Nga Ilir Ikonomi

Esat Toptani kishte lindur në Tiranë më 1864 në shtëpinë e madhe stërgjyshore, ku muret e odave të gjera e të ndriçuara mirë, flisnin qartë për karakterin dhe vjetërsinë e familjes që jetonte brenda tyre.

Toptan ishte një mbiemër historik që thuhej se kishte lidhje me derën princërore të Topiajve. Në turqisht, prapashtesa dan ose tan tregon përkatësi dhe kështu, mbiemri duhet të kishte kuptimin i Topiajve. Nëse në pohimin e mësipërm kishte diçka të vërtetë, mbiemri duhet të kishte qenë Topiadan, por në këtë rast, turqit duhet të kishin parapëlqyer formën më të shkurtër Toptan, që shqiptohej më lehtë dhe lidhej me fjalën e tyre top në atë kuptim që ka edhe në shqip. Mirëpo, askush nuk qe në gjendje të jepte ndonjë provë bindëse në formë dokumenti dhe krejt origjina e këtij mbiemri ishte ngritur mbi një legjendë me plot hollësi të ngjyrëta. Këtë e rrëfen diplomati dhe shkrimtari frëng Jules Alexandre Théodore Degrand, i cili, aty nga viti 1900, kur ishte konsull në Shkodër, i bëri një përshkrim këtij vendi “me zakone të çuditshme”. Legjenda flet për një fëmijë të gjetur nga jeniçerët, kur ata kishin hyrë në Krujë dhe po plaçkitnin shtëpinë e Mamicës, të motrës së Skënderbeut, e cila ishte martuar me Tanush Muzakë Topinë. Fëmija, sipas këtij tregimi, do të bëhej më vonë themeluesi i fisit të Toptanëve.

Duhet të ishte e kaluara prej luftëtarësh që e kishte bërë konakun e Toptanëve një farë muzeumi. Kudo në muret e brendshme, të zbukuruara me lloj-lloj motive pemësh e lulesh rreth dritareve, vareshin armë me doreza argjendi ose të lara në ar, mes të cilave kishte edhe pushkë e pisqolla historike me vlerë. Në këtë koleksion nuk mungonin as veshjet e vjetra shqiptare dhe padyshim as trofetë, që ishin krenaria e të zotërve të sarajeve. Toptanët ishin derë e madhe, njësoj si Vlorajt në Vlorë, Markagjonët në Mirditë dhe Biçakçinjtë në Elbasan.

Sarajet, që përbëheshin nga haremllëku dhe selamllëku, shtriheshin mu pranë qendrës së Tiranës së atëhershme, në mes të një livadhi me bar të dendur e me pemë aty-këtu. Ajo që i linte mbresë vizitorit ishte se oborri i gjerë qarkohej nga muret e mëdha, gjysmë të shembura të një fortese të vjetër. Kur Esati ishte ende fëmijë, muret me trashësi dy-tre metra kishin një farë lartësie dhe pjesa e sipërme e tyre ishte e mbuluar nga bimësia e dendur, që i bënte të dukeshin si kopshte të varura, plot me zymbyla, luledele dhe aguliçe. Në majë të mureve, ku Esati fëmijë kalonte ditën duke luajtur, të çonte një shkallë me rrasa të mëdha guri, të ngrëna gjatë shekujve nga shualli i opingës fshatare. Aty, në mes të kundërmimit të borzilokut, rigonit dhe nanesë, njeriu e ndiente veten si mbi një ballkon, prej nga shpalosej pamja baritore e një lugine, që rrethohej nga kodrinat dhe përshkohej nga disa rrjedha uji. Për ta përfytyruar më mirë, mendoni sikur të ishit në vendin ku sot ndodhet Hotel Dajti dhe po e hidhni vështrimin nga Universiteti. Përfytyroni sikur në të gjithë këtë hapësirë, në të dy krahët e bulevardit të sotëm, të mos shihnit asnjë ndërtesë, por vetëm bar, pak pemë dhe ndonjë rrëke.

Në rrëfimin e tij, Degrandi e nis historinë e Tiranës në fillim të viteve 1600, kur një bej nga Mulleti i quajtur Sulejman Bargjini, paskej ndërtuar një xhami, një furrë buke dhe disa banja, në një tokë që nuk kishte qenë tjetër veçse një pyll me disa kasolle të varfra. E ka fjalën pak a shumë për vendin, ku ndodhet tyrbja me tetë kolona prej guri gëlqeror, e cila sot ndodhet nën harkun prej betoni të një pallati. Degrandi e ka dëgjuar këtë histori nga bejlerët vendas te të cilët bujti gjatë udhëtimit të tij. Por Tirana duhet të ishte më e vjetër se aq, sepse ajo përmendet shumë herë nga Marin Barleti në historinë e tij të famshme të Gjergj Kastriotit. Barleti e quan Tyrana, duke skualifikuar hamendjet e mëvonshme se prejardhja e këtij emri mund të ishte Teherani apo diçka tjetër.

