HISTORI/ “Albanian Free Press” publikon dokumente autentike nga arkivat e Traktatit të Varshavës, rreth krisjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik

***

Përkthyer nga: Myfit Qorduka

“Republika Popullore e Shqipërisë në asnjë rast nuk është dakord t’ua japë Bazën Ushtarako-Detare ekuipazheve sovjetike”. Kështu i drejtohej kryeministri Mehmet Shehu Traktatit të Varshavës me një letër të posaçme për konfliktin e lindur mbi Bazën e Vlorës, pas krisjes së marrëdhënieve dypalëshe, e cila zbardhet sot posaçërisht për lexuesit e “Albanian Free Press”. Duke shtuar se “Shqipëria përsëri konfirmon pozicionin e saj, që i vetmi vendim për Bazën Ushtarake Detare të Vlorës, është rruga e zbatimit të marrëveshjeve vepruese midis saj dhe Bashkimit Sovjetik”. “Mbi bazën e të cilave gjithë mjetet ushtarake detare të Bazës Ushtarake të Vlorës duhet t’i kalojnë mundësisht në një kohë sa më të shkurtër ekuipazheve shqiptare, të cilët, si gjithë Ushtria e RPSH e kanë treguar si gjithnjë veten në nivelin e detyrave të tyre dhe besnikë të atdheut të tyre socialist, të kampit socialist dhe Traktatit të Varshavës”, thoshte mes të tjerash Mehmet Shehu në letrën e 5 prillit të vitit 1961…

***

Letra e Kryeministrit, Mehmet Shehu

Në akuzat e pabaza kundër Republikës Popullore të Shqipërisë u bë propozimi që të dërgohej në Shqipëri nga Komisioni i vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës, me qëllim të shikohej e vërteta e fakteve lidhur me sulmin që përgatiste Jugosllavia, në bashkëpunim me Flotën e 6-të amerikane në Mesdhe, për të cilin foli shoku Enver Hoxha në Kongresin e 4-t të Partisë së Punës të Shqipërisë.

Në Seksionin e Komitetit Politik Konsultativ u shkua aq larg për pozicionin e Shqipërisë, sa u arritën në përfundime të çuditshme e absurde, për atë që Shqipëria në politikën e saj sikur qenkërka kundër principeve të bashkekzistencës paqësore dhe kundër principeve të Traktatit të Varshavës, praktikisht e ka vënë veten jashtë Traktatit të Varshavës.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, duke analizuar thellë gjithë veprimtarinë e delegacionit të saj, që kryesohej nga Zëvendësi i Parë i Kryetarit të Këshillit të Ministrave, shoku Beqir Balluku, që mori pjesë në sesionin e Komitetit Politik Konsultativ, e miraton plotësisht gjithë pozicionin e delegacionit shqiptar në sesionin e lartpërmendur.

Si rezultat i shkëmbimit të fakteve për pozicionin real të Republikës Popullore të Shqipërisë në sesionin e sipërpërmendur të Traktatit të Varshavës, ku arritën deri atje saqë kundër Republikës Popullore të Shqipërisë të merret vendimi që është në kundërshtim me marrëveshjet ekzistuese të firmosura ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Republikës Popullore të Shqipërisë më 1957 dhe 1959, kërkohet që “… Shërbimi i Anijeve të Flotës të kryhet vetëm nga ekuipazhet sovjetike që ndodhen në Gjirin e Vlorës dhe që drejtimi i tyre të kryhet nga komanda unike sovjetike, e cila varet nga Komandanti Suprem i Forcave Ushtarake të Bashkuara të Traktatit të Varshavës dhe në qoftë se qeveria shqiptare nuk bie dakord me këtë…”, atëherë “…anëtarët e Traktatit të Varshavës do jenë të detyruar… të bien dakord me propozimin për largimin nga Shqipëria të forcave ushtarake të sipërpërmendura”!

