Shkodra festoi datëlindjen e aktores së njohur Tinka Kurti. Për këtë përvjetor të 85-të të lindjes nuk mungojnë urimet e sinqerta të artistëve Zef Deda, Roza Anagnosti dhe Margarita Xhepa.

Diva e teatrit dhe kinematografisë shqiptare rikthehet në skenën e teatrit “Migjeni”. Kishte kohë, që e priste një ftesë për një ditë të veçantë të jetës së saj. Jo për të interpretuar, por për të festuar, kësaj here datëlindjen e 85-të.
“Kam kënaqësinë që të vij sërish në teatër, e sa të jem gjallë të merrem me kinematografi, e këto nuk i bëj për egoizmin tim, por vetëm e vetëm për popullin tim, për Shqipërinë time”, rrëfen në ditën e lindjes e madhja, Tinka Kurti.

Mes emocioneve Tinka Kurti, e cila përherë ka ditur që të bëjë për vete këdo që e ka njohur, jo vetëm me elegancën e saj, prej një zonje të vërtetë, por edhe me humorin e hollë, që vetëm, një artiste, si ajo mund ta bëjë u shpreh se: “Mos kujtoni se jam pa emocione, sepse ky është vendi që kam lind e jam rritur, si artiste. Kam punuar 17 vite dhe nuk mundet ta harroj kurrë sa të jem gjallë”.

(Preket) Ajo kujton me mall, me nostalgji dhe respekt, mjeshtrit e mëdhenj, të cilët e kanë marrë përdore, sapo kishte mbaruar shkollën. “U jam mirënjohëse për këtë festë që më bëni sot. Kam kaq vite, që pres që Shkodra të më bëjë një urim, e kjo është një gjë e madhe. Kam kënaqësinë që të vij sërish në teatër, e sa të jem gjallë të merrem me kinematografi, e këto nuk i bëj për egoizmin tim, por vetëm e vetëm për popullin tim, për Shqipërinë time”, u shpreh aktorja.

Më pas recitoi një poezi për Shën Terezën. Për të cilën, thotë se pavarësisht se nuk është poete zhgarravit dhe shkruan herë pas here. Kurti i rikthehet një poezie, të cilën e ka shkruar në vitin 1997, kur Shën Tereza u nda nga jeta. “O Nëna Terezë, o nënë, unë ty të them nënë, gjithçka të kam thënë. E vogël me trup, por me shpirt edhe zemër të madhe, edhe në botën e largët shumë mall kam.

Edhe sot që shpirti yt prehet në amshim, nuk je e qetë, se ti do të lutesh sërish për botën, për nanën Shqipëri, prej bekimit tënd, ne nuk jemi të këqij…”. Tinka Kurti rrëfen se ka pasur fatin të punojë me artistë të mëdhenj të skenës shqiptare, fillimisht me autorë klasikë dhe me ata modernë, të cilët ishin të kontrolluar, deri në vitet e para të demokracisë.

Ato i shohim përherë bashkë, aq sa kushdo që i njeh e ka të vështirë, që të veçojë mes tyre. Prandaj kurrsesi nuk kishte se si ajo të mos ishte prezente në këtë aktivitet festiv, që i dedikohej Tinka Kurtit në 85-vjetorin e lindjes. “Dikur më pyetën: Kush është aktori më i madh në teatër? I thashë faleminderit për pyetjen, por po të them tre emra do të gaboja, po të them trembëdhjetë sërish do të gaboja. Pse? Sepse, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Korçë e Shkodër etj., të tërë artistët ishin të mëdhenj, ishin të një mendje.

Kemi punuar me përkushtim dhe dashuri të jashtëzakonshme”, nis rrëfimin e saj, ikona e kinematografisë, Margarita Xhepa. Aktorja e cilëson Tinka Kurtin një artistë të madhërishme, që shquhet për punën cilësore dhe për figurat e mrekullueshme, që ka bërë në dramaturgjinë tonë dhe të huaj në dy kahe; në dramë, tragjedi, por edhe në komedi. “Do ta theksoj me të madhe për komedinë, se ka pasur edhe aktorë të mëdhenj të komedisë në Shkodër, të cilëve nuk u harrohet puna, vlerat dhe arti i madh, që i kanë dhënë artit shkodranë dhe shqiptar. Edhe populli ynë, e dashur Tinkë, është mirënjohës, edhe kurrë nuk do të harrojë, sepse puna jote është e madhe”, shprehet Margarita Xhepa.

Burimi: Kultplus.com