Rrëfimet e ish-pedagogut të Akademisë Ushtarake, Xhemil Çeli. Thirrja, drejtuar Presidentit, partive politike e gjithë popullit shqiptar, më 22 shkurt 1991

Ja urdhri i Kiço Mustaqit për pedagogët e Akademisë Ushtarake

Albert Zholi

Ai ka qenë pedagog për shumë vjet në Akademinë Ushtarake dhe, sipas tij, momentet më të vështira në Akademi dhe në Shkollën e Lartë të Bashkuar kanë qenë pas rënies së monumenteve të Enver Hoxhës. Midis të tjerash ai ka qenë dhe një ndër hartuesit e thirrjes që i është drejtuar në atë periudhë Presidentit, partive politike, gjithë popullit shqiptar, më 22 shkurt 1991.

Si ka qenë situata në shkollat ushtarake pas rrëzimit të monumenteve të Enver Hoxhës?

Shumë e vështirë… Fillimisht m’u duk si diçka e çuditshme që disa ushtarakë, kuadro të SHLBO, shkonin nëpër shtëpi, natën vonë, të veshur me kostume civile, e madje ndonjëri që më vonë do të fliste “për kurajën e tij” në këto ngjarje, do të merrte me vete në krah edhe automatikun, pasi nuk i mjaftonte pistoleta. Vetë kam parë dy-tre raste të tilla, por më kanë treguar edhe për disa të tjerë. “Sëmundja e armatosjes së fuqishme”, madje edhe pasi situata po shkonte drejt qetësimit, filloi të shtrihej edhe te studiuesit në Akademi (akademistët). Veçanërisht disa prej tyre ishin tepër këmbëngulës për t’u pajisur me pistoleta (akademistët kishin vetëm automatikë, të cilët nuk mund t‘i merrnin kur dilnin në qytet). Akademistët shfrytëzuan ngjarjet për t’u pajisur me armatim personal, sikurse quhej pistoleta, për çdo eventualitet në të ardhmen, pasi ngjarjet të futeshin në rrjedha normale.

Kur dhe si u pajisët me pistoleta?

Na u desh të ndërhynim te komandanti i Akademisë dhe ky i fundit në MMP. U premtua që të pajisnin akademistët me pistoleta. Por akademistët ishin tepër të paduruar t‘i vendosnin ato në brez. Ndonjëri prej tyre erdhi disa herë, te unë, duke më kërkuar që të merrja direkt në telefon ministrin. Gjykoja se kjo armatosje përbënte një të drejtë të tyre, si gjithë kuadrot e tjera të ushtrisë. Këtu nuk shikoja asgjë të jashtëzakonshme, pavarësisht ngjarjeve që po jetonim si shkolla, që edhe akademistët të pajiseshin me pistoleta, si mjet vetjak vetëmbrojtës. Ndaj edhe mora në telefon dhe fola me Kiço Mustaqin, ministër i Mbrojtjes. Ishte hera e parë por edhe e fundit që flisja me të në prag e gjatë ngjarjeve.

Çfarë bisede zhvillove me Kiço Mustaqin?

-Shoku Ministër, Xhemil Çela ju shqetëson.

-Ç’kemi shoku Xhemil, si duket gjendja në shkolla, -u pyet në anën tjetër.

-Gjendja po shkon drejt normalizimit, shoku Kiço, por kemi edhe ndonjë problem që kërkon zgjidhje, sikurse është statusi i ushtarakut, pajisja e akademistëve me pistoleta …

-Pse, – tashmë me një zë serioz, pyeti Ministri duke më ndërprerë, -nuk kanë ardhur akoma pistoletat?

-Jo, shoku Kiço.

-Mos m’u largo nga mikrofoni, prit të dëgjosh edhe vet urdhrin tim. – Nuk e mora vesh se me kë fliste, por m’u drejtua sërish nëpërmjet mikrofonit, – dëgjo Xhemil, dhe urdhëroi dikë që deri në mesditë pistoletat të ishin në Akademi (do të merreshin nga nënreparte e reparte rezerviste të MKK). Pasi përfundoi bisedën me korrespondentin tjetër, m’u drejtua sërish duke më pyetur, nëse dëgjova sa kishte biseduar. Pas përgjigjes sime pozitive, më kërkoi që në rast se pistoletat nuk vinin brenda afatit, ta njoftoja atë sërish. Vura në dijeni komandantin e Akademisë për bisedën me Ministrin. Pistoletat mbërritën brenda afatit.

Po vetë ju a ishit i pajisur me pistoletë?

Personalisht në gjithë veprimtarinë e përditshme në shkolla, edhe ndër vite para ngjarjeve, unë mbaja një pistoletë tip “Valter”, të vogël e të kromuar, armë trofe e luftës. Por që më dt. 22 shkurt, para takimit me përfaqësuesit e subjekteve të ndryshme, e vendosa atë në kasafortë dhe kurrë nuk e vura më në brez, deri sa e dorëzova kur dola në pension. Madje në kasafortë mbaja edhe një pistoletë kineze, të markës “Makarov”

Përse i mëshon këtij fakti?

