“ Në fillim të vitit 1990, kur ende punoja për gazetën e rinisë komuniste, fitova me shumicë votash të drejtën për të qenë edhe unë një javë turist në Romë. Ishte dhënë një porosi nga i Madhi Fare se grupe të vogla njerëzish të besuar, sidomos ata të letrave, mund të çoheshin si turistë jashtë shtetit dhe atje ti tregonin botës se Shqipëria nuk ishte aspak një vend i izoluar apo bunker siç na quante perëndimi. Muri i Berlinit kishte rënë ndërkohë dhe Zonja dhe Zoti Çaushesku ishin pushkatuar ndërkaq.Thuhej se këtë mendje të parit fare ia kishte dhënë i biri që i kish ardhur me urgjencë nga Parisi për t’ju gjendur të atit pranë.


Duhet të kesh qenë i ri asaj kohe për të më besuar se për muaj të tërë, ndërsa bëhej gati grupi i dytë i turistëve ku duhej të isha unë, shikoja pothuaj çdo natë të njëjtën ëndërr: “ Nisesha por s’mbërrija dot në Romë. Në mes të detit më ngrihej një mal i madh përpara që s’më linte të shihja perëndimin”.


Zanafilla e kësaj ëndrre lindi me siguri në fillim të 70-tës, kur një i afërmi ynë nga babai, emigrant i vjetër në Argjentinë, porositi e na dërgoi nga Italia një tv “Phanola”. Televizori ishte bardhë e zi, por në ekranin e tij jeta italiane kaltëronte më bukur se në ishullin e Çirçias.Më homerike e bëri nga fundi ëndrrën një histori komike ndodhur me targën e autobuzit të grupit të parë pranë një pike karburanti në Romë. Dy italianë që se kishin haberin nga binte Shqipëria, rrekeshin të gjenin nga vinte ky autobus me targë “ Tr”. Njeri thoshte Tripoli. Tjetri tha Teherani. Kur s’po bindeshin njëri tha mendueshëm: “Ndoshta nga Troja!” Që Shqipëria ishte bërë një lloj Troje e komunizmit dhe që perëndimi po përdorte ekranin e tv-së si Kalë Troje këtë e dinin më mirë këtej Adriatikut ku lufta donkishoteske me antenat e televizorëve vazhdonte prej vitesh…”


Këto kujtime më erdhën në mendje ndërsa rrija në radhë për të marrë vizën italiane brenda ambasadës së vendit fqinj. Atë mot nuk shkova dot në Romë. Nga mesi i Korrikut të 90-tës të torturuar nga ëndrra mijëra vetë hynë me forcë në ambasadat perëndimore dhe planet për turizëm të kontrolluar nga shteti komunist u prishën. Këtë radhë do të shkoja në Romë vërtet, tre ditë, për të përcjellë ceremoninë e nënshkrimit të Kushtetutës Evropiane, ligjit kryesor të Evropës së Bashkuar. Shqipëria, me të “majtët” dhe të “djathtët” e saj grindavecë të pandreqshëm, 15 vjet nga hapja e saj nuk mund ti jepte qytetarit të saj mundësinë e udhëtimit pa vizë si vend anëtar i Bashkimit Evropian. “Të majtët” në pushtet thonë: “Prisni, 2015!”, “të djathtët” në opozitë thonë “Më 2007!”. Sa i besojnë këta që presin në radhë me mua për të marrë vizën unë nuk e di, por nuk besoj që kjo grua, të paktën kjo grua e vuajtur që puth këtej xhamit duart e nëpunësit Italian andej xhamit, prej nga pas gjashtë muajsh sorrollatjesh del viza e shumë ëndërruar, ti besojë ende kësaj race politikanësh.


Ajo është duke folur me vete tek më kalon pranë dhe unë e ngacmoj : “Si lum ti! Do të bësh Wekend në Romë!”
“- Çfarë jukend zeza, – më thotë, ndërsa dy pika lotë i lëshohen me vrik faqeve. Kam gjashtë muaj djalin në spital në Romë. Ra nga skelat. Do të shkoj ti jap një veshkë timen, ti shpëtoj jetën…!


Mbyllem brenda vetes pas kësaj përgjigje dhe më kot të nesërmen në aeroplan kërkoj të shoh këtë zonjë dhe ndonjërin nga ata që bashkë me mua mbajtën radhë për një vizë italiane. Në vend të tyre, bri meje, duke ngrënë e pirë nëpër tavolinkat e aeroplanit të “Alitalia”-s janë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme që shkojnë në Samitin e radhës të Natos në Bruksel, janë ish drejtues të partisë dhe rinisë komuniste të shndërruar në bosa që s’dinë në emër të kujt nga të afërmit e tyre të hapin llogari nëpër bankat e Zvicrës, janë djemkat dhe çupkat e shoqatave “joqeveritare” që zmadhojnë me herë numrin e prostitutave shqiptare në Evropë që të marrin sa më shumë fonde për strehëzat e tyre fantazëm në Tiranë.


