Mu kujtua befas Tina. Ish një vajzë e gjatë dhe e hollë si purtekë edhe pse kish dy vajza.Kish luajtur volejboll në Tiranë dikur! Në Prishtine kish ardhur për të bërë para për shkollën e vajzave.

Unë kisha shkuar fill pas lufte për të përcjellë për BBC si po merrte frymë Kosova në liri! Tina vinte çdo mbrëmje në hollin e “Grandit” dhe më thosh çfarë i kish ndodhur gjatë ditës. Dy tre herë lëvizëm bashkë nëpër fshatra, ku ajo kish punë dhe unë mblidhja tema reportazhi.

Një mbrëmje erdh shumë e shqetësuar.Shefi,një anglez rreth të dyzetave i kish kërkuar të bënte situacione false për të justifikuar shpenzime të paqena dhe paratë ti fuste në xhep ai! Bëhej fjalë për 50 mijë paund!!! -Çfarë të bëj,më jep një mendje,-më tha ajo duke më parë në sy. -Budallaqe,- i thash unë,-bëja me një kusht, t’i ndani bashkë paratë.Ti prandaj ke ardhur në Kosovë,për shkollën në Angli të vajzave, apo jo?!

Tani nuk mbaj mend nëse ja thashë me shaka apo seriozisht Tinës këtë këshillë por të nesërmen mbaj mend që, sa u ul në poltronën e hollit të “Grand”-it i kërkova të dija si shkoi ai muhabeti.

-I thashë,-tha ajo. -Edhe?!-e pyeta duke i ofruar ujë.-Çfarë të tha anglezi?
-Moj budallaqe,-më tha.-Po pse për të hapur gropa septike në Kosovë e kam lënë Londrën unë?! Apo për të bërë një tufë parash e për ta pirë duhanin me llullë në Trafalgar Square?! Ose bëj kështu si të them dhe mjaftohu me rrogën që të jap ose kris bythën se vjen tjetra dhe i bën situacionet me gjysëm rroge!

Unë ula kokën. Nuk e shihja dot në sy! E kisha vënë në pozitë të veshtirë me këshillën time.E lashë në Kosovë, kur ika prej andej,se vetëm një muaj qe puna ime atje.E takova , dy apo tre vjet pas kësaj, afër punës time në bllok.Vazhdonte të punonte për të mbledhur para për shkollën e vajzave.

Dy apo tre vjet, edhe këtë nuk e mbaj mend tamam, por mbaj mend se dy javë më vonë nga takimi i fundit,e pashë foton e saj në faqe të gazetës që njoftonte vdekjen e saj nga shpejtësia e madhe e një makine që drejtonte …vetë ajo!

Nxitonte Tina, shumë nxitonte…për shkollën e vajzave.

Foto Ilustruese: Alexander Shustov