Nga YLLI DEMNERI

Në fund të viteve ’80 erdhën nga Franca autobusët Saviem. E para u pajis linja e Tiranës së Re që kalonte para Komitetit Qendror. Të përdorur, në ballë mbanin akoma emrat e stacioneve parizienë. Më kujtohet që në njërin prej tyre kishte mbetur e shkruar “Place de Clichy”.

Më kujtohet “rruga e qumështit” (sot rruga Murat Toptani). Bidonët e aluminit me grykë të gjërë rreshtuar mbi trotuar, përpara dyqanit të qumështit.

Më kujtohet zgjimi herët kur do të merrnim trenin e parë. Çdo lëvizje “pa bërë zhurmë”. Rrugët bosh. Dëgjonim hapat tanë. Rrezet e para të diellit na gjenin në Vorë, brenda në vagon, duke pritur rreth 30-40 minuta kalimin e trenit tjetër.

Më kujtohet një dyqan i vogël, fare i vogël, në rrugën e Barrikadave, ku mbusheshin rezervat e stilolapsave. Ngjitur me dyqanin e piteve.

Më kujtohet që muri i dyqanit të piteve nga ana e rrugës Luigj Gurakuqi (një nga muret e furrës) çdo dimër nxihej (i hiqej gëlqerja), ngaqë mbështesnin kurrizin fukarenjtë.

Më kujtohet që një numër i revistës China Today që shitej tek “Libri ndërkombëtar”, në rrugën 28 nëntori, përballë Tyrbes, mbante brenda një pllakë gramafoni me këngë revolucionare kineze. (Duhet të numëroheshin me gishtat e dorës ata që kishin gramafonë në Shqipëri dhe, akoma më të rrallë, ata që kishin dëshirë të dëgjonin këngë revolucionare kineze!) Dikush :
preu pllakën plastike në formë gjysmëhëne,
shpoi nga një vrimë në çdo cep,

lidhi një llastik,

e vuri si strehë për t’u mbrojtur nga dielli,

dhe doli në rrugë.

Aq u desh, dhe ai numër i revistës China Today u shit brenda dy-tri ditëve, si asnjëherë. Më kujtohet që disqet ishin të kuq e blu.

Më kujtohet që hotel Tirana ka qenë ndërtesa më e lartë në Tiranë (15 kate), e konsiderohej si i pari qiellgërvishtës në të gjithë Shqipërinë. Edhe për atë nuk munguan barcaletat : Një fshatar tiranas qëndron përpara hotelit, ngre kokën lart dhe thotë : Allah ! Allah ! Si ka qenë Tirona, (shtrin pëllëmbën e dorës) e si osht bo ! (ngre gishtin e mesit)

/Konica.al