“ Ata” të mitë e ambasadës janë me siguri aty poshtë në atë tragetin si deve që do dy ditë të shkojë nga Durrësi në Ankona. Atje bileta është shumë herë më e lirë se në avion, prandaj. Por shyqyr zotit nuk janë në gomone. Këto kohët e fundit gomonet që mbollën aq tragjedi në familjet shqiptare, të paktën nuk po shihen më aq dendur.


Në Romë ndërsa pres të më vijë im bir, student në Milano, ndihem i vetmuar. Nga pullazi i hotel “ Santa Çhiara”-s ajo më duket e vjetër, e hirtë, e trishtë. Nuk më le rehat as kujtimi i mikut tim Ilir Gurakuqi. Si ke bërë dhjetë vjet o njeri në këtë rangall qytet?!


Por vjen im bir që duket ka nxënë nga kultura romake dhe më kthen ngjyrat. Më tregon Kolonën e Trajanit, Forumin, Koloseun, Shën Pjetrin në Vatikan, Kampidoljon, Piazza Spanjën e Piazza d’Albania ku është dhe Skënderbeu ynë dhe… Roma më duket farfuritëse. Bëj me qejf çfarë kam për të bërë dhe them me vete se kjo botë ku dielli lind nga perëndon megjithë çmimet e kripura , papunësinë, hallet e strehimit është prapë shumë herë më mirë nga ajo jona andej nga ish lindja ku jeta mbetet gjëja më pa vlerë… por prapë është mëmëdhe.


Jam gjithë djersë në aeroplan dhe mezi pres që ai të nisë fluturimin. Luaj në mendje variantet se si mund të mësojnë popujt e 27 vendeve 270 ligjet e Kushtetutës Evropiane që presidentët e tyre nënshkruan në Romë. Si do të zgjidhë ligji Evropian hallet e grekut, sllovenit, italianit apo estonezit?! Si do zgjidhë, kur të vijë koha hallet e shqiptarit???


Aeroplani nuk po niset. Kalon gjysëm ore. Kapiteni njofton në anglisht dhe italisht se ashtu e kanë një hall dhe janë duke e zgjidhur. Presim. “Po turku mysliman si ti zgjidhë hallet me ligjin e evropës kristiane? “
Kalon një orë. Aeroplani nuk lëviz nga vendi. Udhëtarët ngrenë kokat sipër sediljeve, i rrotullojnë si periskop nëndetëse dhe mundohen të kuptojnë diçka…


Befas në aeroplan hipin disa policë dhe një mjek. Afrohen drejt vendit ku jam ulur dhe unë, por nuk e kanë me mua. Ata dy vëllezërit, malësorët e gjatë të martuar me dy italiane, që hipën zhurmshëm me pesë, gjashtë fëmijët e tyre të vegjël, që veç italisht flisnin dhe që rrëmujshëm mezi zunë vendet e tyre e paskan një hall. Paskërkan nxjerrë motrën e tyre nga spitali në Romë me firmë dhe duan ta çojnë në shtëpi në Shalë. I paskërkan kërkuar ekuipazhit që aeroplani të ketë oksigjen dhe ekuipazhi paska njoftuar mjekun. Mjeku paskërka ardhur, ka vizituar motrën dhe ka thënë se ajo nuk mund të udhëtojë me këtë avion, i cili nuk paskërka pajisjet e duhura të oksigjenit për një të sëmurë si ajo. Motra duhet të zbresë dhe të niset më vonë me një aeroplan që do i ketë pajisjet e duhura. Vëllezërit dhe motra nuk pranojnë. Duan të shkojnë sa më parë në Rinas, ku kanë dalë për t’i pritur.


Kapiteni i aeroplanit, policët dhe mjeku thonë se nuk do ta lejojnë udhëtimin e saj. Buzët e vajzës që duket tek të 20-tat janë mavi. Dy vëllezërit malësorë me italishte të pastër thonë se e kanë marrë me firmë motrën nga spitali dhe se nuk ka ligj në Evropë që t’i ndalojë të shkojnë bashkë me të në Shqipëri. Pasagjerët janë ngriitur në këmbë dhe ndjekin ç’ndodh, por pa ndërhyrë. Kalon edhe një orë tjetër…


Papritur një burrë çehrevrarë çohet nga vendi në zonën e biletave të shtrenjta të avionit dhe i afrohet vëllezërve malësorë. Me shqipe të pastër u thotë prerë:


-Dëgjoni o burra! Ju jeni në hall. Por dhe unë jam në hall. Në Tiranë më ka vdekur nëna dhe ata në shtëpi nuk nisen në varreza pa mbërritur unë nga Amerika…
Në çast njeri nga vëllezërit rrëmbeu motrën në krah dhe u nis drejt derës së aeroplanit. Policët, kapiteni dhe mjeku italian shikonin njëri- tjetrin të hutuar. Duket nuk arrinin të kuptonin se çfarë ligji përdori në shqip burri çehrevrarë.

Tiranë, dhjetor 2004