qasjet për leximin e librit “Ndreqje gabimesh” të Arian Lekës mund të jenë disa. Jemi përpara një frymëzim-sfidë që artikulon diskurs poetik të rreptë, të beftë dhe shokues në momente, sfidë e refuzim ndaj përllogaritjeve dhe programimeve arbitrare. Sipas Aliut, është lojë nga më çmenduraket, e paparë në poezinë shqipe, marrosja drejt zhbërjes të trupit të saj (pjesa e dytë e poemës), të bërë nga dora e Zotit, apo furi dashurie për të “çbërë” përkatësisht për ta bërë ujore lojën e dashurisë, si lojë përmasash qiellore dhe hapësirash pa fund.
Aliu shkruan se është kaq e ngjeshur kjo poemë, në moment e mbyllur, e njësoj e hapur për reflekse, për hyrje dhe dalje, përmasash të atilla sa nuk e përthekon dot brenda një shtrati të vetëm.

Është rebelim poetik, mbase, ndaj Krijuesit, ndaj asaj që është frymë shenjtërie e ngulur dhe e pandryshueshme gjithnjë në trupin-vepër, përkatësisht kryevepër e tij, është rebelim ndaj miqësisë së evave dhe gjarprit, është klithje e rebelim ndaj Krijuesit të këtij rendi, jo parajsor, jo të përsosur përfundimisht. “Është rebelim ndaj pranisë së përtejshme e gabimit të pandryshueshëm, përkatësisht rebelim i pashpresë, rievokim poetik i mëkatit të parë, që si rrjedhim pashmangshëm përsëritet, që do të vazhdojë të përsëritet në pafundësi, shteg që e nxit po ashtu rebelimi poetik me këtë rast, rebelim kundër rregullave të vendosura gabimisht (nga Sovrani) dhe të papërsorura edhe kërkesat, ëndrrat, epshet evo-adame”,-thotë akademiku.

Sipas tij, poezia e librit ‘Ndreqje gabimesh vlon nga asociacionet, herë si pamje konkrete dhe herë abstrakte biblike sidomos, lidhur me Krijuesin dhe krijesën, herë himnizon trupin mëkatar, dashurinë që bëhet tokësore dhe qiellore, të ngarkuar gëzim dhe vuajtje universale.

Të jetë rebelim kundër institucioneve të Krijuesit, që krijon gabim, përkatësisht rebelim kundër vetë krijuesit, prania e të cilit mund të përjetohet si frymë e ligë? Kundër Krijuesit jo si projekt dhe koncept i krijuar mirë, por si projekt incidental, prandaj e bart në thelbin e vet edhe prirjen për të mëkatuar? Çfarë lloj mëkatesh bart natyra e Trupit, mëkat përher të mundshëm, në kuptimin e Hamartisë antike greke mëkat, faj, mashtrim, gabim?

Artikulimi i ligjërimit poetik të Arian Lekës, kryesisht vjen përmes pamjeve përqasëse, (të tipit metaforik) përmes imazheve, poet me pjellori të madhe të përfytyrimeve, të vërshimeve metaforike dhe pleksjeve asociative, rrjedhë e pakëputur brenda hapësirës krijuese dinamike, hapësirë ku afrohen a përjashtohen dukuri e gjësende shpesh disparate, ku oreçast shkëmbehen logjikja me alogjiken, realja me surealen…

Bota poetike e Arian Lekës vjen përplot historira të pakryera e të papërkryera, botë që vlon mëkatesh të të tjerëve dhe të veta, porosi, dëshira dashurish e qortimesh të shqiptuara e të pashqiptuara, letra të shkruara e të pashkruara, të dërguara e të padërguara, e që në poemthin në fjalë, përmes shprehjeve dhe efekteve estetike, të efektshme, qëndrojnë lule dhe gjemba bashkë, ëndje dhe dhembje, dashuri dhe frikë, ndjesi e plotë dhe boshe. Pse kaq dramatik vokacioni poetik për zhbërjen e Veprës së Krijuesit? Mos vallë pas rebelimit total qëndron një krisje përmasash tjera, krisje që qëndron prapa, e heshtur…?

Erion Kristo e ka cilësuar “Ndreqje gabimesh” si një libër profan. Për të, pyetja fatale mbetet: A duhen ndrequr gabimet e vjetra me gabime të reja, siç ngulmohet më se një herë në poemë? Përgjigjja sipas Kristos është e thjeshtë: sipas dëshirës, ad libitum, si t’ju pëlqejë. “Kjo vepër vjen si dekonstruksion i mitit të dashurisë për të përkundërtin/për të përkundërtën, është thirrmë për një marrëdhënie tjetër mes tyre, një marrëdhënie ku nuk premtohet më e mira, por ndryshimi, ku në themel të gjithçkaje rri Gabimi”, thotë Kristo. Sipas tij janë gati – gati ca vise përfytyrimi pa engjëj, pa shenjtorë dhe moralistë, por me njeriun që gabon dhe fal gabime dhe që “gabimin e vjetër e shlyen me një gabim të ri”, duke besuar gjithashtu se edhe “i falshëm edhe mësues është gabimi”./GSH.Al