Qeveria shqiptare çuditet me atë që në vendimin e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës kundër Shqipërisë është vendosur akuza sikur ajo ka thyer rregullin e 3-të dhe të 5-të të Traktatit të Varshavës. Kjo akuzë mbështetet në shtrembërimin e së vërtetës, të mbështetura në vendime të hamendësuara, sikur Enver Hoxha ka bërë në Kongresin e 4-t të PPSH deklaratën e “pavend” të një sulmi mbi Shqipërinë. Është jashtë çdo logjike të mendohej që Republika Popullore e Shqipërisë, nuk do të drejtohej për ndihmë nga Traktati i Varshavës dhe nuk do t’i vinte menjëherë në ndihmë vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës, në rast të një sulmi faktik ndaj saj dhe nga armiqtë e jashtëm. Po kështu, është jashtë çdo logjike të mendosh që në rast të një sulmi faktik të Shqipërisë, e gjithë bota nuk do të dinte gjë për këtë.

As Enver Hoxha, as ndonjë udhëheqës i PPSH e RPSH, nuk kanë deklaruar “se ka pasur vend” për një sulm mbi Shqipërinë. Shoku Enver Hoxha, në Kongresin e 4-t të Partisë së Punës të Shqipërisë, ka deklaruar që: “Jugosllavia dhe në bashkëpunim me disa tradhtarë të Shqipërisë brenda vendit dhe të arratisur në Jugosllavi, pasi kanë koordinuar veprimet me Flotën e 6-të amerikane në Detin Mesdhe, disa muaj më parë organizuan një sulm ndaj Shqipërisë, me qëllim likuidimin e Republikës Popullore të Shqipërisë!”.

Kjo është e vërteta, domethënë armiqtë e jashtëm organizuan një sulm ndaj Shqipërisë, por këtë sulm nuk arritën ta realizojnë faktikisht, sepse rrjeti agjenturor në Shqipëri është likuiduar plotësisht.

Kur organet tona të Sigurimit Shtetëror e kapën rrjetin agjenturor, i vënë në shërbim të armiqve të jashtëm të Shqipërisë, nga ne akoma nuk është zbuluar ekzistenca e këtij komploti kundër Shqipërisë. Ekzistenca e këtij komploti është zbuluar nga ne, më vonë, mbi bazën e rrëfimit të agjentëve të arrestuar në kohën e zhvillimit të hetimeve.

Nga këto hetime doli qartë se me likuidimin e rrjetit agjenturor të komplotistëve në Shqipëri, ishte mënjanuar hë për hë rreziku i sulmit nga ana e këtij komploti. Në kohën që ne arritëm në përfundim të ekzistencës së këtij komploti, ne deklaruam në Kongresin 6-të të Partisë sonë dhe njëkohësisht njoftuam vendet anëtare të Traktatit të Varshavës, nëpërmjet ambasadave të tyre në Tiranë, si dhe Komandantin Suprem të Forcave të Traktatit të Varshavës, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në ushtrinë tonë…

“…Qeveria shqiptare ka rastin më të mirë, që akoma më shumë t’ju informojë juve lidhur me këtë komplot ndaj Shqipërisë. Tani procesi i hetimit ndaj personave të akuzuar po shkon drejt fundit dhe mendohet që, në një kohë të afërt, ata të dalin para gjyqit.

Nga kallëzimet e të akuzuarve del qartë plani i komplotistëve për likuidimin e Shqipërisë si një vend i pavarur socialist, si dhe mjetet e mënyrat për realizimin e këtij qëllimi. Hartimi i planit të komplotistëve ishte bërë si më poshtë: Në fillim të provokohen trazira me ndihmën e grupeve diversioniste të armatosura që do të organizonin në territorin Republikës së Shqipërisë, me qëllim që të shkaktohej rrëmujë dhe mosbesim në gjendjen tonë të brendshme; e fill pas kësaj, forca të armatosura civilësh, në cilësinë e bandave, në përbërje me emigrantë të reaksionit shqiptar, të cilat duhet të sulmonin nga kufiri i Shqipërisë me qëllim bashkimin me forcat e rebeluara të brendshme, e bashkë me to të formojnë në rajonet kufitare të Shqipërisë një plasdarm (vend të sigurt) të gjerë për forcat e rregullta ushtarake të huaja, të cilat do të ndërhynin menjëherë posa të jetë krijuar kjo gjendje nga forcat e rebeluara brenda dhe bandat e armatosura civile nga jashtë. Në të njëjtën kohë do të ndërhyjë dhe do të marrë pjesë dhe Flota e 6-të Amerikane, që ndodhet në detin Mesdhe.