Nuk do të ndalesha në këtë fakt tërësisht personal. Por në një shkrim „studimor“, të botuar në një gazetë partiake nga një ushtarak, flitet “me dokumente” sikur unë, “…më dt.22 shkurt kam qenë në një mbledhje të kuadrove të MMP me Ramiz Alinë” dhe kam kërkuar “armë”. Faktikisht unë nuk kam qenë në MMP, të paktën që nga dt 20 shkurt e deri sa u qetësua gjendja në shkolla. Gjatë gjithë kohës, madje edhe natën, nuk kam dalë nga muret e shkollave dhe kam qëndruar edhe pa armën personale. Më lart kam përshkruar me saktësi se ku kam qenë më dt. 22 shkurt, madje i përfshirë tashmë aktivisht në ngjarje. Por kështu transformoheshin të vërtetat nga disa të ashtuquajtur studiues, të paktën që nga dt.20 shkurt e deri sa u mbyllën ngjarjet në shkolla.

THIRRJE

Drejtuar Presidentit, Partive politike, gjithë popullit shqiptar!

Efektivi i shkollave ushtarake Tiranë, bij të punëtorëve, të fshatarëve dhe të intelektualëve të ndershëm, të shqetësuar seriozisht dhe të indinjuar thellë nga veprimet e forcave të errëta, nga të cilat forcat politike dhe shoqatat e ndryshme, me deklarata janë distancuar prej tyre publikisht por fatkeqësisht jashtë dëshirës e kërkesave të panumërta të popullit shqiptar, gjendja në vend nuk po qetësohet, por keqësohet gjithnjë e më shumë, ndaj kërkojmë:

1. Të krijohet dhe të publikohet Këshilli Presidencial, i cili të shpallë programin dhe të bëjë betimin para popullit.

2. Figura e Enver Hoxhës të vendoset menjëherë me anë të një Referendumi mbarë popullor, dhe ajo të vlerësohet ashtu siç e do populli. Kjo të bëhet brenda datës 15 Mars.

3. Në kushtet e demokratizimit të jetës së vendit, dhe të pluralizmit politik, kërkojmë departizimin e ushtrisë.

4. Kërkojmë që figura e ushtarakut të mbrohet me ligj, ajo të jetë e pa prekshme.

5. Të zbatohet me rreptësi ligja për mbrojtjen e objekteve që kanë vlera ekonomike, sociale, kulturore, historike dhe që janë ndërtuar me gjakun e djersën e popullit kjo të bëhet edhe me përdorimin e armëve.

6. Kërkojmë që sot, më dt 22.2.1991 ora 17.00, përfaqësues të Presidiumit, të Partive politike, të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, të Punëve të Brendshme si dhe të mjeteve të propagandës, Radio televizionit e organeve të shtypit të takohen me studentët e kuadrot e shkollave ushtarake.

Takimi do të bëhet në sheshin e Shkollës së bashkuar të oficerëve “Enver Hoxha”.

7. Radio-televizioni të kalojë nën drejtimin e këshillit Presidencial dhe të japë informacion të plotë për gjendjen në shkallë vendi dhe jo vetëm çka zhvillohet në Tiranë.

8. Efektivat e shkollave ushtarake Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha partive politike, organizatave dhe subjekteve të ndryshme, të largohen nga fjalët e deklaratat e mëdha dhe të ulen me masat e popullit për tu siguruar atyre qetësinë dhe stabilitetin në vend, për t‘i ndërgjegjësuar me qëllim që të kapërcehen pa gjak e dhimbje situata e rëndë që është krijuar.

9. Për deri sa të gjitha partitë politike u distancuan nga veprimet destruktive të këtyre forcave, atëherë, ndaj tyre të veprojë me forcë dhe ashpërsi ligja.

Efektivat e shkollave ushtarake janë bij të popullit nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, janë bij nga më të thjeshtët e popullit. Nuk kemi gëzuar dhe nuk kërkojmë asnjë privilegj, veç privilegjit të mbrojtjes së lirisë, pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Atdheut tonë të shtrenjtë dhe të popullit shqiptar.

Theksojmë edhe njëherë: Kërkesa e vetme e jona është të sigurohet qetësia, të mos derdhet gjak, se asnjë shqiptar nuk është i tepërt në tokën tonë, njëherazi populli të jetë i qetë dhe të realizojë pa ndalesa demokratizimin e jetës së vendit dhe të Forcave të Armatosura.

Kërkojmë që Thirrja e jonë të jepet në seancën e parë të lajmeve në radio-televizion. Ajo të botohet edhe në shtypin e dt.23 2.1991.

Kërkesat tona le t‘i gjykojë ndërgjegjja e popullit dhe të shprehet publikisht.

Nga efektivi nxënës, studentë dhe kuadro të Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” ë të Shkollës “Skënderbej” dhe të Akademisë Ushtarake

Tiranë, 22 shkurt 1991

Me përmbajtjen e Thirrjes u njohën edhe komandat e shkollave dhe janë plotësisht dakord.

Burimi: Telegraf.al