Sulejman Bargjini, tregon Degrand, u vra në luftë, në Bagdat. I biri, Ahmeti, ndërtoi minaren e xhamisë dhe një çezmë. I nipi i këtij të fundit, një tjetër Ahmet, e rrethoi banesën e vet, të quajtur kulla e gjatë, me mure të trashë, që formonin një fortesë. Ajo ishte 160 metra e gjatë dhe 120 e gjerë dhe qe e pajisur me një kullë të lartë rrethore.

Ahmet pasha vdiq nga damllaja dhe la katër vajza në moshë të njomë. Agallarët e familjes kërkuan mbrojtjen e ndonjë dere të fuqishme dhe iu lutën Kapllan pashës nga Kruja, që të martonte katër djemtë e tij me vajzat e mbetura jetime. Kapllan pasha, stërgjyshi i Esatit, domethënë gjyshi i të atit, Aliut, pranoi të lidhej me pasardhësit e themeluesit të Tiranës, që zotëronin toka dhe pasuri të tjera dhe kështu, në vitin 1789, ata u shpërngulën në Tiranë. Sipas një rrëfimi tjetër, bëhet fjalë jo për katër, por për pesë djem, që u martuan me pesë vajza të familjes Bargjini. Sipas këtij rrëfimi, familja e mori mbiemrin Toptani vetëm pas këtyre martesave. Në turqisht toptan do të thotë të gjithë bashkë dhe i ati i vajzave paska thirrur “tani janë toptan”, pra u bënë të gjithë bashkë.

Njëlloj si shumë nga banesat e tjera shqiptare, shtëpia e Esatit ishte me frëngji dhe me dalje të fshehta. Një shkallë, që nuk binte në sy, të çonte në pjesën e nëndheshme, që njerëzit e familjes të mund të strehoheshin në kohë turbullirash. Muret e katit përdhes ishin prej guri të madh të latuar. Por, ajo që mund të thuhet se i jepte tërë kompleksit hijen e rëndë të një klani të vjetër, ishte porta e fuqishme e fortifikuar, gati pesë metra e lartë, në anën veriperëndimore, me të cilën i tërë ky sistem banesash komunikonte me rrugën. Porta, me kanatat prej druri të fortë ahu, ngrihej deri në dy të tretën e murit rrethues dhe e bënte madhështor krejt këtë ansambël.

Esati shkoi për herë të parë në Stamboll në vitin 1891 për t’u martuar me një turke çerkeze, e quajtur Shadije Aziz. Ajo ishte bukuroshe dhe pak sylle, por devijimi i bebeve, ia shtonte hijeshinë. Në atë kohë Esati ishte 27 vjeç dhe martohej për herë të dytë. Ishte ndarë me gruan e parë, Sejrie hanëmin, me të cilën kishte patur tri vajza: Nafijen, Mahmuden dhe Pertefen. Esati ndenji vetëm tri javë në Stamboll. I duhej të kthehej në Tiranë për t’u marrë me punët e veta, domethënë me administrimin e pronave, sepse prindët i kishin lënë një pasuri të madhe. Siç tregonte i kunati, Fikret Aziz, të ardhurat e tij nga çifligjet ishin të paktën 200 mijë franga në vit (më pak se 1 milion dollarë sot).

Tirana ishte një qytet i pëlqyeshëm, po t’u besojmë rrëfimeve të udhëtarëve të huaj. Shumë ndryshe nga pamja e Tiranës së sotme, si një xhungël katërkëndëshash të lodhshëm, qyteti i dikurshëm shquhej për harqet, që i shihje në ndërtimet kryesore dhe që krijonin një efekt ëmbëlsues.

Sheshi i madh mbizotërohej nga xhamia e Haxhi Et’hem beut me çardakun e bollshëm, ku vizatimet e shumta brenda e jashtë, të fusnin në një botë mjegullore visesh të largëta. Këto murale, bashkë me mbishkrimet arabisht përbri, gjallëroheshin sidomos kur ndriçoheshin nga rrezet e diellit. Ato ishin vepër e artistëve shëtitës që pikturonin pa dallim xhami dhe kisha me bojra të njomura në të verdhë veze.

Nja dyqind metra më në lindje ishte Xhamia e Sulejman pashës, ose Xhamia e Vjetër, një tjetër shembull finese dhe elegance, gjykuar nga sistemi i ndërlikuar i qemerëve të fasadave, nga skalitjet në ballkonin e minares dhe nga mbishkrimet arabe që mbushnin sallën e brendshme dhe mafilin.31 Dritaret e saj i zbukuronte hekuri i punuar, i marrë nga kangjellat e fortesës së shembur aty pranë. Kjo xhami ishte edhe më e respektuar se e para, meqenëse pat qenë kërthiza fatlume në kohën kur Tirana i ngjante ende një fshati, që priste të zgjerohej.