Nga kjo del e qartë se likuidimi i rrjetit agjenturor në vendin tonë, do të  ishte si të thuash“avangarda” kryesore e komplotistëve.

Në krye të rrjetit të kësaj agjenture brenda Shqipërisë ishte Kundëradmirali i Ushtrisë sonë, Teme Sejko.

Ne e gjykojmë të padrejtë propozimin e disa delegacioneve në seksionin e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës, që të dërgojë në Shqipëri një komision të vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës, për verifikimin e fakteve të komplotit. Kjo është paprecedent në lidhje me pozicionin e shteteve sovrane, ajo flet për mosbesim të plotë ndaj qeverisë dhe Partisë sonë dhe ndërhyrje e palejueshme në punët tona të brendshme. Një pozicion i tillë nuk ka asgjë të përbashkët me normat leniniste dhe internacionaliste, mbi të cilat bazohen marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona socialiste. Qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk mund të jetë dakord me akuzat e pabaza të ngritura kundër Shqipërisë në sesionin e fundit të Traktatit të Varshavës dhe i hedh poshtë ato, ashtu siç ka vepruar shumë drejt delegacioni ynë në këtë sesion.

Republika Popullore e Shqipërisë është vend socialist dhe zhvillon një praktikë të brendshme e të jashtme, të bazuar në principet e marksizëm-leninizmit. Ajo, asnjëherë nuk ka devijuar nga këto principe dhe do të mbetet deri në fund besnike e tyre. Republika Popullore e Shqipërisë, si pjesëtare dinjitoze e Traktatit të Varshavës, ka vënë të gjitha forcat e saj për fitoren e politikës së bashkekzistencës paqësore, për mbrojtjen e paqes e socializmit. Dhe nuk ka forcë në botë, që të njollosë realitetin e pozicionit të Shqipërisë dhe Partisë së Punës të Shqipërisë. Nuk ka forcë në botë, të aftë që të hedhë mjegull mbi miqësinë e popullit shqiptar me popullin sovjetik, si dhe me popujt e vendeve të tjera socialiste, të aftë të largojë Republikën Popullore të Shqipërisë nga kampi i socializmit dhe Traktati i Varshavës.

Përsa i përket vendimit të sesionit Politik Konsultativ për Bazën Ushtarake Detare të Vlorës, qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë e konsideron atë të padrejtë. Ky vendim është marrë mbi baza të njëanshme dhe nga një informacion i gatuar mbi bazën e supozimeve dashakeqe, duke mos llogaritur realitetin në Bazën e Vlorës, të parashtruar në shënimet memoriale të Kryetarit të Këshillit të Ministrave, që i ishte dorëzuar përfaqësuesit të Forcave të Armatosura të Bashkuara të Traktatit të Varshavës, pranë Ushtrisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, më 22 mars të vitit 1961. Qeveria shqiptare, me vëmendje të madhe shqyrtoi Vendimin e Komitetit Politik Konsultativ për Bazën Ushtarake-Detare të Vlorës.

Qeveria shqiptare gjykon që vendimi i marrë tregon prishje të qartë të marrëveshjes së nënshkruar midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik më 22 shtator 1957 dhe 3 maj 1959. Ajo në asnjë rast nuk është dakord t’ua japë Bazën Ushtarako-Detare ekuipazheve sovjetike dhe përsëri konfirmon pozicionin e saj, që i vetmi vendim për Bazën Ushtarake Detare të Vlorës, është rruga e zbatimit të marrëveshjeve vepruese midis Shqipërisë e Bashkimit Sovjetik, mbi bazën e të cilave gjithë mjetet ushtarake detare të Bazës Ushtarake të Vlorës duhet t’i kalojnë mundësisht në një kohë sa më të shkurtër ekuipazheve shqiptare, të cilët si gjithë Ushtria e RPSH e kanë treguar si gjithnjë veten në nivelin e detyrave të tyre dhe besnikë të atdheut të tyre socialist, të kampit socialist dhe Traktatit të Varshavës. Dalje (përfundim tjetër) Shqipëria nuk shikon. Çdo rrugë tjetër do të sillte prishjen e njëanshme të marrëveshjes ekzistuese shqiptaro-sovjetike.

Në qoftë se qeveria sovjetike nuk është dakord të zbatojë marrëveshjet ekzistuese për Bazën e Vlorës dhe do të marrë vendime qe të terheqë forcat e tij ushtarake nga kjo bazë, siç thuhet në vendimin e sipërcituar të Komitetit Politik Konsultativ, atëherë qeveria e RPSH, megjithëse kundër këtij vendimi, nuk do të kundërshtojë atë dhe do t’i tregojë gatishmërinë Bashkimit Sovjetik për t’i dhënë shërbimet e mundshme në evakuimin e forcave ushtarako-detare sovjetike në Bazën e Vlorës.

Nuk ka dyshim se qeveria sovjetike, duke vepruar në këtë mënyrë, do të merrte mbi vete një përgjegjësi të madhe si para popullit shqiptar, ashtu edhe para kampit socialist, sepse me likuidimin e Bazës së Vlorës, Republika e Shqipërisë do të mbetet zbuluar para Flotës së 6-të Amerikane në Detin Mesdhe, ndërsa Traktatit të Varshavës do t’i hiqej një fuqi e tillë ushtarake në Detin Mesdhe, siç është Baza Ushtarake-Detare e Vlorës.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, çuditet shumë dhe hidhërohet jashtë mase për atë që në sesionin e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës, Shqipërinë e kërcënuan se nuk do t’i jepej më ndihmë në armatimin e ushtrisë së saj, që është pjesë përbërëse e forcave të Traktatit të Varshavës. Qeveria shqiptare nuk mund të mos konstatojë me keqardhje, se ky presion politik, ekonomik e ushtarak mbi vendin tonë merret në një kohë kritike për RPSH, kur armiqtë tanë imperialisto-revizionistë organizojnë komplote kundër Shqipërisë dhe po forcojnë veprimtarinë kundër saj, në një kohë kur RPSH sapo hyri në realizimin e planit të saj 5-vjeçar. Në qoftë se do t’i pritej ndihma ekonomike Shqipërisë, kjo do të frenonte ndërtimin e socializmit, në qoftë se do të ndërpritej për Shqipërinë ndihma për armatimin e ushtrisë, kjo do të sillte uljen e shkallës së gatishmërisë luftarake të ushtrisë shqiptare, që është pjesë e Forcave të Armatosura të Traktatit të Varshavës.

Në qoftë se do të merreshin masa të tilla kundër RPSH , kjo do të ishte një padrejtësi e madhe në marrëdhëniet me popullin shqiptar e Partinë e tij të Punës, me heroizmin me të cilin lufton për ndërtimin e socializmit, për mbrojtjen e lirisë së Shqipërisë dhe interesave të kampit socialist, veçanërisht në kushtet jashtëzakonisht të vështira të rrethimit kapitalist.

Mbi atë, ata që do të merrnin masa të tilla, do të binte një përgjegjësi e madhe para historisë, para popullit shqiptar, para kampit socialist dhe para lëvizjes komuniste e punëtore ndërkombëtare.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar deklaron se pavarësisht nga veprimet e padrejta, të kryera kundër vendit tonë socialist, RPSH dhe populli shqiptar, nën udhëheqjen e Partisë heroike të Punës, do të mbeten gjithmonë besnike të papërkulura ndaj socializmit, marksizëm-leninizmit, kampit socialist, Traktatit të Varshavës, miqësisë së pathyeshme me popujt vëllezër të kampit socialist.

Ata nuk do të përkulen as para këtyre vështirësive dhe do të mbajnë gjithmonë lart flamurin e socializmit, miqësisë dhe paqes.

Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, shpreson se qeveritë e vendeve të Traktatit të Varshavës do e rishikojnë dhe pozitivisht do e ndryshojnë marrëdhënien e tyre me Republikën Popullore të Shqipërisë.

Kryetari i Këshillit të Ministrave të RPSH

Mehmet Shehu (Firma)

Tiranë: 5 prill 1961

(Arkivat e Traktatit të Varshavës, origjinali rusisht. Arkivat e shtetit shqiptar. Dosja Nr.4, viti 1961).

Burimi: AlbanianFreePress.al