Ngjitur me xhaminë e Haxhi Et’hem beut ngrihej kulla e lartë e sahatit, maja e së cilës ishte në stilin e barokut osman, me qemerë të harkuar dhe me mbulesë prej plumbi. Nën kulmin varej kambana, ose kumona, siç e quanin tiranasit, që lajmëronte orën e plotë. Tirana kishte edhe një monument natyror, Rrapin e Tabakëve, pranë urës me të njëjtin emër. Kjo ishte një pemë e çuditshme, që dukej si e rritur jashtë ligjeve të natyrës, sepse nga trungu i saj gjigant, që mezi e rroknin disa burra bashkë, lartësoheshin disa nëntrungje. Nga e gjithë kjo hallakatje, si flokët e pakrehura të një gruaje, dilte një degë e gjatë dhe e trashë, e cila varej thuajse paralel me tokën, aq sa ishte habi se si nuk rrëzohej. Nga oborri i Xhamisë së Sulejman pashës duhet të ecje vetëm pak metra për të arritur te shenja e respektuar e Toptanëve, tyrbja tetëkëndëshe e Kapllan pashës, në të cilën, brenda një sarkofagu, prehej Toptani i rëndësishëm.

Në të vërtetë, bejlerëve toptanas u përkiste thuajse e gjithë hapësira ku shtrihej ky qytet, i cili kishte lidhur miqësi të përhershme me lulet dhe me bahçet plot kumbulla e caraca. Në pranverë, kur moti ishte i mirë, hanëmet e Toptanëve mblidheshin për piknik poshtë kodrës së Shën Prokopit dhe në barin e njomë shtroheshin rrogozë, qilima e jastëkë, silleshin ushqimet dhe pijet, këndohej e kërcehej. Fusha ruhej nga burra të armatosur. Turkesha e Esatit nuk mungonte në këto raste dhe, sipas rrëfimeve, zonja më plakë i kërkonte të hiqte ndonjë valle turke.

Sa për argëtimet, Tirana nuk kishte shumë festa të zhurmshme përveç Bajramit të Madh dhe ndonjë synetllëku që zgjaste disa ditë me këngë e dajre, me raki e verë. Festa përfshinte kërcimin e jevgave, me këmbët e tyre të zbathura, që mezi dukeshin nën çitjanet prej mëndafshi. Në fund, burrat afroheshin për të shpërblyer vajzat me nga një metelik në ballë, në faqe ose në qafë, i cili ngjiste aty një copë herë nga djersa.

Nëse Tiranën do ta përfytyronim si një qenie të gjallë, zemra e saj ishte brenda tregut të mbuluar, një ndërtesë e gjatë me harqe, e restauruar nga Esati, ku punonin kujunxhinjtë, argjendarët, samarxhinjtë, kovaçët, opingarët e lloj-lloj zanatçinjsh të tjerë dhe ku shitej pothuajse çdo gjë: nga pisqollat dhe manifakturat e deri te kafeja dhe orenditë shtëpiake. Ata punonin në mënyrë monotone dhe me nge, sikur koha të mos kishte ndonjë kuptim. Duart e tyre nuk ndaleshin thuajse fare, përveçse kur këqyrnin me krenari punën e përfunduar.

Ajrin e tregut e shponte rrahja e çekanit dhe piskama monotone e shitësve të dëshpëruar, të cilët, ndryshe nga ç’ndodhte rëndom në pazaret e tjera të Ballkanit, nuk e ulnin kurrë veten për t’iu vardisur blerësit. Tollovia e pazarit fashitej një çast, sa herë që ndonjë bej kalonte mespërmes tij me hapin e rëndë dhe të avashtë, i shoqëruar nga pesë-gjashtë roje të armatosura. Në këto raste, çekani mbi kudhër ndalej, tregtari i miellit a i kripës ulte kandarin dhe shitësi i dëshpëruar pushonte së bërtituri. Ndonëse nuk ishte rregull i shkruar në ndonjë ligj apo kanun, të gjithë ngriheshin në këmbë për të përshëndetur zotërinë, disa në heshtje, të tjerë me fjalët: “Të paçim or bej, qofsh me shnet e me yrz!”

Kur muezini ia niste këngës nga minaret, myslimanët linin punët dhe shkonin të faleshin në xhami, pasi kishin larë duar e këmbë në rrëkenë e ujit. Por Muhameti dhe Krishti respektoheshin njëlloj dhe kjo dukej më së miri te pazari, i cili ashtu siç qëndronte i mbyllur të premteve pasdite për myslimanët, ashtu edhe pushonte të dielave pasdite për të krishterët.

Fuqia dhe ndikimi i familjeve të njohura, si ajo e Toptanëve, matej jo më shumë me sasinë e tokës që ato zotëronin sesa me numrin e burrave që ishin gati t’i përgjigjeshin thirrjes së tyre për luftë. Kjo fuqi kishte njësinë e vet matëse, që ishte pushka dhe në gjuhën e përditshme dëgjoje shpesh thënie të tilla si, aksh familje ka 500 pushkë, ajo tjetra 300 e kështu për secilën derë./MAPO